|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Tetor 31, 2009, 12:28:38 PD » |
|
Ku kundërshtohet Ligji për Librin Elsa Demo | 29/10/2009 Komisioni i medias përballë institucioneve dhe palëve të interesit për librin. Plasari: Skandaloz funksioni që i atribuohet Bibliotekës Kombëtare. Kryetari i shoqatës së botuesve, Petrit Ymeri, ndër të tjera: Kërkojmë uljen e kopjes së detyruar, përndryshe kemi gati padinë
Ka dy ditë që Komisioni i ri për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, pa opozitë, diskuton ligjin "Për Librin në Republikën e Shqipërisë" të vitit 2006 i ndryshuar.
Komisioni me kryetar seance Mark Markun, në fakt zëvendëskryetar - Komisioni përbëhet nga Ismail Hoxha (sekretar) dhe anëtarët Mesila Doda, Adriana Gjonaj, Rajmonda Bulku, Kreshnik Çipi, Edi Paloka dhe Gjergji Papa, jo të gjithë pjesëmarrës - dhe palët përballë tij, janë njohur me ndryshimet dhe sugjerimet, ose më saktë me korrigjimet që erdhën nga Biblioteka Kombëtare, Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Përfaqësues kanë qenë autorë të hartimit të Ligjit të 2006-s nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Edhe kjo kishte përfaqësuesit e saj.
"Këtë draft që na keni sjellë e marr për herë të parë këtu nga ju dhe nga asnjë ministri tjetër e Shqipërisë apo e planetit", tha drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, duke mbajtur gjallë deri në fund të seancës diskutimin mbi çështje shqetësuese që reflekton ligji i "ndryshuar".
Shqetësimi lidhet së pari me funksionet e reja që sipas këtij projektligji Biblioteka Kombëtare duhet të kryejë. Institucioni që ai përfaqëson nuk është vënë në dijeni dhe as i është marrë mendim për këtë, aq më tepër që "funksionet që po i jepen ajo nuk mund t'i kryejë".
Cili është modeli konkret për hartimin e këtij projektligji? Cili është mendimi i Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Nxitjes së Leximit? Përse për 17 vjet, prej vitit 1992 e në vijim, nuk janë zbatuar detyrimet ligjore nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ndaj subjekteve kundravajtëse? Autoritetet që kanë hartuar ndryshimet në këtë ligj, cilët janë?
Këto pyetje shtroi Plasari dhe kaloi te "funksionet e reja". Ligji në fjalë ndalon djegien e librit në Republikën e Shqipërisë dhe njeh rastet e nxjerrjes jashtë përdorimit, asgjësimin me mjete dhe teknika riciklimi, duke përjashtuar kështu djegien, detyrë që ia ngarkon ta mbikëqyrë Biblioteka Kombëtare.
"Kjo është qesharake dhe absurde",- tha drejtori i BK-së. "Nuk është e mundur, shtoi ai, që Bibliotekës t'i ngarkohet edhe detyra e kontrollit të shkeljeve të të drejtave të autorit. S'mund t'i atribuohen Bibliotekës Kombëtare funksione si kontrolli, gjobvënia apo vjelje e gjobave.
Këto funksione as në regjimin e Enver Hoxhës nuk kanë ekzistuar. Biblioteka Kombëtare s'mund të jetë e këtij modeli, me të cilin e identifikon ky ligj. Modeli i saj është modeli i Bibliotekës Kombëtare të Francës, atje ku ka lindur biblioteka kombëtare." Ligji parashikon gjoba për kundërvajtjet administrative: Gjobiten 10.000 - 100.000 lekë subjektit që nuk dorëzon kopjet e detyruara. Dënohen me 100 - fishin e çmimit të librit djegia e librit.
Po ashtu, dënohet me gjobë nga 100 deri në 1000 - fishin e çmimit të librit hedhja në treg e librave që nuk i kanë të gjithë elementët e identifikimit etj. Sipas ligjit të ndryshuar, këtë detyrë të gjobëvënies e kryen Biblioteka Kombëtare, si institucioni i autorizuar nga Ministria e Kulturës.
"Kush merret me kundërvajtësit? Kush vjel gjobat? Organet tatimore." Plasari shtoi se ndryshimet që i kanë vënë përpara nuk bëjnë pjesë në propozimet që ka dëgjuar në Këshillin Kombëtar të Librit dhe të Nxitjes së Leximit ku ai bën pjesë. Vendimi për korrigjimin e këtyre funksioneve që i janë veshur BK-së diskutohen në Komisionin e Medias javën e ardhshme.
Çështja e kopjeve të detyruara e mbajti më gjatë në diskutim kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, Petrit Ymeri.
Ligji thotë që "të gjithë botuesit, entet botuese dhe mjetet e informimit publik, shtetërore ose private detyrohen të dorëzojnë pa shpërblim në Bibliotekën Kombëtare, në Bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë dhe në bibliotekat publike pranë njësive administrative vendore, ku ushtrojnë veprimtarinë, nga 5 kopje për çdo botim, duke paguar edhe tarifën e shërbimit postar, kur është i nevojshëm." Për kopjet e detyruara ndaj Bibliotekës së Kuvendit ai është shprehur i kënaqur që është hequr, sepse "përfytyrojeni sikur të kërkonin prej nesh nga 5 kopje edhe bibliotekat e partive".
Numri i detyruar i kopjeve është vendosur 5 për BK, siç tha drejtori Plasari sepse për një kohë institucioni nuk mund të blejë libra, fondet janë të pakta. Një kopje shkon për bibliografinë kombëtare, një për fondin e BK-së, 3 të tjerat janë në shërbim për lexuesit. Fare pak.
"Kërkojmë uljen e kopjes së detyruar",- e mori fjalën Ymeri, "Ulje në 2 libra për BK dhe nga një kopje për bibliotekat e rretheve. Përndryshe, kemi gati padinë për në Gjykatën Kushtetuese. Nuk është normale që botuesit të paguajnë për hir të mungesës së fondeve shtetërore."
Ai saktësoi se një në projektligj, kjo pikë pranon një ndryshim. Nuk ka përse botuesit të dorëzojnë 5 kopje për çdo rishtypje të librit. Ndryshon puna kur është ribotimin. Petrit Ymeri tha se Shoqata e ka kontestuar që në 2006-n ligjin "Për Librin" dhe ligjin "Për të drejtën e autorit" që edhe ai do të diskutohet së shpejti.
Ku bashkohen kundërshtitë për të dy ligjet? Te kontratat e botimit. "Nuk ka arsye që kontratat e botimit në mënyrë të detyrueshme të regjistrohen në Zyrën Shqiptare të së Drejtës së Autorit siç parashikohet dhe në ligjin "Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të". Kontratat janë konfidenciale, janë pronë e botuesit dhe e autorit. Nëse kjo kontratë botimi bëhet shkak për një objekt gjykimi, atëherë i dorëzohet Gjykatës."
Ai rikujtoi se Shoqata e Botuesve ka kërkuar heqjen e një prej pikave për identifikimin e librit, atë për tirazhin. Deklarimi i numrit të kopjeve në libër është, sipas Ymerit, fare i parëndësishëm.
Po ashtu, pretendoi rishikimin e një pike tjetër, aty ku Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i njihet nëpërmjet këtij ligji e drejta që të hartojë dhe të nënshkruajë marrëveshje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me operatorët radiotelevizivë, publikë ose privatë, si dhe mediat e shkruara që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për uljen e tarifave për reklamat, si dhe për krijimin e hapësirave për promovimin e botimeve. U tha se ka funksionuar me TVSH-në, por kur duhet të bëhen edhe televizionet private kombëtare.
Në ligjin e ndryshuar gjen megjithatë emra shoqatash që u njihet një rol mbi librin, si Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, e cila nuk ekziston më. Ashtu sikurse është optimiste të lexosh që ky ligj e quan detyrë të këshillave bashkiakë ose komunalë planifikimin dhe përcaktimin në buxhetet vjetore respektive një zë të veçantë për blerjen e librave për bibliotekat publike të njësive të qeverisjes vendore.
Në përfundim Plasari tha se projektligji duhet të reflektojë edhe perspektivat e zhvillimit në fushë të librit, sepse do të vijë një ditë që këto zhvillime do të kërkojnë një kuadër ligjor, si për shembull çështja e pronësisë elektronike të librit. Diskutimet në Komisionin e Medias, do të reflektohen në draftin përfundimtar. Javës që vjen priten të reja.
|