Kallmeti Online
Shkurt 10, 2012, 05:01:33 MD *
Miresevini, Vizitor. Ju lutemi identifikohuni ose regjistrohuni.

Identifikohuni me emrin, fjalekalimin dhe kohen e identifikimit
Njoftime: Mirsevini tek Forumi i Kallmetit Online !Kush deshiron qe te drejtoje forumin e Kallmetit online te dergoje e-mail me te dhenat personale tek administratori i websitit ne e-mail e meposhtem lgjoka2002@yahoo.com me te dhenat e tija personale(Tani jemi ne nje server te ri!)....Behuni pjese e vendlindjes suaj Kallmetit.. Per cdo regjistrim te ri duhet te merrni aprovimin
e administratori Lek Gjoka ne e-mail lgjoka2002@yahoo.com .Rregjistrimet nga antaret direkt jane te hapura perkohesisht.
Ju  faliminderit per bashkpunimin me Kallmetin Online!....
Stafi drejtues i websitit www.kallmeti.com www.lezhe.net
Gjithashtu mund te na vizitoni ne Facebook tek grupimi Kallmeti ne kete link   http://www.facebook.com/group.php?gid=53029729474&ref=ts)<!>
<div align=center><a href="http://www.shinystat.com" target="_top">
Blog counters" border="0[/url]

 
   Takime Forum   Ndihme Kerko Calendari Identifkohuni Regjistrohuni  
Faqe: [1]
  Printo  
Autor Teme: Letër Fishtës ...Fjalët e Dom Lazër Shantojës  (Lexuar 1161 here)
0 Anetare dhe 1 Vizitor po shikojne kete teme.
Kallmeti & Lek Gjoka
Administrator
Hero Member
*****
Gjinia: Mashkull
Postime: 1010

albkallmeti@msn.com lgjoka2002@yahoo.com
Shiko Profilin WWW Email
« Pergjigju #2 : Tetor 04, 2009, 06:49:09 MD »

[Admirina Peçi

Përballja e parë me këtë dorëshkrim ka qenë një befasi e rrallë. Krejt i zverdhur e me fletët e dëmtuara në caqe, i mbledhur tog në një dosje të veçantë, prej disa vitesh ka gjetur prehjen në bibliotekën e françeskanëve në Shkodër. Është nji ndër perlat e kësaj biblioteke e ruhet si të ishte një thesar. Çdokush që ka pasur rastin të kundrojë dorëshkrimet e Fishtës s’mund të mos e njohë kaligrafinë e tij të veçantë. Bëhet fjalë pra për një dorëshkrim të panjohur të at Gjergj Fishtës, një komedi, e cila edhe pse e pabotuar ka qenë ndër veprat teatrale më të pëlqyera në Shkodrën e viteve 1910-1920. Ishte zhdukur pa nam e nishan e askush nuk e dinte fatin e tij për më shumë se 50 vite. At Vitor Demaj, i cili kujdeset me devotshmëri për pasuritë e kësaj biblioteke e vendos dorëshkrimin mbi tryezën e drunjtë. E hap me kujdes dosjen ku është vendosur dorëshkrimi e nuk harron të tërheqë vëmendjen se “asht tepër delikat e i dëmtuem nga koha”. Na lejon ta fotografojmë dhe mandej na premton se do të na tregojë historinë e veçantë që e ka shoqëruar për afro një shekull këtë vepër.
Titullohet “Dredhitë e Patukut” dhe është shkruar sipas pjesë së Molierit “Le Furberier Escarpet”. Në Shkodër tregojnë se Fishta bashkëpunoi në vitin 1910-1911 me aktorin më të suksesshëm të humorit shkodran të asaj kohe, Zef Hilëgegën për këtë komedi.
Pasi Fishta ia kishte treguar veprën aktorit, ky i fundit i kishte thënë se gjuha që kishte përdorur Fishta ishte “tepër ala franga”. Atëherë Fishta e rishkroi veprën kryekreje sipas sugjerimeve të komedianit, dhe kësisoj “dredhitë e Patukut” u bë “loja e gazit” më popullore në Shkodër. Por s’dihet pse Fishta nuk e botoi këtë vepër sa ishte e gjallë. E fill pas viteve të Luftës, dorëshkrimi kishte gjet nji cak të errët për të kapërcyer një ndër periudhat më të egra, ku nuk u kursye anatemimi dhe lufta e hapur ndaj autorit të tij, At Gjergj Fishtës. At Vitori tregon se një familje shkodrane e kishte ruajtur me fanatizëm këtë dorëshkrim deri në ditët e sotme. Për t’i shpëtuar përndjekjes së kohës, ata e kishin fshehur dorëshkrimin poshtë dyshemesë me parket druri. Sa dorëshkrime e relike të rralla janë ruajtur në këtë mënyrë nëpër në familjet shkodrane, në hatlla e në skuta tjera të fshehta në shtëpitë e tyre! At Vitor Demaj e çmon mbi gjithçka gjestin e zotërisë shkodran, i cili para pak vitesh, mbërriti një ditë në dyert e kuvendit françeskan dhe e dorëzoi veprën në dorëshkrim. Prej asaj kohe dorëshkrimi u transkriptua dhe u bë gati për botim. Sipas at Vitorit, për pak ditë lexuesit do të kenë mundësinë ta marrin në duar. Dhe si një mundësi për ta drejtuar më lehtë lexuesin drejt kësaj komedie, kemi realizuar këtë bisedë me At Vitor Demaj, bisedë të cilën ai preferon ta botojmë në gegnisht sikurse ai flet e shkruan. Përmes saj do të zbulojmë historinë e plotë të këtij dorëshkrimi të rrallë dhe arsyen se pse Fishta i frymëzuar prej Molierit e shkroi këtë komedi si një përshtatje për publikun shqiptar…

Me keni treguar para pak muajsh nje doreshkrim te një vepre dramatike, me titull “Dredhite e Patukut”, një pershtatje e Fishtes nga Molieri. Ky dorëshkrim tahsmë është gati të bjerë në duart e lexuesve. Sa e njohur ëhstë kjo vepër dramatike e Fishtës dhe kur është shkruar prej tij?
Siç dihet vepra e At Gjergj Fishtes mbas hymjes se komunizmit e deri ne vitet 90 te shekullit te kaluem ishte e ndalueme, e anatemueme, dhe po te gjenin ndonji vepër të tij rrezikoje shumë, deri edhe me burgosje, pse Fishta u konsiderue prej diktatures komuniste si nji kundershtar i mirefilltë i saj. Te gjitha veprat dhe doreshkrimet e Poetit u hoqën prej rafteve të bibliotekave e u ndryn nëpër bodrume të errta e plot lagshti. Sikur të mos mjaftonte kjo, shumë prej tyne u dogjen me qellim, por edhe nga frika se mos i gjenin e do te psojshin te njejtin fat edhe ato qe i ruejn. Edhe dorëshkrimet e Fishtes kanë pasë të njëjtin fat. Disa nga këto dorëshkrime gjinden në arkivin kombëtar, dy dorëshkrimet “Juda Makabe” e “Dredhit e Patukut” janë në bibliotekën “At Gjergj Fishta” në Shkodër. Vepra dramatike “Dredhitë e Patukut” asht nji komedi e Molière-it, e pershtatun në gjuhën shqipe me nji art të jashtëzakonshëm krijimi. Kjo komedi asht e pabotueme, e shkrueme prej Poetit kombëtar aty nga vitet 1910-1913 përpara Kombësisë letrare që u organizue në Shkodër në vitin 1916. Ket e difton edhe përdorimi i drejtëshkrimit të Kongresit të Manastirit. Kjo komedi e Fishtes asht ma pak e njohun se veprat e tjera, kjo për arsye se nuk u botue asnjiherë.
Cila është historia e zbulimit të këtij dorëshkrimi dhe në ç’gjendje është ruajtur?
Biblioteka françeskane At Gjergj Fishta e rithemelueme në vitin 2003 asht e profilizueme në Albanologji, kjo falë tre françeskanve që jetuen në mergim: At Jak Marlekaj, At Daniel Gjeçaj e At Paulin Margjokaj. Kjo bibliotekë e ka pasë si traditë paisjen me visare kombtare, dorëshkrime, libra të vjeter, etj. Në vazhdimin e kësaj tradite po pasunohet çdo ditë e ma shumë me libra e me dorëshkrime, ku vëhen në dispozicion të studiuesve për këshillime, hulumtime e studime.
Dorëshkrimi i At Gjergj Fishtës “Dredhitë e Patukut” asht dhurue nga nji zotni shkodran, z. Luigj Baba. Kur e solli në bibliotekë ket dorëshkrim të shkrume nga dora e poetit kombëtar ndieva nji emocion të papërshkruem dhe të papërsëritshëm. Ky dorëshkrim kishte kalue shumë përipeci.
Ishte ruejt me kujdes për ma shumë se pesëdhetë vjet nen dysheme – parket druni në shtëpinë e Z. Luigj. Ky zotní fisnik prej Shkodre pati mirësinë me ja kthye “Bibliotekes Françeskane Át Gjergj Fishta në Shkodër”. Tue kênë se dorëshkrimi âsht ruejt nen parket shtëpie ka psue edhe disa deformime fatmirësisht jo të shumta, e kemi hasë në veshtirësi në transkriptimin e tekstit. Kemi fatin që në bibliotekën At Gjergj Fishta në Shkodër të kemi tashma dy dorëshkrime të Poetit: “Dredhit e Patukut” dhe “Juda Makabe”.
Kjo veprër, nuk ëhstë botuar kurrë më parë. Si mudn ta shpejgojmë këtë fakt?
E vërtetë, kjo komedi nuk asht botue asnji herë. Arsyet se pse nuk asht botue ky dorëshkrim nuk dihen. Ndoshta Poeti nuk e botoi për arsye se ne ato vite pati botue shumë krijimtari të tija, si p.sh. pjesë nga Lahuta e Malsisë që ishte edhe fillimi i lavdishëm i karrieres së tij, Pika Voese (Mrizi i zanave) Anxat e Parnazit, Shqyptari i qytetnuem, Shën Françesku i Asizit, etj. Po në vitin 1913 Fishta u muer me botimin e Hyllit i Dritës. Arsyeja tjeter ndoshta ishte edhe se Dredhitë e Patukut ishte nji përshtatje në gjuhën shqipe, dhe ai ndoshta mendonte ma parë të botonte krijimtarinë e tij, origjinale që kishte dalë prej pendes së tij. Në shkrimet e Poetit mbas vdekjes së tij asht gjetë nji projekt i bam prej tij për botimin e plotë të korpusit të tij dhe në ket projekt banin pjesë në krjimtarinë dramatike për botim Dredhitë e Patukut e i Ligu për mend.
Mund të zbulojmë diçka nga brendija e kësaj vepre? Për çfarë bën fjalë?
Jo vetëm në komedinë “Dredhit e Patukut” por edhe te “I ligu për Mend” arti fishtjan paraqet jeten familjare dhe shoqnore të Shkodrës dhe Shqipnisë të asaj kohe. Poeti ynë në krijimtarinë e tij satirike dijti me mbërthye në nji harmoni të jashtëzakonshme, herë ambëlsisht e herë vrullshëm karakteret dhe veset e ulta që rrjedhin prej zemres së njeriut. I rradhiti aq bukur me nji mendësi të perkryeme shumë aspekte që dalin prej zemres së njeriut, si p.sh. ambicja, krenarija, demelija, koprracija, abuzimi me vendet e punës, përfitime të padrejta, etj. I vuni këto të meta në dukje më nji ironi therse e flakërues nëpërmjet personazheve si Patuku, Lini, Sylejman efendija, Tartufetti, Nushi, etj. Fishta në satirën e vet i frymzuem nga dashnia për Shqipninë na paraqitet shumë herë i pamëshirshem me shfrim, zemrim e me nji gaz ironik, ven në dukje padrejtësitë e punët e pahijshme që e rrethojshin në dam të saj. Nuk ka mëshirë ndaj atyne që janë plot vese dyfytyrsish, që jetojnë me djersen e me mundin të tjerve. Personazhet e tij marrin forma dhe shprehi të ndryshme, simbas situatave dhe rasave në përballimin e problemeve ose daljen prej tyne vetem e vetem për me pështue për sy e faqe. Kjo mënyrë veprimi i ban me perdorë të gjitha mënyrat, dredhinat e mashtrime gjithfarësh. Në jetën shoqnore të njerzimit janë të pranishme këto fytyrëzime personazhesh, ku gjithçka e gjykojnë simbas barkut të tyne. Poeti âsht i vetdijshëm për ketê, e mundohet me hovin e shkelqyeshem krijues që asht vetëm i tij për me e vu njeriun në dijeni të sa e sa problemeve që e paralizojnë në të gjitha drejtimet e jetës, për me e ndriçue në rrugëtimin e tij. Ky âsht edhe qellimi i satirikës së Fishtës, me pa vesin e me e shrranjosë prej shpirtit të njeriut.
Dimë se kjo vepër ka njohur edhe disa vënie në skenë diku në vitet ‘30. Si është pritur prej publikut?
At Gjergj Fishta e kishte pasion të madh dramaturgjinë dhe skenen. Tue fillue aty ka vjeti 1907 ai vuni disa melodramma në skenen e teatrit që fretnin kishin ndertue te Kuvendi i Gjuhadolit Shkoder. Në vitin 1913 asht vu në skenë dhe interpetue nga aktor të shoqnive teatrale shkodrane komedia Dredhitë e Patukut. Çdo veper e shkrueme prej Potetit Kombtar pritej me nji entuziazem të madh. Krijimtaria Në paraqitjen në skenë të dramave, melodramave apo të komedive merrte pjesë një numer i madh artdashes. Françeskanët në ato vite kishin themelue disa shoqni letrare, teatrale muzikore. Çdo veprimtari në këto fusha pritej me entuziazëm të madh prej publikut shkodran.
Ekziston edhe një letër e Fishtes, ku ai shkruan se gjatë një udhëtimi në anije po lexonte Molierin. Kujt ia drejton këtë letër, dhe a lidhet koha e shkrimit të saj me përshtatjet që ai i bëri veprës së Molierit, (“I semuri per mend” dhe “Ndodhite e Patukut”)?
Në korrespondencën e Fishtës, nji vend të ndritun ka edhe korrespondenca më bashkëvëllaznit e tij, si ajo me P. Pal Dodaj, At Justin Rrota, At Shtjefen Gjeçovi, etj. Në faqet e kësaj korrespondence dallojmë dhe na paraqiten fakte, të dhana mbi shkrimin, vumjen në skenë si dhe pritje nga publiku i dramave të Fishtës. Në vapor për në Amerikë At Fishta i shkruen nji leter At Justin Rrotës e i thotë se po lexonte Molierin dhe se nga krijimtaria moleriane mendonte me përshtat prap në gjuhën shqipe. Fishta gjithmonë pati për zemër njohjen dhe studimin e letersisë botnore, shkrimtarve, poetve, dramatugëve ma në za të saj.
Çfarë pikasi Fishta në këto dy vepra të Molierit dhe pse vendosi me ia përshtat publikut shqiptar?
Krejt krijimtarija satirike e Fishtës ka si objekt edukimin nëpërmjet artit teatral. Zhanri komedio-letrar tue vu në gaz veset, ligshtitë, karakteret e dobëta e marritë e njerzve, ka per qellim të qortojë doket e zakonet e shoqnisë nëpërmjet episodeve që ndodhin në jetën familjare, etj. Fishta ka dijtë me e perdorë mirë ket pjesë të dramaturgjisë që âsht komedia per me permisue zakonet, doket e nderin e jetës familjare shqiptare. Nga ana tjeter Poeti âsht i vetëdijshem se njeriu âsht i kufizuem prej rrethanave të ndryshme, por nuk âsht i penguem plotsisht, ka mundesi me deshirë e me vullnet të mirë t’ia mbërrij e të baj nji jetë të dejë e të virtytshme, me ndërgjegje të pastër ndaj vetvetes e ndaj të tjerve. Në komeditë “I ligu për mend” e “Dredhít e Patukut” personazhet na paraqesin aspekte të njeriut në rasa të caktueme të jetës së tij.
Këto dy komedí të shkrueme me nji stil të bukur e me nji gjuhë të rrjedhshme, karakteristike e Fishtës, janë të ambientueme në Shkodrën e viteve dhetë e njizetë të shekullit të kalueme. Arsyet se pse vendosi Poeti që këto dy komedí me ja përshtatë publikut shqiptar janë të thjeshta. Në të gjitha kohët krijimtaria letrare âsht fryt që rrjedh mbas nevojave të shoqnisë që jetojnë në ato rasa. Shkrimtarët e zot dijn me e pa me atë synorin tyne ket moment e shëndrrojnë në vepra të pavdekshme. Pader Gjergj Fishta âsht i vetdijshem për ket moment që po kalonte shoqnia shqiptare, që sapo ishte lirue nga ngujimi pesëshekullor anadollak. Jo vetem keto dy komedí, por krejt krijimtaria satirike e Fishtes âsht e lidhun ngushtë me epoka të ndryshme që po kalonte populli shqiptar. Mund të marrim si shembull kryeveprën satirike Gomarin e Babatasit që mbasi doli prëj shtypshkrojes brenda katër ditëve u mbarue, u shiten ma se 1000 kopje. Kjo ndodhi për faktin se çashtjet e trajtuem aq bukur e me shije në atë satirë ishin aktuale brenda drejtuesve dhe zyrtarve të shtetit.
Pse ishin kaq popullore veprat satirike të Fishtës?
Fishta si Françeskan ka jetue në thjeshtësi të plotë, nuk e kishte problem me ndejë dhe me folë me njerëz të thjeshtë e të pashkollë. Tue qendrue me njerëz të niveleve të ndryshme ka nxjerr brum për krijimtarin e tij. Shumë shprehje dhe thanje popullore i ka marrë prej këtyne bashkëbisedimeve, tue i dhanë nji formë dhe shije të bukur estetike urtisë së popullit të thjeshtë të maleve ose të qyteteve. Edhe komedia “Dredhit e Patukut” asht fryt i dialogut të Fishtës me kuadrin e plotë të jetës familjare dhe qytetare shkodrane. At Fishta shumë herë tue luejt domino qendronte me leter në dorë dhe shkruen të gjitha shprehjet që dëgjonte, kjoshin ato të mira, tallje, përulje, etj. Nganjiherë nxiste edhe zemrime të të tjerët për me nxjerr shprehje për qellimin e tij. Në Lahutën e Malsisë përmendet njifarë Man Sela sikur kishte marrë pjesë në luftën kundër malazezëve, por në të vertëte ai ishte nji kasap prej shkodre dhe i pashkollë, Fishta herë shkonte te ai e herë ai vinte te Poeti e i fliste për politikë e gjana të pavend.
Sa i qëndron kohës kjo vepër? A mudn ta përfytyrojmë sot në një skenë teatri?
Fishta ishte dijetar i kohës dhe krijmtaria e tij profetike shtrihet në kohë dhe në hapsirë deri te ne dhe vazhdon në rrugëtimin e saj. Shumë vese, jetë të pandershme, mashtrime, etj. të vena në dukej prej Poetit atë kohë janë edhe sot e gjithë ditën të pranishme në në jetën shoqnore, politike, etj.
Çfarë perfaqëson kjo vepër në krijimtarinë e Fishtës? Ajo na shpërfaq, një anë tjetër të tij, atë si shqipërues, apo jo?
“Dredhit e Patukut” nuk asht nji perkthim mirëfilli por nji pershtatje në gjuhëm shqipe. Motivin e mori nga dramaturgu i madh francez dhe vendosi në të elemente, ngjarje dhe copëza nga jeta e përditëshme shqiptare. Unë mendoj se me ket komedi Poeti Françeskan e kombtar i ka dhurue panteonit të kryeveprave të tij të pavdekshme nji shtatore të artë edhe pse jo në nivelin e të tjera veprave. Por Fishta asht marrë edhe me përkthime. Ka përkthye pjesë nga krijimtaria e Homerit, Petrarkes, etj./b]
Identifikuar
dpaloka
Newbie
*
Postime: 6


Shiko Profilin Email
« Pergjigju #1 : Maj 11, 2009, 03:49:05 PD »

Mrekulli.Nuk ka si kjo gjuhe.
Identifikuar
Kallmeti & Lek Gjoka
Administrator
Hero Member
*****
Gjinia: Mashkull
Postime: 1010

albkallmeti@msn.com lgjoka2002@yahoo.com
Shiko Profilin WWW Email
« : Mars 04, 2009, 08:35:16 PD »

Letër Fishtës



Fjalët e Dom Lazër Shantojës

Letrat janë tekstet më të dashura për njerëzit. Përmes tyre mund të zbulojmë shpirtin e gjithkujt. Ato na çojnë përtej çdo ngjarjeje dhe perceptimi që mund të kemi
mbi një personazh.Edhe pse ende në arkiva dhe institucione të tjera kërkimi letërkëmbimet mbeten zonat më të izoluara, sidomos karshi interesit të publikut, është e sigurt që në një të ardhme ato do zënë një vend mjaft të rëndësishëm. Ka mjaft situata, ngjarje, ide dhe gjendje që mund të zbulohen nga publikimi i epistolarit të njerëzve tanë të rëndësishëm, aq më tepër kur pjesa më e madhe e tyre e ka çuar jetën nën censurë. Kjo rubrikë do t’i kushtohet pikërisht këtij zhanri të veçantë dhe herë pas here do të sjellim letra të personaliteteve të kulturës, duke përzgjedhur më të veçantat dhe përfaqësueset, duke synuar të hapim një dritare për këtë pjesë të botës së tyre, mbase më e panjohura dhe kureshtjendjellësja. Letra e parë që kemi përzgjedhur për këtë rubrikë i përket vitit 1932. Është shkruar nga Dom Lazer Shantoja, asokohe kapelan në një katund gjerman të Zvicrës. Më këtë letër që ngjan si një tekst i vyer letrar, Shantoja i drejtohet At Gjegj Fishtës. Mësohet se letra ka dalë nga arkivi privat i Ernest Koliqit, i cili e botoi këtë letër pas vdekjes tragjike të Shantojës. Në paraqitjen e kësaj letre Koliqi shkruan: “Kemi fatin e bardhë t’u paraqesim lexuesvet nji margaritar të çmueshëm, nji shkrim të pabotuem t’orziut D. Lazër Shantojës mbi Fishtën. Asht nji letër e hapun të cilën shkrimtari me at styl të gjallë e të hollë të vetin i drejtonte poetit nga La Motte (Jura Bernois, Zvicër) ku asokohe (1932) e kishin hjedhun dallgat e mërgimit e ku ushtronte ofiqin e famullitarit. Arsyena të lidhuna me kushtet e tija si i mërguem banë qi letra të mbette pa u shtypë. Nji miqësi vëllaznore na lidhte me Shantojën, e themelueme në dalldi të përbashkët letrare. Shum shkrime të të ndiemit Mik ruejmë me kujdes plot nderim në kartotekën tonë private tue pritë rasën e volitshëme me i botue në vëllim. Letra mbi Fishtën na duket se në kët Numër të Vaçantë e ka vendin ma të përshtatun”.
Në këtë fillim shkurti shënohet 64-vjetori i vrasjes së Dom Lazër Shantojës, një prej martirëve të parë, të torturuar dhe pushkatuar nga regjimi komunist. Le të jetë kjo nismë dhe një nderim për të.
Letër Fishtës
A u bie në mend? N’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije…Ishi përshtetë për parani të dritores s’odës s’Uej e më hudhët prej andej nji citat latin, sikur i hidhet fëmijs nji kokërr badem. Ashtu, si tue qeshë. Ju më lavduet n’at mëngjez të vokët vjeshte s’dij tash bash mirë ç’artikull, e un U çova në qiell për nji shembëlltyrë krejt origjinale qi kishem këndue ndër ato dit në “Hyllin”. Shkruejshi për ata ministrat t’onë t’asaj kohe… qi nuk ishin të zott me marrë përgjegjësi për fjalë e veprime të veta, mësa shtyllat e telegrafës për fjalë qi përshkohen nëpër telat lidhun për to. E m’a pritët: “Asinus Asinum fricat”!
A u bie në mend?
E mbramja herë, kujtoj se u deshme së bashku. N’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije…
E ajo ndeshje e fundit më kujton sod, o Fishtë, ndeshjen e parë me Jue, kur un, letrar atëherë me shpërgaj. U avita për të parën herë me të pimët e nji të vogli, me bindjen e nji neofiti. Në shkollën franciskane, në sallën e Drejtoris, n’at kryekuartjerin t’Uej prej kah Ju, rrethue nga oficirat e atij shteti madhuer në zhgun, ma e shuma rritë e edukue prej Jush, filluet luftat e lumnueshme kundra të huejve, zbuluet bukurit e vizaret e gjuhës shqipe, e bat kët me dalë nga stanet e kolibat tue e ngjitun mbretneshë në kathedrat e mësimit publik.
Më that: “Po ku je? Un tashma po plakem. Ku jeni ju të rijt”?
Kush ka pasë rasën fatlume me ndejë me Jue, ka mujtë me e ndëgjue shpesh herë kët motiv prej gojës s’Uej t’ambël. Po plakem! Dam m’u plakë nji poet, P.Gjergj, as? Rrezik!
U mundojshi njimend me veshë në varjacjone të ndryshme të humorit t’Uej të pashterrshëm, at motiv në mol:kallxojshi për vjetet e ujkut e për atë që kish ngushllim të ligësht, e thojshi: “Paj, a s’jam tek e mbramja nji djalosh…pesdhetë vjetësh”?
E qe, Fishtë, se tash do kohë nji numër i veçantë i “Hyllit” më lajmonte, se në rabushin e jetës s’Uej koha kishte pre me briskun e saj mizuer edhe dhetë viza tjera.
Gjashtëdhetë vjetësh pra…Djalosh?!
E këndova, e përpina at numër. Por a dijni? Nuk m’a mbushi kurrkund synin. Nji suazë tepër e vogël e vorfën për nji kuadër aq të madh e të pasun. Nji symfoni beethoviane ekzekutue nga nji orqester zumaresh e kavallash. Nji modesti e kuptueshme ndalonte mjerisht tubën e vëllazënvet t’Uej t’Urdhnit me marrë pjesë n’at kremtim letrar e nji largësi qi nuk asht harresë ndaloi nji tubë tjetër vëllaznish t’Uej në shpirt e n’art m’u shprehë mbi Jue e për Jue n’at rasë.
Vrojta dhe nji mungesë tjetër n’at koncert. M’u duk se aty ishte harrue nota ma e bukur, ma e lumnushme e Jueja. Ajo notë qi U ban me qenë ça jeni: Fishta i jonë! Kush e këndoi atë notë, kush e spikati? Un nuk kam menden me përsritë o me kritikue këtu gjikimet e tjervet mbi jue. Due vetëm t’U shtje në mend nji fjalëz të Goethes. Sa pare bajn ma në fund gjikimet e tjervet mbi nji poet? Gjikimi ma i mirë e i parrejshëm asht gjithmonë ai qi poeti vetë i ep vetes. E qe çë mendonte për vete ky vigan i popullit gjerman. Goethe nuk lëvdohet pse ka mbërrijtë me shkrue Faustin. Por pse i ka dalë me shkrue pak si mirë gjermanisht: ein bisschen gut deutsch…
Këtu, Fishtë, rri edhe të tanë madhnija e Juej si letrar. Kjo asht nota qi i U karakterizon. Kush këndon nji shkrim t’Uejin, në dashtë të jenë vargjet e Lahutë, në dashtë rradhët e nji artikulli, ai këndon shqip. Kurrkush ma mirë se ju nuk dijti me e përdorë kët material të poetit, gjuhën. Në të asht i njeshun të tanë mysteri i personalitet t’Uej e i sendevet që Ju këndoni. Gjuha e juej, fjalët, frazat, periudhat janë erë e tokës së Shqipnisë, janë ngjyrë e djellit të saj, lule të livadhevet t’atmes, janë gurgullima e lumijve e fërshëllima e pyjeve të saja, trajta e maleve dhe e kodrinave të vendit. Aty lëvizë ritmi i gjakut shqiptar, tingëllon zani i qinde-e mijvjetve, pasqyrohen fytyrat e kreshnikvet e idealet ma të nalta të prisave e të fatosavet t’onë. Nji qi nuk asht shqiptar, qi nuk e ndien veten mundohet kot: nuk u kupton. Ju jeni të papërkthyeshëm. Për me historinë, të tanë psyhologjin të atij populli të maleve t’ona. Titullin e poetit populluer në Shqipni e meritoni vetëm ju. Më romanx, në fletorizëm, n’ato degë të ndryshme ndër të cilat dahet pema e letratyrës; në poezinë popullore, n’artin e gjuhës. Ju jeni e do të mbeteni i vetëm. Në vetëmin e të mëdhajve, të gjenive. Të paarritshëm e të pakapërcyeshëm. Nji! S’asht nevoja me kqyrë e me peshue gjithmonë ça Ju shprehni në këtë gjuhë. Unë, po u a thom rrumbullak, nuk jam nji asijsh qi i pëlqejnë të tanë veprat t’aeja, En bloc, mbyllasyzash. Sijimin t’em artistik b.f.e knaqin shumë herë katërmdhet vargjet e nji soneti të Mjedës shum ma tepër se katërdhet faqet e ndonji melodrami t’Uej. Por këta s’do me thanë gja. Gjuha e Juej asht vetvete art. E ban të tillë ndërtesën e saj, muzika, ngjyra, veçansija. Ata qi janë mundue me shkrue mbas falsarigës s’Uej, kanë dështue deri tash gjithmonë. Kanë mbledhë në gjasim të çamerdhokvet të shkollavet, fraza mbi fraza, i kanë shprazë të gjitha për nji herë njënën mbas tjetret në faqen e parë të një artikulli, porsi shprazet nji babunë dardhash t’egra në nji gropë për me u ndukë, e në faqen e dytë të tij, hiç ma larg, të kanë dalë në frazeologjin e stilit stereotipik ndërkombëtar të fletorizmës, të kanë shkrue mbi eksigencat e jetës e mbi nevojën me marrë pozicion e prej kullosave të pastra të bjeshkave kanë ba nji salto mortale në bulevaret plot pluhun të metropolevet moderne e kanë thye qafën!
Ata qi n’at numër të veçantë të “Hyllit” shkruen mbi Jue e mbi veprën t’Uej e harruen kët notë a neomose nuk e spikatën. Lypet ndoshta edhe nji farë distance për me e ndie e për me e shijue si duhet. Disa eleganca muzike nuk mund të shijohen me veshë tu grykat e trumbetavet të bombardonavet. Duhen ndëgjue larg. E na qi tash sa vjet jemi të dënuem me jetue larg popullit t’onë me gjinde e në dhe të huej, ku veshët s’na i prekë kumba e gjallë e zanit të tij, as kur këndon as kur qan, por hera-herë ndoj jehonë e rrallë e zbet e e vdekun, na jemi ndoshta për kët punë ma sensibil, ndiem ma fort e ma hollë. S’asht vetëm e malli për tokë, asht edhe ai për gjuhë qi na zatetë, malli për trup e për shpirt të Shqipnis. Nji mik i emi, qi ishte shtrëngue me ndejë shum kohë në Belgrad pa pasë shoq shqiptarë afër, ngitte me kërkue sharraxhit e bozaxhit e Kosovës për me hiekë mall e me folë shqip me ta. Jam edhe un tash nji vjetë në hallin e atij miku. As flas, as ndie tue folë shqip tash sa kohë. Ça baj? Marr Lahutën, marr nji vjershë t’Uejën, cilëndo, këndoj shqip. Mbushem ma tepër për maraz kur shoh ça shkruhet e si shkruhet shqip. Kur shoh matrapazet në lulishtat e poezis e n’oborret e prozës s’onë, kur shoh cuba tue vjedhë ndër ata të Parnazit karabusha për me i a qitë mbandej si laradasha të përzhitun shqip kombit e m’u quejt aktorë e me krrucë ndoshta edhe ndoj grusht verdhukë. Jo, jo, P.Gjergj, nuk qaj un kollaj kur këndoj shqip. Por gati gjithmonë kur këndoj fjalën t’Uej. E në qetin e atij vaji të shpërthyem nga bukurija e gjuhës s’Uej, e gjuhës s’onë, kuptoj sende qi asnji histori, asnji psyhologji nuk do t’ishin të zojat me më zhvillue. Atëherë kuptoj se si nji popull kaq i shkretë, kaq i salvuem, kaq i sprovuem, ban se ban hije mbi tokë e nuk ndëgjon me vdekë. Atëhërë kuptoj se pse zemra e nji Plaku, mbi të cilën rrahin tallazet e detit të botës moliset e pse syt e Tij derdhin lot kur shohin para vetes nji tubë burrash e grash shqiptare. Kuptoj atëherë edhe lotët e Pios së X (Pio XI qau kur pau shtegtarët shqiptarë).
Identifikuar
Faqe: [1]
  Printo  
 
Shko te:  

Mundeshuar nga MySQL Mundesuar nga PHP Powered by SMF 1.1.15 | SMF © 2006-2008, Simple Machines XHTML 1.0! CSS!