Kallmeti Online
Shkurt 06, 2012, 10:17:13 PD *
Miresevini, Vizitor. Ju lutemi identifikohuni ose regjistrohuni.

Identifikohuni me emrin, fjalekalimin dhe kohen e identifikimit
Njoftime: Mirsevini tek Forumi i Kallmetit Online !Kush deshiron qe te drejtoje forumin e Kallmetit online te dergoje e-mail me te dhenat personale tek administratori i websitit ne e-mail e meposhtem lgjoka2002@yahoo.com me te dhenat e tija personale(Tani jemi ne nje server te ri!)....Behuni pjese e vendlindjes suaj Kallmetit.. Per cdo regjistrim te ri duhet te merrni aprovimin
e administratori Lek Gjoka ne e-mail lgjoka2002@yahoo.com .Rregjistrimet nga antaret direkt jane te hapura perkohesisht.
Ju  faliminderit per bashkpunimin me Kallmetin Online!....
Stafi drejtues i websitit www.kallmeti.com www.lezhe.net
Gjithashtu mund te na vizitoni ne Facebook tek grupimi Kallmeti ne kete link   http://www.facebook.com/group.php?gid=53029729474&ref=ts)<!>
<div align=center><a href="http://www.shinystat.com" target="_top">
Blog counters" border="0[/url]

 
   Takime Forum   Ndihme Kerko Calendari Identifkohuni Regjistrohuni  
Faqe: [1]
  Printo  
Autor Teme: IMZOT VINÇENC PRENNUSHI  (Lexuar 835 here)
0 Anetare dhe 1 Vizitor po shikojne kete teme.
Kallmeti & Lek Gjoka
Administrator
Hero Member
*****
Gjinia: Mashkull
Postime: 1010

albkallmeti@msn.com lgjoka2002@yahoo.com
Shiko Profilin WWW Email
« : Mars 10, 2009, 02:19:30 MD »


3



Nga: Fritz RADOVANI

IMZOT  VINÇENC  PRENNUSHI  OFM                                                              (4 Shtator 1885 – 19 Mars 1949)
                                     
                             “Në këte kohë në Shqipni, asht turp i madh me kënë jashta burgut!”
                                                                                                            Imz.V.Prennushi, 1946.

   Në gjysmen e dytë të shek. XIX, Austro – Hungaria në prani të Përandorisë Turke në Shqipni, kishte forcue ndikimin e saj aqsa kishte arrijtë përveç pranisë së vet këtu, me vue edhe gurtë e parë të thëmelëve të kulturës Evropjane Përendimore, mbi të cilat ajo vetë ndërtoi edhe Lapidarin Historik të Pavarësisë sonë Kombëtare, në vitin 1912. Formimi dhe edukimi i brezit kulturor i asaj përiudhë historike, gati gati mori të gjitha tiparet e një të së vërtete të kthyeme në “legjendë”, mbasi me zhdukjen e saj, ajo nuk u përsërit kurrma!
   Filozof, politikanë, historianë, dijetarë, shkrimtarë, ekonomistë, tregtarë, avokatë, mjekë, artistë, arkitekt, ingjenjerë, pedagog e mësues, nëpunës në institucione politike, kulturore, shoqnore, bamirsije, shkolla, organizata sindikaliste dhe shoqni laike e fetare, etj.  janë një Rilindje e vërtetë e jetës së Popullit dhe e Shtetit tonë, merita e së cilës i përket në të gjithë historinë e Shqipnisë, vetëm Përandorisë Austro – Hungareze dhe, vetëm Asaj! Çdo kuader i prëgatitun atje zotnonte gjuhët: gjermanisht, frengjisht, serbo – kroatisht, etj.
   Vetem në fushën ushtarake dhe policore, njerzit që kanë krye kurse specializimi atje kanë tregue aftësi të ruejtjës dhe të mbrojtjës së Atdheut ushtarakisht, të ruejtjes së rendit, zyrave doganore etj., sa me të drejtë asnjeni nuk i ka lanë gja mangut oficerave akademistë të ardhun ma vonë nga të gjitha vendet e shtetëve Evropjane.
   Brumosjen kulturore dhe shpirtnore Atdhetare atje, e tregoi ma së miri gjatë gjithë Shek. XX-të, Kleri Katolik Shqiptar përballë, turqve, serbëve, grekve, italianve, gjermanve, rusve, kinezve dhe të të gjithë trathtarve anarkistë e monarkistë, marksistë e leninistë, ateistë e komunistë, që për një kulltuk shitën Atdheun tek të huejtë okupator. E, kunorën e larit të “Lavdisë së Përjetëshme” mbi kokën e Alpëve të Veriut e thuri me vargjet e Tija të këndueme në “Lahutë”, i Madhi Poet i Kombit Shqiptar, At Gjergj Fishta OFM. Fisit tonë Ilir, ishte syzhgaba i Kosovës, At Shtjefën Gjeçovi OFM., që i gjeti “eshnat” mbi të cilin ruhej endè drejtësia e qindra e mija vjetve ma përpara, dhe mbasi na mësoi sësi ndërtohet skeleti i një Shteti Evropjan Përparimtar, u gropos pabesisht si vëllaznit e vet, nga serbët.
   Fatkeqësisht duhet thanë realiteti i një së vërtete që ka mbizotnue në psikologjinë e Klerit Katolik Shqiptar, kryesisht për modesti dhe përvujtni, tue mendue se ka me ardhë një kohë dhe gjithë aktiviteti kulturor, shoqnor, fetar dhe politik, do të pasqyrohet i shkruem dhe i dokumentuem në vendin që i përket në Historinë e Shqipnisë, në luftën e madhe për Pavarësi Kombëtare, në lamën e arësimit dhe të kulturës për edukimin Atdhetar të Popullit Shqiptar. Përpjekjet e Tij për sigurinë teritoriale të Atdheut të coptuem dhe të nëpëkambun nga fqinjtë apo edhe Fuqitë e Mëdha që mbronin interesat joatdhetare të të huejve, tue theksue rolin që ka luejtë vazhdimisht Ky Kler kundër vëprimeve të tyne, tue i ba këto padrejtësi probleme të njohtuna ndër tryezat ndërkombëtare, deri në Shtëpinë e Bardhë të SHBA, në Paris apo Gjenevë, pothuej nuk njihëshin fare nga askush, sëpse kanë mbetë ndër fletore apo gazeta të kohës ose ndër disa arkiva të atyne shtetëve që i kanë “dyllosë”. Kjo modesti e teprueme apo ma shumë e damëshme u shpërdorue që në kohën e kenjës së Tyne gjallë, nga shumë armiq kundërshtarë me pikëpamje orientale anadollake, prosllave, proitaliane, sektare, ateiste dhe në fund u zhduk bashkë me Ta nga faqja e dheut, e fillueme nga Historia e Lavdishme e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, genocid të cilin komunistët po e vazhdojnë edhe në ditët tona. Gjurmët e kudondodhuna të sandalëve të Françeskanve Shqiptar, ndër male e fusha kanë grrye gurin dhe kanë lanë të shkrueme me gjakun e stigmave të Tyne të Shenjtë, veprat ma të mëdha të Lirisë dhe të Demokracisë Evropjane, thëmelët e të cilave janë të lidhuna për ahët e lisat shekullor në Shkambijtë e Bjeshkve të Nemuna, me konopin e Sh’Françeskut të Asizit.
   Kësaj epoke të lavdishme vetëm djepi i Familjës qytetare shkodrane Prennushi, i dha pesë klerikë të njohtun: Don Mati Prennushi, At Mati Prennushi OFM, Imzot Vinçenc Prennushi OFM, At Karlo Prennushi OFM dhe Don Kolec Prennushi. Të gjithë studimet e larta teologjike i kanë përfundue në Austri; Grac, Tirol, Linz etj. Njihën nga historia e malëve tona si Burra që u vetsakrifikuen për Trojet e Shqipnisë së Lirë e Demokratike. Në asnjë periudhë historike nuk janë pajtue me sundimin e të huejve, monarkinë dhe sistemet diktatoriale cilat do kjofshin ata, dhe kanë mbyllë jetën e vet të martirizuem nga shfarosja e genocidit komunist që përfshiu gjithë Popullin besimtar katolik shqiptar mbas vitit 1944.
Don Matia vdiq në vitin 1904, por emni dhe vepra u trashiguene nga nipi At Matia (1861 – 1948), Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë, që u pushkatue nga komunistët.
Kushri i parë i Tyne ishte Imzot Vinçenc Prennushi OFM, françeskan, asht lindë në Shkoder me 4 Shtator 1885. Prindët e Tij ishin Gjon e Drande Prennushi. Asht Pagëzue me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohtun të Troshanit (i hapun në vitin 1861), ku, ju kushtue Urdhnit Françeskan (OFM) me 1900. Mësimët teologjike të larta i përfundoi në Tirol të Austrisë, dhe u shugurue meshtar me datën 25 Mars 1908, tue marrë edhe emnin At Vinçenc. Me të ardhun në Atdhe përjetoi një nga ngjarjet ma të randa të qytetit të vet të lindjës, së Shkodres së rrëthueme nga malazezët dhe pushtimit të saj të përkohshëm në vitin 1913, ku preku me dorë “lugën e urisë” së cilës, pak ditë mbas fitimit të Lirisë dhe bashkimit të qytetit me Shqipninë e Pavarun, do t’ishte pikërisht Ky At Vinçenc, që me 14 Mars 1914, kur në Kështjellën “Rozafat” u ngrit me brohoritjen e mbarë Popullit të Shkodres, i Lumnueshmi Flamur Kombëtar, do të ishte Ai frati i zgjedhun që do të mbante fjalimin e rastit aty. Oratoria e Tij nuk ishte e panjohtun për shkodranët, mbasi Ai njihej si letrar dhe njeri i letrave shqipe posa u këthye në Atdhe.
Ai ishte penë letrare dhe shkencore ndër fletoret ma në za të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës” por, Ai ishte edhe një ndër thëmeluesit e bashpuntorët e grupit ma me rëndësi të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923 – 24 formuen edhe fletorën e tyne “Ora e Maleve”, ku, At Vinçenci, asht ndër penat ma me vlerë të demokracisë që posa kishte lindë në Shqipni, demokraci e cila mizorisht u mbyt në djep për mos me lindë ma.
Me 19 Mars 1936 Selia e Shenjtë e emnon ipeshkëv i Sapës, detyrë që e mban deri në vitin 1940, kur emnohet Argjipeshkën Metropolitan i Dioçezit të Durrësit, tue pasë nën administrim kryeqytetin Tirana. Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkoder me 26 Maji 1946 dhe arestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodres, Imz. Prennushi ngarkohet me detyren e Primatit Katolik të Shqipnisë. Nuk duhet lanë pa theksue se mbas vitit 1940, kur asht edhe administrator i Tiranës, Ai kishte përkrah Imz. Luigj Bumçin, Don Shtjefën Kurtin, At Pjetër Meshkallën, At Anton Harapin, At Mati Prennushin, Don Lazër Shantojën, të cilët kanë lanë mbresa të pashlyeshme në jetën e kryeqytetasve.
Fatkeqësisht gjendja e keqe shëndetësore e Bumçit, në vitin 1945 ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Ky jo vetëm e kreu me ndërë detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike dhe, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.
Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit, po kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni, për françeskanët e Shqipnisë dhe për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit Çiano, ku shprehët kjartë e sakt pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe Katolikët e Shqipnisë së Veriut. Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve, i përkiste edhe Imzot Vinçenc Prennushi, i cili deklaron: “Kam marrë një medalje nderi për shka, nuk e dij – Lekë jo. Dekoratës nuk i dij as emnin”. (Dosja 1245 Arkivi i M.M.Tiranë). Kujtimet e Kontit Çiano as nuk kanë me u botue ndonjëherë, mbasi fatkeqësisht aty asht shkrue edhe se kush e priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem mbas okupacionit fashist shprehët kjartë bashkfirmuesi i tij, Imzot Frano Gjini, (atëherë Abat i Mirditës), në letrën origjinale të Tij:
   “........4. se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italian, bashkë me Kolegët të tjerë t’Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç nji formalitet konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë vëprue të gjithë përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit tonë.” (Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë).
   Ndërsa, Imzot Prennushi deklaron: “Se shka përmban telegrami nuk më kujtohët, ai asht ba nga Metropoliti i Shkodrës.” (Dosja 1245, Arkivi M.M.Tiranë).
   Si Imzot Prennushi, si Imzot Gjini, deklarojnë se, “na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo, para okupacionit të Shqipnisë nga Italia.”.
   “Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta dhe ndershmënia.
   Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi. Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë....ashtu si duhet ta kujtojnë mirë edhe shumë shkodranë bashkohës të mij.
   Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër me 16 Shtator 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashur të tij” Tuk Jakova, kujtoj si tashti se, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin. Ai shprehi edhe “konsideratën” e tij për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty dihej se i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa....
Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi, arrestohët dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në hetuesi tregon karakterin burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot Prennushi asht i paraprëgatitun për rrugën që ka përpara. Ja, si shprehët për té At Konrrad Gjolaj: “.....Letra që Imzot Frano Gjini u ka dërgue Misjonëve të hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë atyne. Prezent ka kenë edhe Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue nga At Meshkalla. Arësyeja që e shkruen këte letër asht kenë mospritja e drejtuesve të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi Imzot Vinçenc Prennushi  e kishte dorzue këte letër erdhi në Shkodër dhe na tha atyne pak  vetëve  që ishim në oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit:
-Bijt’e mijë, ishe tek përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni me Klerin dhe Popullin Katolik. I tregova rëpresionet dhe burgjet e mbushuna me né. I tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjigj: -Ecelenza, i dijmë të gjitha shka ke thanë e shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se ju, prandej duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë ma. Ju jeni të përfunduem se për 40 vjet komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet!
   Unë ika.
   Na që ndigjuem, i thamë: -Ti jé pesimist!
Imzot Prennushi, ashtu i ambël dhe i butë si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist por keni me pa e ndoshta ma parë tek unë, se shka do t’ju gjejnë ju.
Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë shpejt”.
Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue.” (“Çinarët”, fq.116).
   Kur, Imzot Prennushi pyetët në hetuesi për shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjigjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin.... Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ia kam çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë.” (Dosja1245).
   Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez ku, më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit dhe, më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i bënin rrobe me veshë fukaratë!
   Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.”(po në atë dosje).
   Për vuejtjet dhe torturat e bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej Tij me datën 4 shtator 1947:
   “....Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje”.
   Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:
   1. Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër.
      2. Don Anton Lekë Zogaj, datlindja 1905, prift katolik, i biri i Lekës dhe i Marijes, lindë në Kthellë të Mirditës.
   3.Don Pal Martin Gjini, datlindja 1910, prift katolik në Jubë, i biri i Martinit e Terezës, lindë në Shkup të Maqedonisë, arrestue me 19 maj 1947.
   Vëndimi i gjykatës u dha me datën 20 dhetor 1947 si vijon:
   1.Don Anton Zogaj, vjeç 42, me vdekje, me pushkatim.
   2.Monsinjor Vinçenc Prennushi, vjeç 63, me 20 vjet burg.
   3.Don Pal Gjini, vjeç 37, me 10 vjet burg, heqje lirie.
   Vëndimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor 1947), në të cilin kam shkëputë një frazë, lexoni me kujdes:
   “...Don Anton Zogaj pranon menjëherë sa thotë katoliku Gjon Vlashi se ka zhvilluar aktivitet të gjerë kundërshtar, sidoemos në pjesën katolike....Mbrend në Kishë ka bërë mbledhje me katolikun Gjon Vlashi e Palush Koka....”. (përforcimi i shkronjave në tekst asht i emi, autori).
   Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve....”refuzon kërkesen e tyre”....
   Vinçenc Prennushi  deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” (Dosja 1245, po aty).
Dosja mbyllët me Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars 1948, nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës:
   “Don Anton Zogaj deklaroi dëshirën e fundit para ekzekutimit:
   Nuk kam ba aq faj sa Qeverija të më dënojë, por kjo asht vullnesa e saj dhe i bindëm, dhe shtoi - ju lutëm që trupin tem t’ma çoni në Kishë, dhe teshat që kam në burg të mi marri kushrina. Mbasi bani Kryq u ekzekutua dhe u konstatua nga doktori se kishte  vdekë.”  Prokurori Publik i qytetit të Durrësit: ( Muharrem Rugia) d.v.

   Data 9 mars 1948 në Durrës, më kujton datën tjetër në Shkodër, 11 mars 1948, ditën e pushkatimit të Prelatve të Klerit Katolik në Zallin e Kirit. Pra, vërehët dëshira, etja dhe pangopsia e komunistëve me gjak klerikësh ndër ato ditë në të gjithë Shqipninë.                                                                                                 
   Po cili nga këta tre klerikë u shpëtoi thonjve të Sigurimit të Shtetit?
   Don Anton Zogaj u pushkatue me datën 9 mars 1948.
   Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.
   Don Pal Gjini “lirohët” i sëmurë nga burgu i Shkodrës, në vitin 1951 dhe vdes në shtëpi i mbetun gjytrym nga torturat e mnershme që kishte kalue në Sigurimin e Durrësit...
   Kishe me thanë, se, Dosja 1245 asht mbyllë formalisht me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka vazhdue me kenë e hapun deri me vdekjën e Don Pal Gjinit. Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit, vetëm atëherë, ndoshta, nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar, tham ndoshta, mbasi komunistët kanë pasë punë nganjëherë e, madje ma shpesh dhe ma shumë me të vdekun se me të gjallë, gja të cilën edhe këte e ka provue koha.
   Kur pashë shprehjën e Imzot Vinçenc Prennushit: “Lufta ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste që të mos egzistonte..”, mu kujtue Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai  mbas 20 vjetësh: “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje....” (Dosja  Monsinjor Ernesto Çoba me grupin.).
Edhe Imzot Çoba dha shpirt ndër birucat e Sigurimit të Tiranës me 8 Janar 1980.
   
   Tue lexue kujtimet e Imzot Vinçenc Prennushit, në revistën “Zani i Shna Ndout”, kallnuer 1930, me titull “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, u ndalova një çast në takimin që Imzot Prennushi kishte pasë me TERESA NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila i kishte thanë:
   “– Do të keshë nji aksident rrugor, –  Do të bahësh Ipeshkëv dhe,
              –  Mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë,  do të vdesësh  MARTIR I FESË”.

   Dhe, me të vërtetë në atë prag pranvere, ndërsa lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saja në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za i lehtë ndigjohej në atë errësinë..., si, në të mekun:...
                                “ – PAK  DRITË ! – MEHR LICHT !”....

   Jo, jo,.. Imzot!... Janë plot 60 vjet që:

   Shumë dritë i dha Shpirti i Yt Fesë, Atdheut, kulturës dhe letërsisë sonë shqiptare
                                       ç’ prej  datës:  19 Mars 1949.

Melbourne, Mars 2009.         
Identifikuar
Faqe: [1]
  Printo  
 
Shko te:  

Mundeshuar nga MySQL Mundesuar nga PHP Powered by SMF 1.1.15 | SMF © 2006-2008, Simple Machines XHTML 1.0! CSS!