Kallmeti Online
Shkurt 06, 2012, 10:15:38 PD *
Miresevini, Vizitor. Ju lutemi identifikohuni ose regjistrohuni.

Identifikohuni me emrin, fjalekalimin dhe kohen e identifikimit
Njoftime: Mirsevini tek Forumi i Kallmetit Online !Kush deshiron qe te drejtoje forumin e Kallmetit online te dergoje e-mail me te dhenat personale tek administratori i websitit ne e-mail e meposhtem lgjoka2002@yahoo.com me te dhenat e tija personale(Tani jemi ne nje server te ri!)....Behuni pjese e vendlindjes suaj Kallmetit.. Per cdo regjistrim te ri duhet te merrni aprovimin
e administratori Lek Gjoka ne e-mail lgjoka2002@yahoo.com .Rregjistrimet nga antaret direkt jane te hapura perkohesisht.
Ju  faliminderit per bashkpunimin me Kallmetin Online!....
Stafi drejtues i websitit www.kallmeti.com www.lezhe.net
Gjithashtu mund te na vizitoni ne Facebook tek grupimi Kallmeti ne kete link   http://www.facebook.com/group.php?gid=53029729474&ref=ts)<!>
<div align=center><a href="http://www.shinystat.com" target="_top">
Blog counters" border="0[/url]

 
   Takime Forum   Ndihme Kerko Calendari Identifkohuni Regjistrohuni  
Faqe: [1]
  Printo  
Autor Teme: Konferenca e Paqes 1919, Kur Papa Benedikti XV mbrojti Korçën e Gjirokastrën  (Lexuar 1459 here)
0 Anetare dhe 2 Vizitore po shikojne kete teme.
Kallmeti & Lek Gjoka
Administrator
Hero Member
*****
Gjinia: Mashkull
Postime: 1010

albkallmeti@msn.com lgjoka2002@yahoo.com
Shiko Profilin WWW Email
« Pergjigju #3 : Maj 22, 2009, 03:16:21 MD »

Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919–1920)

Në kuadër të përpjekjeve dhe të luftës në shumë drejtime të shqiptarëve për bashkim e çlirim kombëtar, kleri katolik ka një rol të veçantë. Duke qenë historikisht një lidhëz e fuqishme midis Shqipërisë dhe botës perëndimore, si dhe një përcjellës i frymës së Perëndimit në mesin e shqiptarëve, përfaqësuesit eminentë të bashkësisë katolike kanë qenë ndërkohë edhe kontribues kryesorë për ruajtjen dhe zhvillimin e vetëdijes kombëtare të popullit të vet. Përpjekjet e tyre për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare gjatë shekujve XVII–XVIII u intensifikuan më tej gjatë fazës së Rilindjes, kohë kur figura të shquara nga radhët e klerit katolik, si: Atë Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Preng Doçi, etj., jo vetëm me prodhimtarinë e tyre letrare, por edhe me veprimtarinë e tyre politike e kulturore, u bënë pjesë e rëndësishme e luftës së popullit shqiptar për shkëputjen nga sundimi osman dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Themelimi i shtetit të pavarur shqiptar, i cili, edhe pse mbulonte më pak se gjysmën e kombit, kishte rëndësi të madhe në historinë e shqiptarëve. Megjithatë, nën peshën e ngjarjeve dramatike që shoqëruan shpalljen e pavarësisë, siç ishte rebelimi fanatik në Shqipërinë e Mesme dhe Lufta I Botërore, shteti shqiptar i sapokrijuar pushoi së ekzistuari.

Në këto kushte, do të ishin tryezat diplomatike të Konferencës së Paqes së Parisit, të mbajtur në vitet 1919–1920, ato që do të vendosnin fatin e mëtejshëm të Shqipërisë: nëse do të rimëkëmbej ajo si vend i pavarur, qoftë edhe ashtu e copëtuar sipas skemës së vendosur në Konferencën e Londrës më 1913, apo do të zhdukej nga harta politike e Ballkanit.

Sigurimi i një vendimi pozitiv, në rastin më të mirë, në favor të njohjes së një shteti të pavarur shqiptar në kufijtë e Shqipërisë etnike, dhe në rastin më të keq, në favor të ruajtjes së shtetit shqiptar në kufijtë e sanksionuar më 1913, u bë boshti i përpjekjeve të përfaqësuesve të segmenteve kryesore politike të shoqërisë shqiptare të kohës.

Pikën kulmore lëvizja e lartpërmendur e arriti në dhjetor të 1918-s, kur Kongresi i Durrësit që bashkoi 50 delegatë nga pothuajse e gjithë Shqipëria politike (me përjashtim të Korçës dhe të Vlorës), konkludoi me formimin e qeverisë së Durrësit, fillimisht miqësore me Italinë, dhe që shpresonte të siguronte bashkimin e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre në Ballkan gjatë muajve vendimtarë të Konferencës së Paqes në Paris. Kjo qeveri u kryesua nga Turhan pashë Përmeti dhe reflektonte në përbërjen e saj tërë spektrin fetar të shoqërisë shqiptare.

Që në fillim të krijimit, detyra më e ngutshme me të cilën u përball kjo qeveri, ishte caktimi i delegacionit që do ta përfaqësonte zyrtarisht atë në Konferencën e Paqës, ku de facto ndodhej "Qeveria e Botës"(World government), si dhe përgatitja e memorandumeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare drejtuar Fuqive të Mëdha.

Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mithat Frashërin dhe Mihal Turtullin, por, pas këshillave të dhëna nga Sonino (Ministër i Jashtëm i qeverisë italiane), që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme, Kryeministri shqiptar pranoi t'i bashkangjisë delegacionit zyrtar shqiptar edhe Monsinjor Luigj Bumçin, ipeshkëv i Lezhës dhe ministër pa portofol në qeverinë e Durrësit, si përfaqësues i Shqipërisë së Veriut, si dhe Mustafa Krujën, ministër i post–telegrafive, si përfaqësues të Shqipërisë së Mesme.

Turhan pashë Përmeti dhe Mehmet Konica u nisën për në Paris më 4 shkurt 1919, ndërsa pjesa tjetër e delegacionit arriti në Paris në fillim të prillit 1919.

Qeveria italiane u përpoq me të gjitha mënyrat për të vendosur kontrollin e vet mbi delegacionin zyrtar shqiptar duke i dhënë edhe fonde për periudhën e qëndrimit të tij në Paris, fakt që përmendet nëpër arkivat italiane, por që nuk është pranuar kurrë nga vetë protagonistët. Megjithatë, Italia nuk arriti të vendosë në shërbim të saj delegacionin zyrtar shqiptar, kur ishte fjala për aneksimin e Vlorës prej saj, si dhe vendosjen e protektoratit italian mbi Shqipërinë.

Një rol të rëndësishëm në përvijimin e qëndrimit të delegacionit zyrtar shqiptar në Paris luajtën dy figura të rëndësishme nga radhët e klerit katolik shqiptar, Imzot Luigj Bumçi dhe Atë Gjergj Fishta. Që në fillim të mbërritjes në Paris të delegacioneve shqiptare, ku përveç atij zyrtar, kishte edhe përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës, Rumanisë, Turqisë, Kosovës, etj., u evidentuan qëndrime të ndryshme në radhët e tyre përsa i përket zgjidhjes së çështjes shqiptare. Pasi e panë që sigurimi i një shteti të pavarur shqiptar në kufijtë e Shqipërisë etnike ishte i pamundur, përfaqësuesit e shqiptarëve në Paris, nëpërmjet memorandumeve të tyre, këmbëngulnin të siguronin, të paktën, kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913. Gjithashtu, frika e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë politike të konturuar në Londër më 1913, si dhe vendosja e këtij shteti të copëtuar nën mandatin italian, solli ndarjen e përfaqësuesve shqiptarë në shumë grupime: disa kërkonin vendosjen e shtetit shqiptar nën mandatin amerikan; të tjerë ishin për mandatin italian; një grup tjetër kërkonte rikthimin e princ Widit, në një kohë që kishte edhe syresh që ishin për rikthimin e Esat Toptanit.

Rritja e revoltave antiitaliane në Shqipëri, kritikat e ashpra në shtypin shqiptar të kohës për Turhan Pashën dhe etiketimi i tij si filoitalian, bënë që, me vendim të qeverisë së Durrësit, në qershor të vitit 1919, ai të zëvëndësohet si kryetar i delegacionit zyrtar shqiptar, me Imzot Luigj Bumçin. Qëndrimi i këtij të fundit deri në këtë kohë kishte qenë më i moderuar, por, meqënëse ishte katolik, ky ndryshim përsëri u mirëprit nga Italia. Roli i Imzot Bumçit në zgjidhjen e çështjes shqiptare, pas marrjes së detyrës së kryetarit të delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, rritet së tepërmi. Që në fillim të detyrës së re, Luigj Bumçi, me cilësinë e Kryetarit të delegacionit shqiptar në Paris, protestoi tek presidenti Willson për krimet e kryera nga serbët mbi popullsinë e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë. Ai i dërgoi atij listën e viktimave në zonën e Rugovës dhe kërkonte që trupat amerikane të futeshin në këtë zonë.

Nuk kishte kaluar më shumë se një muaj që Luigj Bumçi ishte bërë kryetar i delegacionit të qeverisë së Durrësit në Paris, kur nënshkruhet më 29 korrik 1919 marrëveshja Titoni – Venizellos (Itali-Greqi), sipas së cilës, Roma do të mbështeste në Konferencën e Paqes kërkesën greke për aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës, ndërsa Greqia njihte aneksimin italian të Vlorës si dhe mandatin italian mbi shtetin e cunguar shqiptar.

Një vendim i tillë u prit me shqetësim të madh në radhët e delegacionit shqiptar në Paris. L. Bumçi, për të diskutuar këtë problem, u takua personalisht me ministrin e jashtëm italian në Paris, më 26 tetor 1919. "Masi jam zgedhë kryetari i Dërgatës shqiptare, interesa e Shqipnisë na ka pru te ju, e në mënyrë të posaçme kishim me dëshirue me dijt ndoj send përmi marrëveshje t'uej me Zotin Venizellos,mas të cilës marrëveshje dy provinca të Shqipnisë, Korça e Gjirokastra, do të kalojshin në Greqi", i drejtohet Bumçi Ministrit të Jashtëm italian. Por diplomati italian përgjigjet se marrëveshja "Tittoni-Venizelos" nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe dhe se zbatimi i saj varej dhe nga shumë rrethana të tjera, përgjigje kjo që nuk e kënaqi shumë kryedelegatin shqiptar.

Gjithashtu, Imzot Bumçi u takua në tetor të 1919 edhe me ministrin e Jashtëm të Francës, S. Pichon, me kryetarin e përkohshëm të delegacionit amerikan, White (Uait) si dhe me përfaqësues të delegacionit anglez (së bashku me L. Gurakuqin dhe M. Konicën), të cilëve iu kërkua të përdornin autoritetin e tyre në të mirë të çështjes shqiptare.

Rreziku i madh i copëtimit të vendit, e detyroi delegacionin e qeverisë së Durrësit, që të dërgonte kryetarin e vet L. Bumçi në Vatikan, për të takuar personalisht Papa Benediktin XV, të cilit, në emër të shqiptarëve, t'i kërkonte të përdorte autoritetin e vet në mbrojtje të krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës nga aneksimi grek, me qëllim që krahinat në fjalë t'i mbeteshin Shqipërisë. Në këto kushte, më 26 dhjetor 1919, Luigj Bumçi niset për në Vatikan ku arriti më 29 dhjetor 1919.

Në ditët e para të janarit kryedelegati shqiptar u takua me Papën, të cilit iu drejtua me këto fjalë: "Tesh pra Shejtni, të gjithë misat (anëtarët – V. D.) e Dërgatës shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslymane, më kanë çue këtu përpara Shejtnis s'Uej e të gjith për një gojë U luten qi me fuqin t'Uej morale e me influencën e madhe që keni në botën mbarë, të na jepni ndihmën t'Uej të vlefshme si ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë (shpëtojnë – V.D.) dy provincat shqiptare, Korça e Gjirokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos".

Papa Benedikti XV, pasi e sqaroi ipeshkvin shqiptar se nuk mund të ndërhynte pranë qeverisë së Italisë dhe Francës, sepse marrëdhëniet e Vatikanit me këto qeveri nuk ishin të mira, i premtoi atij se do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve do t'u kërkonte të qëndronin në krah të popullit shqiptar. Ishte influenca e këtij takimi që grupi katolik në parlamentin italian t'i kërkonte Francesco Nitti-t (kryeministër italian i asaj kohe), që Italia të përpiqej me të gjitha mënyrat për të mos shkaktuar copëtimin e Shqipërisë.

Gjithashtu, më 5 shkurt 1920, Imzot Bumçi shkoi në Belgjikë për të takuar kardinalin e atjeshëm Mercier për të biseduar me të për problemet e shqiptarëve.

Duke parë se në të gjitha memorandumet që Fuqitë e Mëdha kishin përgatitur dhe diskutuar në Konferencën e Paqes, ato mbështesnin mandatin italian mbi shtetin shqiptar, delegacioni i Qeverisë së Durrësit, nën udhëheqjen e Imzot Bumçit, në mbledhjen e vet të datës 9 dhjetor 1919, ku, në cilësinë e sekretarit të delegacionit, asistonte edhe Atë Gjergj Fishta, vendosi t'u dërgonte një memorandum Fuqive të Mëdha, për t'u kërkuar atyre vendosjen në krye të shtetit shqiptar të një princi italian nga familja mbretërore e Savojës, për të mënjanuar kështu mandatin real italian mbi Shqipërinë. Ndërsa në mars të vitit 1920, Imzot Bumçi dhe Mihal Turtulli, me cilësinë tani edhe të anëtarëve të Këshillit të Lartë të zgjedhur në Kongresin e Lushnjës (mbajtur në fund të Janarit 1920), shkuan në Londër për të tërhequr përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për çështjen shqiptare.

Në kryeqytetin britanik, përveç Herbert-it (kryetar i shoqatës së miqësisë Britani–Shqipëri) dhe Miss Durham-it (mikeshë e deklaruar e shqiptarëve), delegacioni shqiptar u takua edhe me Filip Kerr (Sekretar i Ministrit të Jashtëm anglez) dhe Leeper (ekspert për çështjet ballkanike pranë delegacionit anglez në Paris), etj.

Sipas një raporti të shkurtër, që Imzot Bumçi i dërgonte Tiranës, del se nga takimet e shumta të kryera prej tij në Londër, kishte mësuar në radhë të parë opinionet e politikanëve britanikë për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Ja si shkruante ai midis të tjerash: "puna që na ka sjellë dam ma të madh asht mendimi se shqyptarët nuk janë në një mendim dhe se nuk mirren vesht në mes të tyne. Si këtu (në Paris – V. D.), po ma tepër në Londër, muerëm vesh se shumë prej shqyptarëve kanë kërkue nga Konferenca Greqinë, Italinë a Jugosllavinë." Në këto rrethana, shkruan Imzot Bumçi, jam ballafaquar me një mendim të kristalizuar mirë, fatkeqësisht, në radhët e vendimmarrësve evropianë se shqiptarët nuk kishin aftësi të vetëqeveriseshin. Por, duke qenë se ishte e domosdoshme të sigurohej mbështetja e kancelarive evropiane për të realizuar synimet në drejtim të zgjidhjes së çështjes kombëtare, Imzot Bumçi i porosiste: "Pikë së pari duhet pra të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njeni-tjetrin. Duhet të shuejmë hidhënimet e mëritë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokëve tanë e të mos ftohim e të mos ashpërsojmë mardhëniet ndërmjet Shqipëtarëve prej çdo krahinash e prej çdo fenash që të jenë. Për të mirën e atdheut duhet sot që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerëve. Udha politike tjetër që duhet të mbajmë asht këjo: Të mundohemi të përfitojmë nga interesat kundërshtare të njenit e tjetrit e të përpiqemi të fitojmë besimin e miqve e nderimin e armiqve.

Puna dhe përpjekjet e Imzot Bumçit në krye të delegacionit zyrtar shqiptar për të mbrojtur çështjen kombëtare në Konferencën e Paqes së Parisit, veprimtaria e tij diplomatike plot maturi e vendosmëri, përbëjnë një kontribut të çmuar në njërin prej çasteve më delikate të historisë së popullit shqiptar, duke treguar edhe një herë se pjesëtarët e klerit katolik shqiptar, personalitetet e shquara nga radhët e tij, siç ishte edhe vetë Imzot Bumçi, vijuan t'i shërbenin kombit të tyre me po atë seriozitet e përkushtim që i kishin shërbyer ndër shekuj të parët e tyre. Edhe pse aspirata e Imzot Bumçit dhe e atdhetarëve të tjerë shqiptarë për një Shqipëri tërësore dhe të bashkuar brenda kufijve të saj etnikë nuk u përmbush, Konferenca e Paqes e Parisit, nën ndikimin përcaktues të presidentit amerikan të kohës, Wilson, të paktën, nuk lejoi zhdukjen nga harta politike e Ballkanit të shtetit shqiptar.
Identifikuar
Kallmeti & Lek Gjoka
Administrator
Hero Member
*****
Gjinia: Mashkull
Postime: 1010

albkallmeti@msn.com lgjoka2002@yahoo.com
Shiko Profilin WWW Email
« Pergjigju #2 : Maj 18, 2009, 02:24:10 MD »

KONFERËNCA E AMBASADORËVE NË LONDËR DHJETOR 1912-MARS 1913


Duke e parë së Lufta Ballkanike i vuri në kundërshtim interesat e Rusisë dhe të Austro-Hungarisë dhe së lufta mund të merrte përmasa të përgjithshme, ishte Anglia ajo që organizojë mbajten e një mbledhjeje ndërkombëtare të gjashtë fuçive të mdha europiane për t'i rregulluar çështjet e Ballkanit. Duke i parë rreziqet e një konflikti me përmasa me të gjëra, me 17. Dhjetor. 1912, në Londër u organizua mbledhja e Ambasadorëve të gjashtë fuçive të mdha.

Që në fillim, për t'i ikur një lufte të përgjithshme, në parim u pranua krijimi i një shteti shqiptar autonom. Mirëpo caktimi i kufijve të këtij shteti mbeti për tu caktuar pas disa muajve si shkak i grindjeve ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë, nga njera anë, Rusisë dhe Francës, nga ana tjetër. Prandaj, me ndërmjetësimin e ministrit britanik të punëve të jashtme Edward Grey, u arrit ndërmjet Rusisë dhe Austro-Hungarisë marrëveshja famëkeqe e 22. Marsit.1913 për kufijtë e Shqipërisë së Veriut e të Lindjes. Me ketë marrëveshje, e tërë Kosova, Rrafshi i Dukagjinit dhe Maqedonia shqiptare i mbetën Serbisë; ndërsa pjesët tjera të Shqipërisë së Veriut iu dhanë Malit të Zi. Dhe, me 11 Gusht 1913, Konferënca e Londres caktoi në hartat gjeografike vijën e kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Me ketë rast e tërë Çamëria me qytetet bregdetare dhe me Janinën si kryeqendër dhe me një popullësi theshtë shqiptare, mbetën jahtë teritorit shqiptar.
Ajo që i interesonte Austro-Hungarisë, në ketë përiudhë kohore, ishte mos dalja e Serbisë në Detin Adriatik. Kurse, Italisë i interesonte sigurimi i kanalit të Otrantos dhe mos mbyllja e kanalit të Korfuzit. Prandaj, të dyja këto shtete ngulën këmbë për mbrojtjen e bregdetit shqiptar.Me ketë rast shteti shqiptar doli gjysmak, i ndarë në dyshë në mënyrë krejtë artificiale dhe pa asnjë kriter etnik e gjeografik, duke i lenë jashtë kufijve më shumë së gjysmën e tokave dhe të popullsisë shqiptare.Ketë masakrim të tokave shqiptare e pohoi edhe vetë ministri i Punëve të jashtme të Anglisë, Edward Grey. Atë botë, në mbledhjen e Dhomave e të Komunave me 12. Gusht.1913, pati pohuar, së caktimi i kufijve të Shqipërisë nuk ishte bërë në interesin e popullsisë së atyre krahinave, por për të mbajtur ekuilibrin ndërmjet fuçive të mdha dhe për ta shpëtuar paqën në Europë.
Në mbledhjen e 19. Korrikut të vitit 1913,Konferënca e Londres e njohu shtetin gjysmak shqiptar të pavarur dhe vendosi edhe mbi statusin e tij (të Shqipërisë).Shqipëria do të ishte një Principatë e pavarur dhe sovrane dhe si princ i saj u caktua Wilhelm von Wied, i cili kishte prejardhje nga një familje princore gjermane.(Kjo i ngjanë Kosovës së sotme).Konferënca, gjithashtu vendosi mbi organizimin e shtetit shqiptar, mbi administratën civile dhe financat e tij.. Kjo përiudhë do të zgjaste në një kohë 10-vjeqare me mbikëqyrjen e një komisioni ndërkombëtar të përbërë prej delegatëve të gjashtë fuçive të mdha dhe prej një dlegati shqiptar.(Pra historia po na përseritët edhe në ditët e sotme.).

Shqipëria pas Konferënces së Londres.

Derisa Konferënca e Londres merrte vendime të disfavorëshme për Shqipërinë dhe luante me fatin e vendit të shqiponjave, mbrenda shtetit shqiptar gjendja ishte një tragjedi e zezë. Qeverisë së Ismail Qemalit në Vlorë nuk i kishte mbetë hiq më shumë së një e katërta e vendit, kurse më shumë së tri të katërtat e vendit ishin pushtuar prej ushtrive armike, të cilat nuk donin të tërhiqeshin edhe mbas caktimit të kufijve të shtetit shqiptar prej Konferënces së Londres. Shkodra, në Veri, dhe Janina në Jug, që ishin të mbrojtura nga ushtritë turke dhe nga disa vullnetarë shqiptarë, i qëndruanë rrethimit të serbo-malazezëve dhe të grekëve për disa muajë me radhë. Janina u dorëzua me 6. Mars 1913, duke u mundësuar forcave greke ta pushtojnë tërë Çamërinë, Gjirokastrën, Përmetin, Këlcyrën dhe Tepelenën, duke vrarë e plaçkitur popullsinë muslimane shqiptare.Ndësa, Shkodra i qëndrojë heroikisht rrethimit serbo-malazez gjërë me 23. Prill.1913, gjërë atëherë kur Ead Pashë Toptani, i cili ishte agjent i i Serbisë, Malit të Zi dhe i Greqisë, trathëtisht ia lëshojë Shkodrën Malit të Zi. Si dinak që ishte, Esad Toptani arriti që prej Shkodre të strehohej në Durrës ku vendosi qëndrën e tij dhe formojë një pushtet të vetin. Me ketë rast, në atë copë Shqipëri që kishte mbetur pas Konferëncës së Londrës, u formuanë dy pushtete kundërshtare; njeri në Vlorë me qeverinë e Ismail Qemalit dhe tjetri në Durrës me qeverinë e Esad Toptanit rreth së cilës ishin mbledhur trathëtarët dhe avanturierët e çdo ngjyre. Esad Toptani gëzonte mbrojtjën e Serbo-Malazezëve dhe të të gjithë armiqëve të Shqipërisë.

"SHQIPËRINË RUAJE ZOT NGA SHQIPTARËT"!-Faik Konica.
" SHQIPËRINË RUAJE ZOT NGA TRATHËTARËT"!-A.C.
Agim Curri, sociolog
Identifikuar
Kallmeti & Lek Gjoka
Administrator
Hero Member
*****
Gjinia: Mashkull
Postime: 1010

albkallmeti@msn.com lgjoka2002@yahoo.com
Shiko Profilin WWW Email
« Pergjigju #1 : Maj 18, 2009, 02:20:48 MD »

Nje vertete izot Luigj Bumci dhe familja e tij kaloi pothuajse shumicen e jetes ne Kallmet ku edhe u varros ne kishen e madhe ne Kallmet te madh  kishe ku jane varrosur shume ipeshk
Identifikuar
Kallmeti & Lek Gjoka
Administrator
Hero Member
*****
Gjinia: Mashkull
Postime: 1010

albkallmeti@msn.com lgjoka2002@yahoo.com
Shiko Profilin WWW Email
« : Maj 18, 2009, 01:58:06 MD »

Konferenca e Paqes 1919, Kur Papa Benedikti XV mbrojti Korçën e Gjirokastrën nga grekët

» Dërguar më: 17/05/2009 -
ÁT VITOR DEMAJ

Po i paraqesim lexuesit një dokument historik që paraqet fakte që sot shumë pak dihen ose anashkalohen, rreth asaj se çfarë ndodhi në Konferencën e Parisit në vitit 1919 në lidhje me kufijtë e Shqipërisë. Kjo është një leter e Emzot Luigj Bumçit aso kohe ipeshkëv i Lezhës që ja dërgon redaksisë së revistës “Hylli i Dritës” në vitin 1934 për botim. Kjo letër hedh dritë mbi ndërhyrjen që bëri Papa Benedikti XV pranë ambasadorve të Anglisë e të Amerikës, duke i shpëtuar nga aneksimi që deshi t’u bëj Greqia dy krahinave shqiptare: Korçës dhe Gjirokastrës.
Në konferencën e Parisit kishin shkuar shume delegacione shqiptare si përfaqësues të Shqipërisë. Këto delegacione nuk arritën të bashkohen për të pasur një delegacion të vetëm, pse ishin të gjithë të përçarë sepse i përkisnin rrymave të ndryshme politike që në atë kohë kishin dëshirë dhe ambicje të merrnin drejtimin e vendit. Atëherë u vendos që si përfaqësues i të gjithë shqiptarve të ishte Emzot. Luigj Bumçi me delegacionin e tij që përfshinte të gjithë shqiparët e të gjitha krahinave. Si sekretar u vendos Át Gjergj Fishta që me këtë rast pat pergatitë edhe fjalimin e famshëm “Të drejtat e Shqipnisë dhe kufijtë e saj”.
Kjo dëshmi e Ipeshkvit Luigj Bumçit që u botua në të perkohshmen françeskane nuk u kundërshtua nga ata pjestar që kishin marrë pjesë në delegacionin për në Konferencën e Parisit, ku disa prej tyre ishin ende gjallë kur u bë publike kjo dëshmi historike. Kjo gjë e përforcon edhe më, dhe e verteton si një fakt historik të ndodhur ashtu siç na e difton Emz. Luigj Bumçi, protagonisti kryesor i atyre ngjarjeve jetike për vendin tonë.
Sigurisht mund të themi se ndërhyrja e Benediktit XV për të mbrojtur Korçën dhe Gjirokastrën nga rreziku grek nuk u bë për arsye fetare, pse sikurse dihet këto dy krahina ishin me shumicë myslimane, por nga drejta natyrore që çdo kombë ka për kufijtë e vet.
Selia e Shenjtë dhe “çeshtja shqiptare”
Përpara se të kalojmë të ekspozimi i letrës – dokument, duam t’i hedhim një veshtrim sintetik historisë së Shqipërisë në marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, ku vërejmë se kjo nuk është hera e parë e as e vetme që një Papë ndërhyn në mbrojtje të çeshtjes shqiptare. Kjo mbështjetje e Selisë së Shenjtë vinte edhe nga fakti se Shqipëria ishte një vend me fe katolike dhe që kishte pësuar një kalvar të dhimbëshem për këtë identitet, jo vetëm për këtë, por kjo ndihmesë morale, politike e kulurore donte të tregonte se çdo popull dhe kombë ka të drejtë të vetëqeveriset dhe të jetoj i lirë në trojet e veta, të këtë gjuhën, zakonet dhe historinë e tij.
Papët në mbrotje
të pamvarësisë
territoriale
Po lëmë jashtë vështrimit kohën e lavdishme të fatosit kombëtar Gjergj Kastriotit ku pati mbështjetjen e disa Papëve përkatësisht katër Papëve. Mbas pushtimit turk Shqipëria u fut në një labirint vuajtje, persekutimi fetar dhe mjerimi më shumë se sa popujt e tjerë të Ballkanit. Por as në këto kohë të zymta nuk u harrua nga Selia e Shenjtë, dhe gjatë kësaj periudhe ne konstatojmë se mbështjetja e Papëve nuk i mungoi dheut të arbënit, pra është e lidhur ngushtë me pavarësinë tonë kombëtare.
Po e rreshtojmë këtu sa më shkurtë disa fakte konkrete në lidhje me këtë çeshtje.
Papa Pio V në vitin 1571 mendon të emëroi një kardinal për Shqipërinë, dhe i jep si mbrojtës kardinalin Santoro që të merret me çeshtjen shqiptare. Pas këtij emërimi kemi emërimet e disa kardinalëve tjerë që të merren më problemin e Shqipërisë pra për lirimin e saj nga pushtuesi anadollak. Gregari XIII viti 1584 mendon për lirimin e Shqipërisë nga zgjedha azijatike, ndersa Papa Klementi VIII në vitin 1593 merr parasysh lutjen që i bëjnë krenët e Shqipërisë për liri dhe në vitin 1595 jep një shumë të hollash për realizimin e këtij qellimi. Po ashtu në vitin 1597 anijet e Papës me ato të Venedikut mundohet të lirojnë Vlorën nga kthetrat osmane. Ndërsa Papa Pali V në vitin 1603 ia rekomandon mbretit të Spanjës Filipit III çeshtjen e lirisë tonë si dhe i porositë dy të dërguar nga Shqipëria që kishin shkuar për këtë çeshtje. Urbani VIII në vitin 1624 grish Patriarkun e Ohrit që të bashkohet me të në luftë kundra Turkut. Gjithashtu në vitin 1684 Papa sëbashku me anijet e Venedikut mundohen me i ardhë në ndihmë Shqipërisë e lirojnë Prevezen. Papa me gjak shqiptar në vitin 1711 ndërmjetson pranë Republikës Veneciane për me i ardhë në ndihmë malsorve të Kelmendit që po luftojshin për liri. (Shih revisten Leka 1937, 457 – 460). Edhe mbas këtyre viteve deri në 1912 nëse konsultojmë analtet e Urdhërit Françeskan si dhe ato të Selisë së Shenjtë, kronikat e ndryshme, ditarët e disa misonarve, hasim në shumë raste të tjera ku Papët intersohen për çeshtjen shqiptare, për gjendjen e saj shoqërore, kulturore e territoriale.
Ndihmesa e Papëve në përhapjen e kulturës shqiptare
Në këtë paragraf të shkurtër duam të sjellim në kujtesën tonë ndihmesën e vyer që dha Selia e Shenjtë për perhapjen e Kolegjeve, shkollave shqipe si dhe botimin e librave po në këtë gjuhë përgjatë shekujve jashtë kufijve të tokës arbnore. Për punën e madhe që bënë kleriket e Kishës Katolike e në veçanti misonarët françeskan për perhapjen e kultures dhe të shkollave shqipe në Shqipëri gjatë pushtimit osman, meriton një studim të gjatë e një trajtim në vete. Një herë tjetër do të merremi me këtë.
Në vitin 1577 kemi Kolegjën e ritit grek themeluar në Romë edhe për shqiptarët arbëreshë prej papës Gega XIII. Po në vitin 1584 – 85 ky Papë mendon edhe per një Seminar shqiptar në Bari e Leçe ku gjendeshin shumë shqiptar të shpërngulur nga dheu i tyre. Mbas kemi themelimin e Kolegjës Ilirike të Loretit, e rithemeluar nga Urbani VIII në vitin 1627 edhe për shqiptar. Po ashtu i njëjti Papë me datë 17 dhjetor të vitin 1631 me një breve të posaçme mkambi rishtas Kolegjën Baziliane në Romë. (Shih: Hylli Dritës, 1921, n. 4, fq. 163) po ashtu kemi edhe themelimin e Kolegjës Ilirike e Fermos nga Aleksandri VII në vitin 1631.
Ndërsa në Himarë çilen dy shkolla njera nga Klementi IX 1670 e tjetra prej Klementit X. Papa Klementi XI me origjinë shqiptare jep një shumë të hollash për shqiptarët në Kolegjën e Propagandës. Në Romë në kuvendin Françeskan San Pietro in Montorio me 20 prill 1711 u vendos me urdhër të Papes Klementit XI të jepej si gjuhë mësimi edhe gjuha shqipe per misionarët qe do te vinin në Shqipëri. Si fryt i kësaj iniciative u shkrua Gramatika e parë shqip në vitin 1716 nga P. Françesko Maria Da Leçe. (Shih: Hylli i Dritës, vitit 1931, n. 4, fq. 217 – 218; Hylli i Dritës, 1933, n. 5-6, fq. 239). Në Palermo ku janë të vendosur shumë arbërsh u themelua Kolegja në vitin 1730. Kemi edhe Kolegjën e Ulanos të hapur në vitin 1732 prej Klementit XII, italo-shqiptar nga nëna. Në vitin 1740 Klementi XII duke çuar në vend dëshirën e Klementit XI themeloj kolegjën italo-shqiptare di San Adriano në S. Demetrio Corone. (Hylli i Dritës, 1921, n. 4, fq. 163). Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Kolegjën e Grottaferratës në Romë, ku në bibliotekën e saj ruhen edhe dorëshkrime në gjuhën shqipe, etj.
Jo vetëm në hapjen e shkollave, seminareve për shqiptarët, por Selia e Shenjtë dha një ndihmesë të çmuar edhe në botimin e librave shqip në atë kohë kur Shqipëria lëngonte e robëruar nën Turqi. Propaganda Fide (Propaganda e Fesë) e themeluar në Romë në vitin 1622 dha një ndihmesë të madhe dhe deçizive për botimin e librave në gjuhën shqipe, kjo ndihmesë vashdoi për gati pesë shekuj. Për botimin e librave në gjuhën shqipe mund të themi shkurtazi se kemi më shumë se 31 libra të botuar me anë të shtypshkronjës së Propagandës në Romë, duke filluar që nga viti 1618 me Budin, Mons. Fr. Bardhin, me Fra Françesko Maria Da Leçe, etj. Të gjithë këto libra kanë një rëndësi të madhe për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kombëtar të Arbnorve. (Shih revisten Leka 1937, 460 – 461).
Në shikim të parë mund të duken shumë pak 31 libra të botuar në atë periudhë për kohën që jetojmë sot, por për atë kohë për çdo botim në gjuhën shqipe ose edhe nëse të gjenin libra në gjuhën shqipe rrezikoje jetën dhe përsekutime nga më të ndryshme.
Kjo që thamë më lartë është thjeshtë një penelatë nga ajo që mund të shkruhet mbi ndihmesën dhe kontributin që Papët dhe Selia e Shenjtë i dhanë popullit shqiptar nëpër rrjedhat e historisë së tij.

Nji fletë e ré në historín kombtare

Ndolljen me tana rrethanat, si tregon shkresa, të cilen, fjalë për fjalë ktû po e botojm, patem rasë me ndie mâ se nji herë prej sa misvet të dergatës shqyptare në Paris. Kshtu flitte i ndyeri Luigj Gurakuqi, kshtu na e verteton Drejtori i jonë Á. Gjergj Fishta, at herë sekretár i Dergatës, e kshtu, pat mirsín, si mbas kerkesës s’onë, me na e vertetue edhe me shkrim i Përndritshmi Emz. Luigj Bumçi, at herë kryetár i dërgatës shqyptare në Konferencën e Parisit. Per randsí qi ká ky dokument në historín e ndertimit t’onë porsì shtet e per skjarim të sa paragjykimevet të tashme e t’ardhshme mbi kontributin e klerit katolik per çashtjen kombtare, teksualish i a njohtojm publikut shkresat e çmueshme qi kemi në dorë. Ky dokument ka randsí nji herë mâ të madhe, kurse Korçë e Gjinokaster nuk janë vise të banueme prej katolikve. Sh. R.

Fort i Nderti Át
Ma falni, Ju lutem, pse vonova me i pergjegjë letres s’Uej, me të cillen më lypshi si pat rrjedhë puna se pështoj Korça e Gjinokastra nga akordi Tittoni-Venizelos – akord i cilli ja lëshonte Greqís te dyja provinçet shqyptare të siperpermendme.
Qe si ndolli puna:
Qyshë në Qershuer të vjetës 1919 kjeçë zgiedhë Kryetár i Dergatës s’Onë në Paris.
Me 9 Tetuer t’asajë vjete fletorja “il Giornale d’Italia” lajmon çiltas se “mas akordit Tittoni – Venizelos dy Provinçiet Shqyptare, Korça e Gjinokastra do t’i epen Greqís”. Dergata e jonë at herë me të shpejtë i paraqiti Konferencës së Pagjës nji protestë kundra ktí akordi.
Me 9 Nanduer 1919 po ajo Gazetë boton prep ato fjalë, d.m.th. mas akordit Tittoni-Venizelos Korça e Gjinokastra do t’i dorxohen Greqís.
At kohë Dergata e jonë më ngarkoj me u pa me Z. Tittoni-n qi ndollej në Paris mas hikjes së Z. Orlando-s e Sonnimo-s, qi ishte Kryetár i Dergatës italiane. Edhè une u takova me tê, por gjâ konkrete prej bisedimit nuk mujta me xjerrë.
Në mbledhje qi Dergata mbajti n’e nesre, ja diftova gjith misvet bisedimin me Z. Tittoni-n.
Prep me 9 Dhetuer 1919 fletorja “il Giornale d’Italia” e persritë po ato fjalë mbi Korçen e Gjinokastren. N’at kohë Z. Tittoni nuk gjindej në Parisë, e vendin e tí e kishte xânë Z. Scialoja.
Shkova edhè te ky, por pa kurrfarë rezultati.
Ishte, per sá mbajë mênd, 21-22 Dhetuer 1919 kurse në mbledhje qi patme, të gjith misat e Dergatës, e nder ta ma i nxeti e ma i pari, e ndieri Z. Myfid Libohova, m’u lutne t’a bâjshe nji sakrific per atdhen t’onë e t’u nisëshe për Rome, ku të bâjshe çë mos per me pase audjencë prej Shêjtnís së tij Papës Benedikt XV. Atí të Ja parashtrojshe gjendjen e rrezikshme të dy provinçeve t’ona, Atí t’i lypshe ndimë qi Shêjtnija e Tí t’i pështonte.
Ju pergjegja shokve n’at mbledhje se lutja n’at punë nuk kishte vênd, se çashtja e Shqypënís ishte çashtja e të gjithve bashkë e e secillit nder né: prá kjè se Dergata e shef të nevojshme qi une si Kryetari i sajë t’a bâj udhtimin per Romë, ket udhtim e kam me detyrë. Kështu u vêndue qi unë bashkë me Z. Mehdi Frasherin t’u nisëshim per Romë.
Me 26 të Dhetorit u nisme e me 28 mërrime në kryeqytetin e Italís.
S’kaluen trí kater dit xora audjencën e u gjeta perpara Shêjtnís së Tij Papës Benedikti i XV.
Bisedimi nuk kjè i gjatë, kjè i shkurtë mjeft, por edhè pse i shkurtë kje i mjeftueshem per qellimin t’onë.
Si ja diftova pse kishe marrë udhtimin per Romë, e pse u gjindëshe perpara Shêjtnís së Tij, kuvêndin e mbylla me kto fjalë: “tesh pra, Shêjtní, të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica âsht mysliman, më kan çue ktu perpara Shêjtnís s’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqn t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndihmen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqyptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos”.
Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e me tha: Po shka të bâj per Ju? Me Italí s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrëdhanjet janë këput – shka të bâj?
Mora guxim e i pergjegja: A m’epni lejen me folë, Shêjtní? Fol, fol me tha, shka të kesh me thanë thueje. Un kishe me thanë, Shêjtní, se bota s’ká metë vetun në Italí e në Francë; - ká në botë edhe Anglí Shtete te Bashkueme t’Amerikës. Bani buzën në gaz, e me i’herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglís, masnesri me atê të Shteteve të Bashkueme; e po t’ap fjalen se me te dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me bâ shka të mundem per me Ju ndihmue. Zoti ká m’e bâ mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e atý kû s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kênë.
Une at herë qi kishe bâ gati nji memorandum per me ja lânë, tuj e nxjerrë prei xhepit e tuj e mbajtë në dorë: Shêjtnija e Juej i thaçë, ká punët e botës marë, e prandej a kam lêjen me Ju lanë ket memorandum qi mos t’a harroni çashtjen t’onë? Po, po, lêne ktu pse nuk kam m’e harrue. U çova e i rashë ne të dy giûjt. Ju fala nderës sá mujta, e si mora bekimin, at herë dola krejt i kënaqun e shkova tuj mêndue me vedi: A thue po na shkon kot ky udhtim qi prej Paris-it bâme deri ktu? Gjith kjo shpresë qi fjalët e Shêjtnís së Tij më njallne në zemër, a mundet me më rrêjtë? Jo, jo s’mundet me kênë kurr. Sa dola prej Vatikanit u poqa me Z. Mehdi Frasherin të cillit ja diftova fjalët qi më tha Benedikti XV, edhè ky Zotní met faret i kënaqun tuj shpresue se me nderhymje të Papës Korça e Gjinokastra kishin pështue.
Me gjith kto shpresa të mira në zemër, kthyeme në Paris ku me padurim po na pritëshin shokët.
Kur u mblodhme ne zyren e Dergatës, i parashtrova shkurtazi nji ekspozé të misjonit t’onë në Romë, e kur në fund u diftova bisedimin e Shêjtnís së Tij, e si na dha fjalen se do t’u mundote per çashtjen t’onë, per të cillen kishte çfaqë qyshë në fillim nji interesim të madh, fjalët e mbrame të Shêjtit Át Papë i priten në kambë me brohorí të madhe e me duertrokitje britne të gjith nji zâni: Rroftë Papa! Korça e Gjirokastra kan pështue: e pështuene pernjimend.
Kjo âsht rrjedhja e vertetë. Kjo âsht nji faqe e historís s’onë.
Kallmet 30 Mars 1934

 LUIGJ BUMÇI
IPESHKVI I LEZHËS (Ku shumicen e jetes ai dhe familja e tij e kaloj ne Kallmet dhe gjithmone ai e quante vetem  kallmetor (l.gj.))

(Marrë nga revista françeskane: Hylli i Dritës, 1934 vj.X – Mâj - nr. 5, fq. 219-222).
« Ndryshimi I Fundit: Maj 18, 2009, 02:08:53 MD nga Kallmeti » Identifikuar
Faqe: [1]
  Printo  
 
Shko te:  

Mundeshuar nga MySQL Mundesuar nga PHP Powered by SMF 1.1.15 | SMF © 2006-2008, Simple Machines XHTML 1.0! CSS!