|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Prill 18, 2009, 01:27:43 PD » |
|
Krishterimi ndër Shqiptarë - Simpozium Ndërkombëtar - Tiranë, 16-19 Nëntor 1999 Seksioni i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës
Simon Pepa Shqipëri
Kontributi i Klerit Katolik në Leksikografinë Shqiptare
Klerikët katolikë, krahas mjaft fushave të ndryshme dijeje, si: filozofi, histori, letërsi, arsim etj., dhanë shumë edhe në leksikografinë shqiptare
I pari nga të gjithë qe Pjetër Mazrreku, ipeshkëv nga Prizreni. Ai shënon: "Mi fu dato in amministratione il Vescovato di Prizren, mia Patria" (= më qe dhënë në administrim Ipeshkëvia e Prizrenit, atdheu im)
Pak gjëra dimë për jetën e tij, por nga Relacionet që i dërgon Vatikanit, mësojmë se më 1617 është në vend të Pjetër Budit, si zëvendës (Vicarius) i Serbisë, ndërsa në një letër të datës 1 korrik 1623, tregon se është "Visitatore Apostolico di Serbia", ku bën fjalë për një vizitë prej dy muajsh në Bullgari, Bosnje, Mal të Zi, si dhe në Prizren, Shkup, Janjevë. Pas vdekjes së Marin Bicit, me dekret të Romës të vitit 1624, caktohet ipeshkëv i Tivarit. Vdiq më 28 maj 1635.
Në një relacion të vitit 1633, përveç të dhënave të ndryshme për punën e tij dhe jetën e banorëve të cilët ai i vizitoi, shënon edhe 32 fjalë të përdorura në shqip, që thotë se janë marrë nga italishtja. Si të tilla përmend: ark, bukë, faqe, kokë etj.
Ajo që del e rëndësishme këtu, është fakti se Mazrreku, për të gjitha këto fjalë rreh të gjejë burimin a prejardhjen e tyre, ndërrimet fonetike që kanë pësuar ato në rrjedhë të kohës, duke u bërë kështu i pari etimolog për shqipen, me të parin fjalorth etimologjik në këtë gjuhë. Është për t'u theksuar se ai, pothuajse të 32 fjalët, i nxjerr nga italishtja, ndonëse nga studimet e mëpastajme, mjaft nga ato janë pranuar si huazime latine, ndonjë edhe e brumit vendës. Kështu, fagje (faqe) vjen nga lat. facies,ëi e jo nga ital. faccia, siç e jep Mazrreku; lepurë nga latin. lepus-leporis e jo nga ital. lepre. Në fjalë si: ark-u, nga ital. arco, kartë nga ital. carta, mendimi i Mazrrekut është i drejtë.
Me interes janë dhe të dhënat që jep ky dijetar, kur, ndër të tjera, shënon: "Gli albanesi hanno lingua diversa dalle altre lingue con molti vocaboli Italiani et Greci,"
( Shqiptarët kanë një gjuhë të ndryshme nga gjuhët e tjera, me shumë fjalë italiane e greke).
Pavarësisht nga ndonjë mossaktësi, me këtë dijetar kemi fillimet e leksikografisë sonë historike.
Nga klerikët katolikë, në këtë fushë, pa dyshim që figura më e ndritur është ajo e Frang Bardhit, i cili, me Fjalorin e tij latinisht - shqip, botuar më 1635, si i pari tek ne, bëhet themeluesi i leksikografisë shqiptare.
Bardhi lindi në Zadrimë (Sapë), më 1606. Ai shënon "Pars Sadrimae Patria mea" (Fr. Blanchus, "George Castriottus...", f. 52). Sa i takon fshatit të lindjes, dijetarët ndahen në dy grupe: për Kallmetin janë Justin Rrota Ziaudin Kodra, si dhe disa autorë të tjerë, ndërsa për Nënshatin janë misionari italian Atë Dedë Pasi, Kolë Kamsi, Kolë Ashta, Palokë Daka. Studiuesi Robert Elsie shkruan: "... lindi në Nënshat ose Kallmet".
Mendimi ynë është se më i vërtetuar del Nënshati. Këtë na e sqaron së pari, D. Gaspër Gurakuqi, njohës i mirë i Zadrimës, në veprën Dioçesi i Sapës, 1291-1941, Shkodër, 1943, f. 42-44, ku, duke u mbështetur në dokumente që na ka lënë në Arkivin e Arqipeshkvisë së Shkodrës, Imzot Karl Pooten, del se Bardhi ka lindur në Nënshat. Studiuesi Kolë Ashta, njohës nga më të mirët i autorëve tanë të vjetër, na jep pohimin e vetë F. Bardhit se është nga Nënshati, kur shënon: "Ha Sappa intorno a se una villa grande ... vien detto Ndensciati, ... da questa sono originati 4 Vescovi, Giorgio Suma, Tosoló Bianchi, Nicoló Bianchi..., (il) presente Vescovo Francesco Bianchi, lor descendente e succesore ..." (= (Qyteti) Sapa ka rreth vetes një katund të madh..., ky katund, ... quhet Ndenëshati.... Nga ky katund kanë dalë katër ipeshkvij: Gjergj Suma, Tozol Bardhi, Nikollë Bardhi...., e ipeshkvi i tashëm, Frang Bardhi, i gjakut të tyre e pasardhës i tyre).
Në qoftë se Justin Rrota dhe pas tij, një varg dijetarësh të tjerë e bijnë nga Kallmeti, kjo vjen se në këtë fshat ka pasur dikur një vllazni Bardhajsh.
Frangu përgatitjen e parë e muar nga të afërmit e tij, ku, në mes të tjerash, mësoi turqishten e sllavishten. Më 1628 e gjejmë në Kolegjin Ilirian të Loretit, afër Ankonës, ku studioi vepra në latinisht e italisht. Pastaj e kemi në atë të Propaganda Fide të Romës. Studimet në Loret e Romë zgjaten shtatë vjet. Më 1635 Bardhi shugurohet meshtar. Ishte i zgjuar e dinte disa gjuhë të huaja. Duke patur një përgatitje të tillë, ia hyri punës sa të vështirë, aq edhe fisnike, për të hartuar të parin fjalor në shqip.
Fjalori ishte dygjuhësh: latinisht e shqip. U botua më 1635, me titullin latinisht: "Dictionarium latino-epiroticum una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis", per R. D. Franciscum Blanchum..., Roma, 1635. (= Fjalor latinisht-shqip bashkë me disa mënyra shprehjesh që përdoren shpesh, hartuar nga Frang Bardhi epirot..., Romë, 1635).
Vepra ka rëndësi të madhe kombëtare për faktin se të parin fjalor të shqipes e hartoi një shqiptar e jo një i huaj (një meritë të tillë mjaft vende nuk e kanë). Veç kësaj, kjo ka një vlerë të pallogaritshme gjuhësore, pasi është një pasqyrë e leksikut popullor të shek. XVI-XVII. Shumë fjalë ose kuptime fjalësh do të ishin harruar e zhdukur, po të mos ishte ky Fjalor. Këtu gjejnë pasqyrim mjaft fjalë të brumit vendës. Dijetari Kolë Ashta, i cili është marrë hollësisht me këtë vepër, shënon se nga 2544 fjalë shqipe të Fjalorit, afro 1300 janë të brumit vendës, pra më shumë se gjysma. Në parashtrimin e leksikut, Bardhi, pranë fjalës latine, vë përgjegjëset e saj në shqip, italisht, turqisht. Nganjëherë jep shpjegime edhe me togfjalësha. Këtë e bën për ta paraqitur sa më të qartë idenë, si dhe për të sqaruar lexuesin. P. sh. latin. gutta, ital. goccia, shqip pikë. Aqua "ujë", aqua salsa "ujë të shëllijmë", aqua dulcis "ujë të ëmbël", aqua turpida "ujë të turbulluem". Kur e sheh të arsyeshme, si përgjegjëse të fjalës, jep edhe njësi frazeologjike.
Me shumë vlerë janë edhe disa trajta fjalësh ose fjalë që sot janë vetëm në toskërishten, gjë që tregon se të dy dialektet ishin më pranë njëri-tjetrit, p. sh. trajta foljore me -nj: deshëronj (expetisco), kërkonj (gusto) etj., trajta emërore: vetëtimë, luftëtar (f. 58), ose fjalë të këtij dialekti, si kallauz etj.
Disa fjalë dalin me kuptim tjetër nga ky i sotmi, si: ndëgjues "i zgjuar" (nga lat. intelligens) (f. 38), fatos "fatbardhë" e jo me kuptimin trim, i fortë. Ndeshen edhe fjalë që, për nga vlera kuptimore e ngjyresa emocionale, fare mirë mund të hyjnë në përdorim edhe sot, si: me thupruem "me rrahë me thupur" (f.181), përgjues "ai që përgjon".
Në Fjalor ndeshim edhe elemente leksikore të reja (neologjizma), të cilat dëshmojnë se Bardhi pat sens krijues gjuhësor, ngaqë, nga mënyra e ndërtimit, duket se janë sajime të tij, si: ndëgjues (auditor), kopështar (hortulanus), shitës (venditor), luftëtar (bellator) etj.
Padyshim, si vepër e parë, Fjalori pati edhe ndonjë mangësi. Vetë numri i pakët i fjalëve shqip (rreth 2500), në raport me latinishten (rreth 5000), tregon se ai e ka pasur të vështirë t'i japë çdo fjale latine përgjegjësen e saj në shqip. Për këtë, në disa raste, është detyruar që për 2-3 fjalë latine, të vërë një në shqip. P. sh. për fjalët aquila e falco jep shqiponjë, (duhet shqiponjë e falkua); fjala virga (f.184) jepet për thupur e brenë; palpebrae, supercilium, pupilla kanë të njëjtën fjalë përgjegjëse, vetulla e vetullat, kur dihet se palpebra do të thotë qepallë e pupilla është bebja e syrit.
Ngadonjëherë edhe fjala përgjegjëse në shqip nuk është gjetur si duhet, p. sh. peridoneus "i ditur" (duhet "shumë i përshtatshëm"); orphanus "i vogël" (duhet jetim), rebellator "hajn" (duhet kryengritës).
Këtu ka edhe disa fjalë të huaja, si italianizmat: guerra për luftë, fosse për gropë (f.27), soldat për ushtar (f.58) etj., greqizma (më pak), si: putir, zahare (f. 138); turqiz.: ibrig (f.4), kasap (f.9), haraç (f.176); sllavizma: zakon (f.20), grazhd (f.107), bashtinë (f.3) etj.
Pavarësisht nga këto mangësi, ky Fjalor është i një rëndësie të veçantë. Ai ka shërbyer dhe shërben edhe sot e kësaj dite si cak mbështetjeje e krahasimi për studime të ndryshme të shqipes. Atë e shfrytëzuan dijetarë e leksikografë të ndryshëm, vendës e të huaj, si: Kostandin Kristoforidhi, Atë Justin Rrota, Eqrem Çabej, Gustav Meyer, Norbert Jokl, Mario Roques etj.
Në fund të Fjalorit Bardhi vë edhe 113 fjalë të urta, duke u bërë kështu dhe nismëtar i folkloristikës sonë.
Duke ardhur në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillimet e shek. XX, kryesisht me vendosjen e jezuitëve në Shkodër, shohim se leksikografia shqiptare, veçanërisht ajo shqip - italisht e anasjelltas, mori një zhvillim të madh, ngaqë ata në pjesën më të madhe qenë italianë.
Në këtë periudhë, ndër figurat kryesore që punuan në këtë lëmë dijeje, dalin: P. Francesco Rossi, P. Giacomo Jungg S.J. dhe P. Antonio Busetti. Dimë pak gjëra për jetën e tyre. Me sa kemi mundur të gjurmojmë, po bëjmë një parashtrim të shkurtër rreth veprës e jetës të çdonjërit.
P. Francesco Rossi (P. Françesk Rosi) ishte nga Montaldo. Qe prefekt apostolik i Misionit të Serbisë (Min. Oss.R.F. Dell'Alma Provincia Romana).
Siç shënon edhe vetë, ai e njohu pothuajse mirë gjuhën shqipe, ngase jetoi afro 15 vjet në mes të shqiptarëve, kryesisht në Veri, si misionar apostolik, "Io, che quasi tre lustri in qualitá de Missionario Apostolico passai tra questo popolo" (= Unë, që gati tre pesëvjeçarë, në cilësinë e Misionarit apostolik, kalova në mes të këtij populli).
Vepra titullohet "Vocabolario italiano-epirotico con Tavola sinottica (Fjalor italisht-shqip me Pasqyrë sinoptike). Fjalori është shtypur në Romë, më 1866, ka 953 faqe.
Nëntë vjet më vonë, po ky autor, na jep një Fjalor të dytë, kësaj radhe shqip-italisht, të titulluar "Vocabolario della lingua epirotica-italiana" (compilato sui vocabolari Fanfani, Trinchéra ed altri con tavola sinottica), Roma, 1875. Fjalori ka 1400 faqe me disa mijëra fjalë e shprehje frazeologjike. Ky është më i madhi fjalor i botuar, gjer më 1980, kur doli Fjalori i gjuhës së sotme shqipe. Pra, siç shihet, Rossi na dha dy vepra leksikografike me 2353 faqe, një punë tepër e madhe kjo.
Misionari tjetër jezuit që botoi një fjalor po italisht-shqip, qe Atë Jak Jung-u (Giacomo Junk).
Lindi në Trento, dikur krahinë e Austrisë, sot e Italisë, më 22 maj 1837. Më 22 nëntor 1855 është në Shoqërinë jezuite në Veronë. Nga 1857-1859 ndjek mësimet për retorikë dhe një vit filozofi (Veronë, 1860). Më 1861 mbaron studimet në Feldkirch (Austri), më pas, (1862-1864) kreu magistero-n (fazë parapërgatitore) në Shkodër-Shqipëri e nga 1865-1868 merr mësime teologjie morale po në Veronë, më pas studion dhe një vit në Romë (1869) dhe më 15 gusht 1869 është coaditor (atë shpirtëror). Më 1870 vjen në Shkodër, ku ndenji gjersa vdiq, më 12.II.1899. Jungu ishte shpirtbardhë dhe i dashur me të gjithë. Populli e thërriste Engjulli i Zotit. Që nga 1880 punoi për themelimin e Misionit shetitës (Missione volante), që u realizua më pas nga P. Dedë Pasi.
Jungu ishte dijetar i shquar, e njihte mirë shqipen. Shkroi vepra fetare e kulturore. Dy janë librat me vlerë gjuhësore: "Elementi grammaticali della lingua albanese", Scutari, 1881 dhe fjalori i cili titullohet "Fialuur i voghel Sccyp e Ltinisct", mbledhun prej P. Jak Junkut S.J., Sckodër me Sctamp t Kolegs Papnore, shtypun n Sckoder t Scqypnis 1895.
Autori, që ka shëtitur e jetuar mjaft në malësitë veriore, që në parathënien e veprës tregon se e çmonte shumë këtë popull, ngaqë ai kishte kaluar gati gjysmën e jetës "... in questa generazione albanese"(në këtë brezni shqiptare).
Fjalori ka një parathënie të goditur (f. I-XII), pastaj vazhdon nga faqja 1-200, me 9449 fjalë.
I treti i kësaj periudhe është P. Antonio Busetti.
Lindi në Friuli, më 1870 dhe vdiq më 1948. Ishte misionar shëtitës, pastaj kaloi në Seminarin Papnor si mësues. Për më se katër vjet, siç duket me materialin leksikor që mblodhi në zona të ndryshme veriore, punoi Fjalorin e tij italisht-shqip. Busetti ishte autodidakt, punëtor dhe energjik, mësoi në pak kohë shqipen, kështu ia doli të botojë Fjalorin e tij, i cili u shtyp në Shkodër, në tipografinë Imacolata, më 1911. Fjalori ka 1147 faqe.
Dy vjet para Busetti-t, më 1908, nga klerikët shqiptarë doli Fjalori i Shoqërisë "Bashkimi". Kjo Shoqëri u krijua në janar 1899, nën drejtimin e Abatit të Mirditës, Imzot Prenkë Doçi, në të cilën morën pjesë: Gjergj Fishta, Ndoc Nikaj, Dodë Koleci, Jak Serreqi etj. Anëtar i saj ishte edhe Luigj Gurakuqi.
Shoqëria "Bashkimi", brenda nëntë vjetëve (1899-1908), përveç Fjalorit, botoi rreth 31 libra, kryesisht me karakter shkollor, didaktik etj., por edhe fetar.
Vepra kryesore e kësaj Shoqërie është Fjalori i botuar me titull "Fjaluer i Rii i Shcypes" (1908), që ka firmën e autorësisë "Përbâam Preie Shocniet t'Bashkimit". Sipas të gjitha gjasave, puna kryesore këtu u krye nga Dodë Koleci. Fjalori ka 13798 fjalë dhe është cilësuar si më i miri në leksikografinë shqipe deri në botimin e Fjalorit të Institutit të Shkencave (1954). Edhe ky ishte shqip-italisht.
Duke i analizuar, qoftë edhe shkurtazi, fjalorët e botuar si më sipër kanë një varg veçorish pozitive.
- Aty del një paraqitje e bollshme fjalësh, togfjalëshash dhe njësish frazeologjike, duke parashtruar mirë pasurinë leksikore të shqipes në shek. XVIII-XIX.
- Në faqet e këtyre Fjalorëve zunë vend mjaft fjalë të bukura, disa nga këto të pasqyruara më vonë edhe në fjalorët e tjerë, si në atë të 1954-s, të 1980-s etj. Si fjalë të tilla shënojmë: mundçiâr-i (mundçar) "punëtor që lodhet shumë", (Rossi, Fj. ital.-shqip, 479); ciycan-i (qyqan) "njeri i plogësht" (Rossi, 479), jerm-i "gjendje si në kllapi" (Jungg, 71), besatohem "fare tregua, dare ammistia" ("Bashkimi", 41), bishtore "nji kind a skaj are" ("Bashkimi", 45), bubrroj, me bubrrue "me punue pak a gjana të vogla" ("Bashkimi").
- Pasuria sinonimike e fjalëve në këto fjalorë është e madhe, qoftë në shqip, qoftë në italisht. P. sh. Diffuso, ov. copiosamente, ampiamente = tepër, boll, shumë, mjaft, plotshim (Rossi, 173); anijetar = navigante, barcaiuolo ("Bashkimi", 23); pigliar le mosse = me fillue, me ia nisë, me zanë fill (Busetti, 25). Një gjë e tillë vërehet edhe në larminë sinonimike të fjalëve me njësitë frazeologjike, mjaft të përdorura këto. P.sh. Incantare - guadagnar l'animo = me hiim në hatër (me hy në hatër), me fittuem zemër; incaminare = me përcjellë, me shtie në udhë, me thanë (tregue) udhën (Rossi, 399); far d'una mosca un elefante = miizen me e baa kaa (krhs. mos e ban mizën buell); ha la coscienza sporca = ka mizën nën kësulë; un caso non fa regola = nji lule nuk bân pr?ndveer (Busetti, 823) (krhs. me një lule nuk vjen pranvera).
Por kjo punë kaq e madhe nuk mund të jetë dhe pa ndonjë të metë.
P. sh. në disa raste vendosen fjalë tepër arkaike e nëndialektore ose të huaja, kryesisht turke, si: ubel, ubla "pozzo di montagna" (Jungg, 165), zaditë (me) = assalire (Jungg, 145). Kështu mund të vazhdohet me bazhdarí "paga che da al pesatore"; gebehane = "logio di polveriera", kabahetl? = "colpevole" (J.51).
Në ndonjë rast nuk jepet sinonimi përkatës në shqip, p. sh. erë = vento e odore (ku odore ka përgjegjësen shije) (Junku); gaboi = sbagliare, errare, mancare ("Bashkimi", 119) (kur kjo e fundit ka përgjegjëse me mungue); fjalët impartire, dare, distribuire jepen si sinonime në ital., kur dihet që në shqip distribuire është "me shpërnda" (Rossi, 315).
Duke ardhur në gjysmën e parë të shek. XX, nga klerikët katolikë ndrisin dy leksikografë: Atë Fulvio Cordignano e Dom Nikollë Gazulli.
Atë Cordignano, një emër i njollosur keqas dhe ashtu i hedhur në detin e harresës.
Lindi në Moggio (Udine, Itali) më 19 tetor 1887. Më 1905 hyn në shoqërinë jezus në Kremona. Pasi studion një vit letersi(1908), vazhdon studimet për filozofi po aty (1909-1911), pastaj është në Shkodër për magistero (fazë parapërgatitore) (1912-1916) pranë Kolegjit Saverian, ku drejton edhe Akademinë e Studimeve Shqiptare të krijuar këtu. Plotëson studimet teologjike (1917-1920); më pas e gjejmë në Velehrad (Belgjikë), Hasting (Angli), Dublin (Irlandë) e Louvre (Belgjikë). Shugurohet meshtar më 31 dhjetor 1918. Është në Romë (1921) në Institutin Biblik e më 1922 punon në revistën "Civiltá cattolica". Kthen në Shkodër në vitet 1924-1925, ku jep filozofi e letërsi në Seminarin Papnor. Nga 1926 gjer më 1941 është misionar i shquar në Misionin shëtitës shqiptar. Më 1942, për gabimin e madh që bëri, duke botuar një shkrim jo proshqiptar, jezuitët e largojnë nga Shqipëria. Shërben fillimisht në Padovë (1942-1949), pastaj në Palermo (1950) e Gorizia (1951). Vdes në Romë më 9 maj 1952.
Gjatë punës në Misionin shëtitës kaloi mal më mal e fshat më fshat për të bërë shërbime fetare dhe shoqërore. Nga goja e popullit mblodhi shumë material historik, etnografik, mitologjik, leksikor etj., të cilin do ta bënte objekt të studimeve të tij. Shkroi mjaft për kulturën shqiptare, botoi dhjetë vepra, përveç sa artikujve e studimeve.
Në vitin 1941 botoi artikullin famëkeq, "L'Albania nella storia e nella vita ossia Visione panoramica di un piccolo mondo primitivo", në "Rivista d'Albania", vjeti 2, fashikulli 1, mars 1941, ku bëri interpretime të gabuara për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjë që ngjalli polemika të rrepta. Për këtë edhe e larguan nga vendi ynë.
Nga puna e tij shkencore me vlerë janë dhe dy fjalorët e tij: "Dizionario Albanese-Italiano e Italiano-Albanese (Il nuovo "Jungg"), Parte Albanese-Italiana", Milano, 1934 dhe Dizionario Italiano-Albanese e Albanese-Italiano, Parte Italiana-Albanese, Shkodër, 1938. I pari ka 332 faqe me 8951 fjalë, ndërsa i dyti 757 faqe me 14307 fjalë. Vepra e parë i kushtohet "Kujtimit të dashur të Padër Jak Jungut, nxitës i flakët i studimeve shqiptare", e dyta "Romës, fanar drite për fatet e përjetshme të botës me urtësinë e fesë dhe të fjalës..."
Fjalët dhe njësitë frazeologjike Cordignano i mori nga goja e popullit, por edhe nga vepra të ndryshme të Mjedës, Gazullit, Fishtës, Naimit etj.
Ai u mbështet në disa fjalorë të shqipes dhe në gjuhë të huaj, si në atë të Marko Boçarit (1809), të Kristoforidhit (1904), të "Bashkimit" (1908), të Weigand-it (gjermanisht-shqip) etj.
Në të dy fjalorët dalin mjaft fjalë të brumit vendës, si lëvyrë, lig, ligatë (f.7), arë (f.4), barrë (f. , bjeshkë (f.11), endë (f.33) etj.
Në analizën e fjalës autori shkoqit hollësisht kuptimin e saj kryesor dhe kuptimet e dyta. Ajo shpeshherë shpjegohet në kontekste të caktuara, në lidhje me togfjalësha dhe frazeologji.
Gjëja që ia rrit vlerën Fjalorëve, është pasuria e dendur sinonimike, e cila del e dyanshme, për fjalët italisht dhe shqip. Autori analizon bukur çiftet sinonimike, por në mjaft raste parashtron dhe vargjet sinonimike, të cilat shkojnë nga 3-8 fjalë sinonime. P.sh. demoralizzare = me poshtnue, me ia ulë kuj zemrën, me ia prishë, me ia çartë (zemrën) (Fjal. it.-shq., 109); për fiocco di neve kemi fjollë, frullizë flug, flok (Fjal. 155). Ndërsa për shqipen shoqni jepen në ital. societá, compagnia, unione (Fjal. 198); për pikëllue (me), shënohen = straziare, affliggere, recare ambáscia (Fjal. 152).
Në vargun sinonimik, pranë fjalës, sipas rastit, jepen edhe njësitë frazeologjike përkatëse: infossare = "me shtie në gropë"; (sepellire) = "me shtie në dhé"; (del morto) "me shtie në dhé, vorrue" (Fj. 233). Nganjëherë, pranë tyre, shënohen edhe fjalë të urta përgjegjëse, si: chi prática con le zoppo impara a zoppicare = kush flen me qen, çohet me pleshta (Fj. 418).
Është e qartë se një punë kaq e gjerë dhe e vështirë, ka dhe mangësitë e saj, aq më tepër se në kohën kur u punuan këta fjalorë fusha e leksikografisë ishte jo shumë e lavruar dhe mjaft probleme teorike ende nuk ishin zgjidhur.
Kështu, në ndonjë rast, autori përzien prejardhjen kuptimore (semantike) të fjalës, duke ngatërruar shumëkuptimshmërinë (poliseminë) me homoniminë. P.sh. Orë,-a "fortuna, fato, personificazione mitologica...", pra Orët si "qenie mitologjike". Por si kuptim të dytë të fjalës orë jepet edhe orë "kohë" "Ç'sjell një orë nuk sjell një vit", pra si njësi matëse. Këto dy fjalë, edhe në qoftë se dikur kanë qenë të lidhura nga ana kuptimore, sot kjo lidhje është këputur, ngaqë është shpërbërë polisemia (shumëkuptimshmëria) duke krijuar dy homonime.
Në parashtrimin e vargjeve sinonimike autori nganjëherë nuk është plotësisht i saktë. Ai fut në një varg edhe fjalë që në shqipe nuk janë sinonime, ose kanë afri të largët, p. sh. dettame = parim, këshill (?); intelletto = mend, kuptim, vështrim (?);, puro = i dlirët, i pastër, i kulluet, i thjeshtë (?). (Fjal. 445).
Edhe në përcaktimin e çerdhes së një fjale ka luhatje. Ai, në disa raste, nuk merr për bazë rrënjën, siç e lyp rregulli, por parashtesën, duke i lidhur jo bindshëm fjalët. P.sh. folja vjerrë "appendere, impiccare" lidhet drejt me vjerrc-i, por nuk janë të kësaj familjeje vjershë e vjershëtar (Fjal. shqip-ital., 231); emri shëndet është në një çerdhe fjalësh me shëndosh, por asgjë nuk e lidh me shëndrit (Fj. 192). Kështu dhe fjala terezí-ja (turq) "kandar" jepet mirë e lidhur me foljen terezitë (me) "me peshue", por asgjë nuk e lidh me terfil "sorte di erba" (lloj bari), që vjen nga latinishtja. (V.O. autori këtu merr për bazë tër- Fj. 192).
Por, pavarësisht nga këto, puna e këtij dijetari edhe në fushën e leksikografisë është për t'u lavdëruar. Ai na dha dy Fjalorë që, ndonëse ka kaluar mjaft kohë, ende ata janë me një vlerë të madhe.
Ky dijetar i madh i dha shumë kulturës shqiptare, por për atë artikull famëkeq që tanimë dihet, u bë objekt polemikash të forta dhe të drejta, të cilat sadopak duhet të kenë lënë gjurmë në ndërgjegjen e këtij njeriu që jetoi gati tridhjetë vjet në Shqipëri e bëri aq shumë për kulturën shqiptare.
P. Gjergj Vata S.J. e Pjetër Topalli (nxënës i Cordignano-s dhe ish-student në Gorizia), të cilët e takuan më vonë në Itali, tregojnë se ai ishte mjaft i penduar. P. Gjergji thotë: "Si biseduam për artikullin, ai, duke u ulur në dy gjunj, m'u përgjegj: Më fal, vëlla, kam gabuar!". Ndërsa Pjetër Topalli thekson: U takova me të, më 1945, kur po kthehesha në Shqipëri. U përshëndetëm e zumë të bisedonim shqip. Menjëherë ai nisi të flasë rreth çështjes Cordignano. Në bisedë e sipër vura re se poshtë syzeve të rrumbullakta me xhama të zez, rrëshqitën dy pika loti".
Ne, në këto pak rreshta, parashtruam kalimthi punën e këtij dijetari. Punën, por edhe gabimin. Gjykimin e mëtejmë ia lëmë lexuesit.
Me sa dihet, kleriku i fundit që botoi në fushën e leksikografisë, brenda kufijve të Shqipërisë, qe D. Nikollë Gazulli. I fundit, por një nga më të shquarit.
Ishte bir i ndritur i fisit të Gazullorëve, filiz i denjë i atij trungu që për shekuj i dha tokës shqiptare njerëz të ditur e patriotë. Kujto këtu Gjon Gazullin (Johannes Gazulus), një ndër më të vjetrit humanistë shqiptarë, i përmendur si teolog, matematicien e astrolog. Pas tij dallohet Imzot Pal Gazulli, ambasador pranë Republikës së Raguzës nga 1452-1459; Ndre Gazulli, doktor në teologji, i lauruar më 13.II.1776 në Universitetin e Propaganda Fides në Romë etj. E vargu mbyllet me D. Nikollë Gazullin.
Lindi në Dajç të Zadrimës, më 15.VI.1895. Mësimet e para i muar në shkollën e fshatit, të cilën e hapi mësuesi shkodran, Kolë Zezaj. Të mesmen e vazhdoi në Shkodër, në Seminarin Papnor, ndërsa të lartën në Austri.
Ishte dijetar me kulturë të gjerë. Zotëronte mirë gjermanishten, italishten latinishten dhe sllavishten. Kishte njohuri edhe për frëngjishten e turqishten. Ai, për shumë vite, punoi në zonën e Malësisë së Madhe (në famullinë e Shkrelit). Duke gjurmuar në fshatrat e kësaj famullie e gjetkë, si: Kelmend, Hot, Pukë, Dajç i Bregut të Bunës, Ulqin etj., mblodhi dhe analizoi me seriozitet shkencor për vite me radhë me mijëra fjalë të rralla, shprehje frazeologjike, materiale onomastike (si: emra vendesh, lumenjsh, fisesh etj.), gojëdhëna, fakte historike, mitologjike etj., të cilat i përmblodhi në dy veprat e tij madhore "Fjalorth i ri" (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941, përfshirë në vargun "Visaret e kombit", XI, (524 faqe me 4819 fjalë), dhe "Fjalori onomastik", botuar pjesë-pjesë në revistën "Hylli i Dritës" nga nr. 2, fruer 1939, vjeti XV, f. 120-129 e gjer në nr. 9-12, 1943, f. 391-406 (shkronjat A-K), gjithsej 21 numra të revistës, në 173 faqe, (i papërfunduar).
"Fjalorthi i ri" i Gazullit, së bashku me "Fjalorthin e ri, fjalë të rralla të përdoruna në Jug të Shqipnís", Tiranë, 1941, ("Visaret e Kombit", vëllim XII) të Pano Tases, janë të parët fjalorë krahinorë tek ne, ndërsa "Fjalori onomastik" i D. Nikollit, si i pari i kësaj natyre në shqipen, tregon se ai është themeluesi edhe i kësaj dege leksikografike.
Në faqet e fjalorit krahinor dalin, në pjesën më të madhe, fjalë të brumit vendës, të ruajtura këto në të folmet malore, si: këllaçë (f. 197) "tokë ujtake", harmatue (me u) "me u pezmatue" (Fj. 172), lashtë "vesë", angërr "lëkurë peme" (Fj. 47) etj.
Analizën e fjalës Gazulli e bën në mënyrë të hollësishme, duke dhënë shumëkuptueshmërinë, sinoniminë, homoniminë etj. P. sh. djergë (me) (Dukagjin, M. Madhe) 1. Me ra, me mbetë ratë, latin. cubare, 2. me u ulë tëposhtë: dirgjem (Gaz. 111);shkapërcim-i, 1. me kalue nji ndalesë, latin. transitus, 2. gabim kundra ligjës, lat. transgressionis, ital. transgressione, 3. Stërshim në të folun, latin. exageratio-nis (Fj. 304).
Duke njohur disa gjuhë të huaja ai, shpeshherë, bën krahasime dhe në mes tyre, duke rrahur të gjejë edhe etimonin (thelbin a prejardhjen) e fjalës. P.sh. me gjimue (M. Madhe) "me gjëmue", me marrë mbrapa, me ndjekë, me dëbue", latin. persequi, gjerm. verfolgam, ital. inseguire (Gaz. 167) angërr (Pukë) "lëkurë trupi", greq. hymen, sanskr. syuman (G. 47).
Një dukuri pozitive janë dhe vargjet sinonimike që jepen këtu. P. sh. te fajkë,-a (Shirokë,-Shkodër) "fajkat e lundrës" jepen edhe anët, brincat e lundrës (f.125). Pranë thuprak "njeri i lidhur nga shtati", shënohen edhe durak, rrypak. Si sinonime të fjalës shqipe delendrisë (Mirditë, M. Madhe) në kuptimin çoroditë, shnjerëzue, jepen në gjermanisht: liebkosen, schmeicheln, pflegen, liebevoll. (Gaz. 249). Si përgjegjëse të fjalës shqipe mendar-e "njeri me mend" shënohen në ital. assenato-a, inteligente e në gjerman. klug, verständig.
Edhe "Fjalori onomastik" është i një vlere të veçantë. Këtu analizohen shkencërisht emra vendesh, fisesh, njerëzish duke u lidhur këta me ngjarje, të dhëna historike etj.
Përveç fjalorëve të botuar, disa nga të cilët u analizuan më lart, nga klerikët katolikë u bë një punë e mirë edhe në gjurmimin, parashtrimin e botimin e fjalëve të rralla dhe të njësive frazeologjike, në rubrika të veçanta të revistave "Hylli i Dritës", "Leka", "Cirka" etj., ku shquhet D. Aleksandër Sirdani, i cili dha në sa e sa rubrika të tilla njësi frazeologjike me fjalët dorë, këmbë, sy, kokë, mend etj., duke i përmbledhur pastaj në vëllimin "Fjalë ari"; pas tij mund të përmenden D. Ndoc Sahatçia (me pseudonimin Donisa), D. Prend Suli, D. Ndue Suma, D. Kolec Prendushi, P. Gjon Karma, etj.
Veç veprave të botuara, nga klerikë katolikë, kemi dhe dorëshkrime nga fusha e leksikografisë shqipe. Këto janë mjaft të vjetra tek ne. Kujto në këtë mes Fjalorin e Nilo Catalano-s shqip-italisht e italisht-shqip (1694), të Francesco Maria da Lecce-s, italisht-shqip, (1702), të Zoccolanti-t nr. 425, Dizion. it.-alb. (ruhet në Grottaferrata 1710), Fjalorin botanik të D. Ndré Mjedës, Fjalorin e fjalëve të rralla nga bota mitologjike të Atë Bernardin Palajt etj.; e duke ardhur në ditët tona me Fjalorin e njësive frazeologjike të qytetit të Shkodrës nga Atë Donat Kurti, Fjalorin me emra bimësh të Atë Benedikt Demës etj.
Si përfundim:
Klerikët katolikë, vendës dhe të huaj, dhanë shumë edhe në fushën e leksikografisë. Ata qenë nismëtarë në shumë degë të kësaj disipline: dhanë të parin Fjalorth etimologjik (P. Mazrreku, 1633), të parin Fjalor të gjuhës shqipe (Frang Bardhi, 1635), të parët Fjalorë italisht-shqip e anasjelltas (Rossi, 1866; Jungu, 1895; "Bashkimi", 1908), vunë gurin e parë të themelit në leksikografinë krahinore (Gazulli, 1941, së bashku me studiuesin nga Jugu, Pano Tase), në leksikografinë onomastike (Gazulli, 1939-1943) pra një punë mjaft e lavdëruar kjo.
Por është për të ardhur keq se, me përjashtim të Bardhit e pak të "Bashkimit", për asnjë nga këta klerikë dijetarë, nuk u fol për sa vjet asnjë fjalë, ndonëse puna e tyre ishte e ditur. Dhe, çka është më zi, mjaft nga ata u masakruan egërsisht. Kështu, D. Nikollë Gazulli, D. Ndré Zad?ja, Atë Bernardin Palaj u pushkatuan pa gjyq. D. Aleksandër Sirdanin e mbytën në gropën e zezë të një WC-je, duke e shtyrë me cfurk; P. Gjon Karmës ia mbajtën sa gjallë shpirtin, ashtu të mbyllur në arkivol (mirrte frymë nga një vrimë të cilën ai nuk e dinte), e kjo për 24 ditë; Atë Donat Kurti, D. Ndoc Sahatçia, D. Ndue Suma, D. Kolec Prendushi, etj. vuajtën sa vite burg. Nuk munguan edhe shkrimtarë e studiues lakej, kalemxhinj të sistemit komunist, të cilët hodhën mbi ta baltë dhe shpifje, duke vërtetuar profecinë e Nolit të madh "Na i vranë e na i shanë."
Këta njerëz të shquar dhanë shumë për kulturën shqiptare dhe si shpërblim… u masakruan nga vetë shqiptarët (edhe pse komunistë, shqiptarë qenë). Tani asnjë nga këta dijetarë klerikë nuk është më. Disa janë edhe në varr të paditur (Gazulli, Sirdani, Palaj). Por ata ruhen të pavdekshëm në ndërgjegjen e Kombit, për veprën e madhe që lanë pas, e cila do të jetojë në shekuj.
Summary
The Contribution of the Catholic Clergy to Albanian Lexicology
Prof. Dr. Simon Pepa has analyzed the outstanding work of clerics in the field of lexicology.
As is known, the first cleric to refer to his contribution in this field was Pjeter Mazreku, who was the Archbishop of Prizren. He included 32 Albanian words of everyday speech in a report addressed to the Vatican in 1633. He did not simply make a list of the words but also tried to trace them back to their source. His etymological dictionary, the first of its kind in Albania, has made him known as the first Albanian etymologist.
Then the author of this study deals with the first complete dictionary of Albanian of 1635, compiled by Rev. Frang Bardhi who was born in Nënshat of Zadrimë region. He views this valuable dictionary, with its high standards, from different perspectives; dwelling on a few shortcomings, too.
The Italian-Albanian and Albanian-Italian bilingual dictionaries compiled by Francesco Rossi, in 1866 and 1875 respectively, are analyzed in detail in this study. The author makes mention of Father Jungg's dictionary of 1895 and Father Anton Busetti's dictionary of 1911, and includes in this group of dictionaries the "Bashkimi Dictionary" by Rev. Doçi, D. Dodë Koleci etc.
The last part of this study highlights the great work carried out in this field by Father Fulvio Cordignano, who published two dictionaries, and by Don Nikollë Gazulli who published a dictionary in 1941, and an Onomastic Dictionary which was published by installments in the magazine Hylli i Drites (1939-43).
|