|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Qershor 17, 2009, 06:38:50 MD » |
|
Pilulat hyjnë në qarkullimin e gjakut, kalojnë nëpër trup dhe veprojnë në indet dhe organet e trupit, njësoj si estrogjeni dhe progesteroni natyral. Por, hormonet në pilula janë sintetike dhe ato mund të kenë efekte anësore të shumta tek disa gra. Ndër efektet anësore më të shpeshta janë dy: hemorragjia dhe humbja e apetitit. Hemorragjia ndodh, zakonisht, gjatë ciklit të parë dhe të dytë me pilula dhe pas kësaj kalon. Kjo ndodh derisa uterusi të mësohet me nivelin e ri të hormoneve në trup. Në qoftë se hemorragjia nuk ndalon pas disa muajve, gruaja duhet të shkojë tek doktori dhe ai do të thotë nëse duhet ta ndërrojë pilulën në lloj tjetër, ose duhet të ekzaminohet për ndonjë problem tjetër. Hemorragjia nuk do të thotë se pilula nuk vepron si kontraceptiv.
Të përzierat janë një efekt anësor i hershëm i pilulave. Kjo ndodh sepse estrogjeni i pilulës ngacmon mukozën e stomakut. Të përzierat kalojnë brenda tre muajve. Në këtë rast, ndihmon ta marrësh pilulën me ushqim dhe të përdorësh barna antacide për stomakun. Në qoftë se këto shqetësime vazhdojnë, duhet vizitë tek doktori, ose të merret një pilulë tjetër me 20 mikrogram estrogjen.
Dhimbjet e kokës, depresioni, ndryshimet në dëshirën dhe në përgjigjen seksuale, vaginiti dhe sekrecionet vaginale, infeksionet e traktit urinar, ndryshimi i rrjedhjes menstruale, ndryshimet në gjinjtë, problemet me lëkurën, inflamacioni i gingivave të dhëmbëve, agravimi i astmës dhe të sëmuresh shpesh me sëmundje virale, janë të gjitha efekte anësore të pilulave, që nuk duhet ta alarmojnë gruan, por që duhet t'i diskutojë me doktorin.
Çdo problem që zgjat më shumë se dy ose tre cikle, duhet të raportohet menjëherë tek doktori. Simptoma të problemeve serioze janë: dhimbje të forta dhe ënjtje e këmbëve, dhimbje e fortë e kokës, marrje mendsh, dobësi, mpirje, turbullim i pamjes, probleme me të folurën, dhimbje gjoksi, marrje fryme, dhimbje barku. Këto duhet t'i tregohen menjëherë doktorit dhe gruaja të ndalojë, menjëherë, marrjen e pilulave.
Komplikacionet më serioze, që lidhen me marrjen e pilulave për kontrollin e lindjes, janë komplikacionet kardiovaskulare dhe sëmundjet e qarkullimit të gjakut, përfshi dhe trombet e gjakut. Trombet janë, veçanërisht, të rrezikshme, sepse ato kalojnë në largësi dhe vendosen në vende me rëndësi. Në gratë e shëndetshme, estrogjeni dhe progrestina nuk influencojnë shumë në formimin e trombeve.
Sëmundjet kardiovaskulare, përfshi dhe trombet e gjakut, shfaqen më shpesh tek gratë:
Që tymosin duhan; Që bëjnë jetë sedentare; Që janë mbi peshë; Që janë mbi 50 vjeç; Që janë me tension të lartë; Që janë diabetike; Që kanë histori të sëmundjeve të zemrës ose vaskulare; Që e kanë të lartë nivelin e kolesterolit në gjak.
Sot, ka në shitje pilula të reja që kanë doza më të vogla dhe kanë efekte më të vogla në formimin e trombeve. Ato kanë më pak rreziqe, krahasuar me pilulat e mëparshme, për gratë që nuk kanë asnjë nga faktorët riskantë për sëmundjet kardiovaskulare që rreshtuam më sipër. Po qe se gruaja ka ndonjë nga faktorët që predispozojnë për sëmundje kardiovaskulare, pilulat e kombinuara mund të mos jenë për të. Po qe se nuk ka, rreziku nga këto pilula është shumë i vogël.
Ka disa teste, që e ndihmojnë doktorin të parashikojë se cila grua nuk do të bëjë trombe kur përdor kontracepsionin hormonal, por nuk ekziston asnjë test që të parathotë se kush do të bëjë trombe kur merr pilulat. Si me shumë vendime lidhur me shëndetin, biseda e ndershme me doktorin, lidhur me historinë shëndetësore të gruas, është mënyra më e mirë për të marrë vendime të drejta për përdorimin e pilulave.
Shumë gra shqetësohen nga frika e trombeve, kur përdorin pilulat. Ka disa shenja lajmëruese që tregojnë për trombe. Ja disa prej tyre:
Dhimbje barku; Dhimbje gjoksi, marrje e frymës; Dhimbje koke (veçanërisht dhimbje të reja, të forta, që shoqërohen me marrje mendsh, vështirësi në të folur, të fikët, mpirje, dobësi në anësi); Probleme me sytë (pamje e mjegull ose humbje e pamjes) Dhimbje të forta në këmbët (skuqje dhe ënjtje e pulpës dhe kofshës). Kush provon këto simptoma, duhet të kërkojë ndihmë mjekësore menjëherë.
Duhen, zakonisht, një deri tre muaj, që trupi të fillojë të prodhojë hormonet e tij përsëri pas ndërprerjes së pilulave. Gjatë kësaj kohe, cikli menstrual i gruas do të kthehet në gjendjen para përdorimit të pilulave. Menstruacionet do të jenë siç i kishte më parë. Po qe se periodat ishin të çrregullta përpara fillimit të pilulave, gruaja përsëri do të ketë perioda të parregullta, pasi t'i ndërpresë pilulat. Po qe se kishte perioda të rregullta, ajo do të kthehet përsëri në një cikël normal. Asnjë rritje e ngërçeve ose shfaqje e hemorragjisë nuk do të ndodhë duke lënë pilulat. Thjesht, trupi do të shkojë në gjendjen e parë.
Gra të ndryshme raportojnë "efekte anësore" të ndryshme, pas ndërprerjes së përdorimit të pilulave. Mund të ketë pak dobësi, lodhje, pak dhimbje koke për pak ditë. Të tjera shfaqje mund të jenë të përzierat dhe forcimi i gjinjve. Këto ndryshime ndodhin nga ndryshimet hormonale. Ato mund të ndodhin edhe nga shqetësimi i gruas ngaqë i la pilulat.
Mund të ketë ndryshime në peshë, sepse pilulat me shumë estrogjen mund të shkaktojnë rritjen e peshës nga retencioni i ujit në trup. Kur ndërpritet marrja e pilulave, do të vihet re një rënie e vogël në peshë, pasi ulet retencioni i ujit.
Grave që marrin pilula për kontrollin e lindjes, u ndalohet rreptësisht të tymosin duhan. Tymosja e duhanit ul efektivitetin e pilulës dhe rrit rrezikun e atakut në zemër, në tru dhe formimin e trombeve. Ky rrezik është më i lartë, veçanërisht, për gratë mbi moshën 35 vjeç dhe që tymosin 15 ose më shumë cigare në ditë. Pilulat për kontrollin e lindjeve nuk mbrojnë nga HIV-i ose sëmundje të tjera infektive seksuale (SIS). Për t'u mbrojtur nga transmetimi i SIS-it, duhet të përdoret kondomi, së bashku me pilulat.
Pilulat për kontrollin e lindjes duan pak kohë që të veprojnë. Kështu, pilulat janë efektive, në shumicën e grave, pas shtatë ditëve. Rekomandohet që gratë të vazhdojnë përdorimin e një forme tjetër kontracepsioni, ndërkohë që vazhdojnë me paketën e parë të pilulave. Gratë këshillohen t'i lënë pilulat në paketën e tyre origjinale, sepse kjo i ndihmon ato që t'i marrin rregullisht. Kjo është me shumë rëndësi, sepse pilulat duhet të merren në kohën e duhur (jo më shumë se 24 orë larg njëra-tjetrës). Për të evituar vonesat në marrjen e mjekimit, gratë këshillohen të kenë gjithnjë edhe një kuti rezervë dhe ta zëvendësojnë atë çdo muaj. Ato duhet të kenë, gjithashtu, një furnizim të përshtatshëm kur udhëtojnë në vende ku nuk do të gjejnë dot pilula.
Gratë që përdorin pilula antikonceptive, duhet të vizitohen tek gjinekologu një herë në vit. Kontrollet e tyre duhet të përfshijnë matjen e tensionit të gjakut, ekzaminim e gjinjve dhe të organeve pelvike, si dhe pap-testin. Disa gra mund të duhet që të bëjnë vizita më të shpeshta, kjo varet nga shëndeti i tyre gjinekologjik.
Gratë duhet të ndërpresin menjëherë marrjen e pilulave për kontrollin e lindjes, po qe se mbeten shtatzëna, kjo bëhet me qëllim që të parandalohen pasojat serioze tek fëmija në bark.
Gratë që sapo kanë lindur fëmijë dhe që nuk i ushqejnë fëmijët me gji, mund t'i fillojnë pilulat dy javë pas lindjes. Pilulat që përmbajnë estrogjen nuk rekomandohen për nënat që ushqejnë fëmijët me gji, sepse ato pakësojnë sasinë dhe kualitetin e qumështit dhe fëmija e merr estrogjenin me qumështin. Disa doktorë përshkruajnë pilula vetëm me progrestine për nënat që ushqejnë fëmijët me gji, por studimet më të fundit kanë treguar se kjo praktikë mund të rritë rrezikun e gruas për diabet. Duhen akoma studime për këtë çështje. Pilulat për kontrollin e lindjes ndihmojnë edhe në mjekimin e disa gjendjeve shëndetësore të tjera.
Arsyeja më e zakonshme për të marrë pilulat e kontrollit të lindjes, siç e thamë, është të parandalohet shtatzënia. Ndërkaq, ka disa gjendje që mjekohen me kontraceptivët oralë. Këto gjendje janë:
Amenorea - Mungesa e menstruacioneve; Dismenorrhea - Menstruacionet e parregullta me dhimbje; Hypermenorrhea - Gjakosje menstruale të shumta; Hyperandrogenismi - Superprodhim i hormoneve mashkullore, zakonisht, nga ovaret; Hirsutismi - Rritje anormale e flokëve tek femrat, zakonisht, në qafë dhe fytyrë. Pilula nuk pakëson ose nuk eliminon flokët ekzistuese, por parandalon ose të pakëson rritjen e të tjerave. Pacientet, që marrin pilulat për kontrollin e lindjes për këto gjendje, zakonisht duhet të presin gjashtë deri 12 muaj që të shohin ndonjë pakësim të rritjes së flokëve.
Syndromi ovarian polycystik - Një grupim simptomash, që përmbledh shumë nga të më sipërmet (amenorrhea, hirsutismi dhe hyperandrogenismi), po ashtu infertiliteti dhe formimi i cysteve të vogla ovariale. Endometrioza - Një gjendje me dhimbje, në të cilën, shtresa e brendshme e uterusit rritet jashtë tij, më shpesh në organet e tjera riprodhuese të gruas. Pacientet që marrin pilula kundër lindjes për endometriosis, mund të kenë nevojë të ndjekin porosi të tjera, që nuk shkruhen në paketë. Në vend që të marrin pilula për 21 ditë dhe pastaj të bëjnë një pushim prej shtatë ditësh, pacientet mund të këshillohen të marrin një paketë tjetër 21-ditëshe, menjëherë. Duke e bërë këtë vazhdimisht, parandalohen menstruacionet, që janë shumë të dhimbshme. Periodat e parregullta. Hemorrhagia uterine disfunksionale (DUB) - Hemorragji jo normale nga vagina, që shfaqet gjatë ciklit menstrual pa ovulacion. Aknet.
Gratë që nuk i marrin dot rregullisht pilulat e kontrollit të lindjes, mund të përdorin një formë me dozë të lartë, që përdoret një herë në mënyrë urgjente, po qe se kanë bërë seks të pambrojtur dhe nuk duan të mbeten shtatzëna (kontracepsioni urgjent). Sot përdoret levonorgestrel (Plan B) pa recetë, për gratë 18 vjeç dhe lart. Levonorgestreli, përgjithësisht quhet dhe "pilula e mëngjesit tjetër". Ajo përmban doza të larta të të njëjtëve ingredientë që kanë edhe pilulat e rregullta të kontrollit të lindjes. Ato merren brenda 72 orëve nga seksi i pambrojtur. Gratë këshillohen ta marrin pilulën me ushqim, për të evituar përzierjen dhe të vjellat. Ndërkaq, kjo metodë nuk ka efekt, po qe se merret më shumë se njëherë brenda një muaji, ose kur gruaja është shtatzënë. Pyesni doktorin para se të përdorni pilulat për kontrollin e lindjes.
Përgatituni përpara. Kështu do ta bëni diskutimin me doktorin më me kuptim. Është mirë të sqarohen këto pyetje:
A janë të sigurta për mua pilulat për kontrollin e lindjes? Cili tip pilulash do të ishte më i mirë për mua? Cilat janë rreziqet që shoqërojnë përdorimin e pilulave? A mund të përdor pilula për kontrollin e lindjes me cikël të zgjatur? A duhet t'i marr pilulat, ekzakt, në të njëjtën kohë çdo ditë? Çfarë duhet të bëj po qe se nuk e marr një pilulë? A mund të marr disa pilula të zakonshme, menjëherë, si formë e kontracepsionit urgjent? Cilat janë fenomenet anësore më të zakonshme nga pilulat e kontrollit të lindjes? Cilat efekte anësore kërkojnë kujdes mjekësor? Cilat barna e pakësojnë efektivitetin e pilulave për kontrollin e lindjes? Për sa kohë duhet të marr pilula për kontrollin e lindjes, përpara se ato të fillojnë të kenë efekt? Sa shpejt pas ndërprerjes së pilulave të kontrollit të lindjes, mund të mbetem shtatzënë?
|