|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Korrik 20, 2009, 10:16:35 PD » |
|
Luciana Simoni: Ju rrefej pengjet e Gjonit » Dërguar më: 20/07/2009 - Fatmira Nikolla
Jeta e një artisti me emër nuk është ajo plot shkëlqim që na bën të besojmë televi zori. Përtej pamjes së jashtme, ka dhimbje e brenga, shqetësim dhe pengje. Ka luftë për të mbijetuar dhe dëshira që mbeten të tilla deri në vdekje. Një jetë e tillë është edhe ajo e kompozitorit shkodran, Gjon Simoni. I rritur në një familje qytetare shkodrane me tradita, në lagjen e Migjenit, pranë familjes së Luigj Gurakuqit dhe kushëri me Mikel Koliqin, mbase fati i tij ishte i paracaktuar. Gjon Simoni do të bëhej një artist i madh. Do të kompozonte shumë pjesë muzikore që do të luheshin nëpër koncerte, do të realizonte muzikën e disa filmave. Por, jo vetëm kaq, falë punës së tij të përkushtuar në Akademinë e Arteve dhe në Radio Tirana, mbi të mbi të gjitha do të ngrinte lart emrin e tij. Por, ka 10 vite që ai është ndarë nga jeta, edhe pse para kohe. Një dhjetëvjetor përkujtimor për Gjon Simonin është mbajtur me një koncert. E shoqja, Luçiana, na rrëfen momentet më të bukura me të. Për të, 10 vite pa Gjonin nuk kanë qenë të lehta. Ajo thotë se jo vetëm familja e ka ndjerë mungesën e tij, por edhe miqtë e dashamirësit e artit. Ditët dhe vitet ikin duke lënë pas vetëm kujtime, një relike e shkëputur nga shpejtësia me të cilën koha kalon mbi ne duke lënë gjurmët e saj. Herë pas here, teksa koha nxiton, merr me vete edhe thesare, siç shumëkush do ta quante Gjon Simonin. Megjithatë, edhe njeriu largohet, vepra jeton dhe mbetet në duart e të tjerëve. Gjon Simoni u lind më 8 shkurt 1936, dhe vdiq më 2 korrik 1999. Muzikant me formim të gjerë shumëformësh, kompozitor, orkestrues, teoricien, pedagog, drejtues e organizator, dhe të gjitha këto cilësi me kompetencë dhe profesionalizëm të thellë. 10 vite pa bashkëshortin tuaj. Si ndjeheni? Unë ka momente që akoma nuk e besoj se ai ka ikur për të mos u kthyer më. Megjithatë, më vjen mirë që miqtë e tij më të mirë, institucionet ku ai ka punuar, nuk e kanë harruar dhe në çdo përvjetor mblidhen për ta përkujtuar. Akademia e Arteve, Teatri i Operas dhe RTSH-ja, ku ai ka dhënë kontributin e atij artistik, nuk e kanë harruar. Për mua ky është një nder i madh dhe jo vetëm për mua, por edhe për vendin, artin e kulturën. Dihet që njeriu fizikisht vdes, por vepra e tij jeton. I jam shumë mirënjohëse miqve dhe dashamirësve që e kujtojnë. Ka salla që kanë emrin e tij, dhe kjo më bën të ndihem akoma më mirë, sepse kjo për mua do të thotë që ai akoma vlerësohet. Një ndër momentet më të vështira është që gjatë përvjetorëve unë jam nëpër koncertet e tij vetëm, e në fakt do doja të isha me të në krah. Ndihem keq kur miqtë e tij që më gjenden pranë, më thonë "sa keq që iku Gjoni, sa plane dhe mendime kishte për artin dhe kulturën". Ai ishte akoma në gjysmën e krijimtarisë së tij, sepse për të nuk kishte kurrë pushim. Sapo mbaronte një vepër, ai fillonte një tjetër. Ishte një njeri që e dashuronte artin, dhe donte të punonte e t'i jepte atij. Një sërë koncertesh janë dhënë në nder të tij, ku janë luajtur pjesët më të veçanta të krijimtarisë së kompozitorit Gjon Simoni. Ai ka qenë kompozitori që shkroi të parin "Requiem" e që i është dedikuar Nënë Terezës. Na flisni pak për këtë. Koncerti "Requiem" është interpretuar në 1-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës dhe pothuajse një vit para se ai vet të ndahej nga jeta. Më 26 shkurt 1998 është ekzekutuar për herë të parë "Reuqiemi" i parë shqiptar. Mendoj se edhe për Shqipërinë ka qenë një ngjarje e rëndësishme kulturore, sepse nuk ishte interpretuar më parë ndonjë requiem, përveç atyre të muzikantëve të njohur botërorë. Për fat të keq, ky requiem u bë edhe i tiji, sepse pas një viti edhe Gjoni u largua nga kjo botë. Kam shumë kujtime nga koha kur ai punonte për të. E dëgjoja herë pas here teksa luante në piano, dhe e pyesja përse po bën një requiem, sepse ai shkruante muzikë popullore, filmash, klasike, etj. Ai thoshte se e kishte për detyrë dhe ndjente kënaqësi që për nder të kësaj zonje e nëne të madhe si Nënë Tereza, të kompozonte diçka, si njeri i artit, si qytetar i Shqipërisë, por edhe si një i krishterë praktikant. Ai ka qenë edhe organist i kishës "Zemra e Krishtit" dhe ka krijuar korin e saj. Kompozitorët shkruajnë vepra, por jo të gjitha interpretohen. Shumë prej tyre mbeten të strukura nëpër sirtare duke pritur ditën e skenës. A la Gjoni dorëshkrime veprash e pjesësh muzikore? Përveç muzikës që ka lënë pjesë të vogla, ai ka lënë pa ekzekutuar muzikën e baletit "Migjeniana" ose "Bijtë e shekullit të ri". Kjo pjesë muzikore shoqëroi baletin "Migjeniana", që u vu në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, vetëm para dy vitesh. Por, në këtë kohë Gjoni kishte 8 vite që kishte vdekur dhe nuk e pa dot në skenë veprën e tij. Qe në fakt, meritë e Zhani Cikos që ai balet me muzikën e Gjonit të vihej në skenë. Ka qëndruar për 22 vjet në sirtar. Nuk e kam kuptuar tamam, pse u desh kaq kohë që ai të vihej në skenë, por kam përshtypjen se kjo ka ndodhur për faj të censurës. Mbase censura kishte të bënte me poetin Migjeni, por nga ai muzika nuk shoqëroi baletin për këtë shkrimtar. Ishte hera e parë që për një poet realizohej një balet, në një kohë kur Migjeni ishte në të gjithë librat e letërsisë sonë. Baleti nuk shihej me sy të mirë. Gjoni e punoi atë në disa variante, me koreograf Agron Aliajn, Engjëll Tërshanën dhe me Miltiadh Papën dhe për secilin prej tyre Gjoni përpunonte muzikën për t'ia përshtatur atyre muzikën. Anëtarë të familjes së Migjenit që jetojnë jashtë trevave shqiptare dhe mbesa e tij, Angjelina Luarasi e kanë parë shfaqjen dhe u ka pëlqyer shumë. Ai qe një poet me jetë të shkurtër, sepse vdiq shumë i ri, por pati një botë shpirtërore shumë të madhe dhe intelekt po aq të madh. Ai i ka lënë artit tonë perla në poezi, në prozë dhe në skica të vogla. Oleg Harapi, ish-student i Gjonit, në koncertin homazh të bërë për 10-vjetorin e Gjonit, ka luajtur disa prej veprave më të rëndësishme të Gjon Simonit. Ndër të tjera u interpretua "Ave Maria", si pjesë e veprave religjioze të tij. Kjo pjesë është ekzekutuar edhe në kishën e Monopolit, në Itali. Është luajtur "Simfonieta" e Gjonit, romanca "Përse". U interpretuan edhe disa këngë popullore ndër më të pëlqyerat e Gjonit, të cilat i zgjodha unë pasi ma kërkoi Oleg Harapi. Këto ishin "Fryn veriu", "Përmetare më jep ujë me dorën tënde", si edhe "Lule borë", të kompozitorit Simon Gjoni. Pas ndarjes së tij nga jeta, u interpretua edhe "Koncerti për katër fagota", që ndryshe i thoshin "shakaja labçe". Ky u interpretua dy ditë pas vdekjes së tij, sepse ishte gati dhe nuk arriti dot ta shihte. Një tjetër gjë që ai e la dorëshkrim ishte edhe libri për Kardinal Mikel Koliqin, i cili përveçse kushëriri i tij ishte edhe njeriu që qe nismëtari që e shtyu drejt muzikës. Aty nuk është trajtuar vetëm anën religjioze, por edhe jetën e tij në burg e më tej si muzikant. Kur në vitin 1999 Gjoni vdiq libri mbeti dorëshkrim. Mua më doli para detyra ta botoja dhe e bëra këtë në vitin 2001. Cilat janë momentet më të bukura që ju mbani mend nga jeta me të? Kur unë jam njohur me të kam qenë shumë e re, kur unë isha maturante. Jemi njohur në një rreth familjar, tek një mik i përbashkët. Duke qenë e vogël kur ne u njohëm, kemi pritur disa vite, deri kur unë mbarova shkollën e lartë, që të fejoheshim dhe të martoheshim. Kemi pasur diferencë moshe, por shpirtërore jo. E kam ndjerë si një shok, mik, bashkëshort. Për mua ishte njeri i pazëvendësueshëm. Për pak kohë, unë dhe Gjoni do të bënim 25 vjet jetë së bashku, por në atë kohë unë kam mësuar shumë nga ai. Ka qenë një njeri që dinte të donte familjen, shoqërinë dhe punën. E karakterizonte humori i hollë anglez. A ka mbajtur ditar ai dhe çfarë shkruan në të? Ai shkruante shpesh në darkë, pasi mbaronte punët e tij. Bënte një rezyme të ditës së tij, por kishte edhe një fletore kujtimesh, që e quante "Gjeografia e jetës sime". Unë nuk ia kam lexuar sa ishte gjallë, sepse kishim disa kode komunikimi me njëri-tjetrin, e përveç kësaj më thoshte që do t'i lexosh kur t'i mbaroj. Për sa i përket titullit, ai ia ka vënë atë, sepse ka lëvizur shumë në Shqipëri me punë të ndryshme, duke filluar nga Bushati, në Kukës, në Gjirokastër, në Durrës e në fund kur u martua, erdhi në Tiranë. Unë kam dëshirë që t'i botoj tregimet e tij. Aty ai ka folur për Gjirokastrën dhe qytetet e tjera ku ai ka shkuar, por edhe për ushtrinë në Elbasan dhe në Gramsh. Ai ka bërë një retrospektivë të jetës së tij. A mendoni se ka pasur pengje ai? Ai nuk para fliste për dhimbjet e veta, sepse nuk donte të më shqetësonte. Arti dhe krijimtaria do kohë dhe kushte. Kishte dëshirë të kishte një shtëpi. Ne jemi martuar dhe kemi jetuar ne hotele. Fillimisht lëviznim në hotele të ndryshme, më pas u vendosëm në një prej tyre, ku jetuam për disa kohë. Donte të kishte një dhomë të veten dhe hapësirë ku të merrte një piano e të punonte. Duke mos pasur këtë, ai shkonte e punonte në radio deri vonë. Por, një ndër pengjet e tij unë munda ta realizoj, e kjo ishte muzika e "Migjenianës". Shkonte herë pas here në opera dhe vinte e thoshte; "nuk e vënë, më duket se unë do vdes e kjo nuk do vihet në skenë". E kishte shumë qejf, sepse Migjeni kishte jetuar në të njëjtën lagje në të cilën kishte jetuar edhe Gjoni kur ka qenë i vogël. Ai është rritur në një familje qytetare shkodrane me tradita, dhe duke qenë në lagje me Migjenin, pranë familjes së Luigj Gurakuqit, dhe kushëri me Mikel Koliqin, kishte një kulturë të gjerë. Unë po mundohem të çoj në vend amanetet e Gjonit. Unë mendoj se ai kishte shumë plane. Gjithmonë thoshte: "Jam në gjysmën e krijimtarisë sime".
|