|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Gusht 16, 2009, 11:21:38 MD » |
|
Malet e harruara të Shqipërisë joshin turistët » Dërguar më: 16/08/2009 -
Benet Koleka & Kallmeti news
THETH-Një shekull më parë, një shkrimtare e famshme britanike që udhëtonte nëpër botë, ra në dashuri me shtëpitë e gurta tradicionale të fshatrave të largëta në veri të Shqipërisë, një zonë që është përmendur shpesh për izolimin e jashtëzakonshëm të saj. Thethi është po aq i ashpër e origjinal sa atëherë kur Edith Durham e vizitoi atë në vitin 1909. Pas një shekulli luftërash, regjimi stalinist dhe trazirash ekonomike, banorët e konsiderojnë largësinë e këtij fshati si një mënyrë për të tërhequr ata të huaj që duan të harrohen për pak, të arratisen nga bota. Shtëpitë tradicionale prej guri të Thethit, kullat, me çatitë e thikta prej druri janë vendosur në një luginë të gjerë ku shfaqen shtigjet që të çojnë drejt malit me pisha bredha e pemë të tjera. Majat arrijnë në 2,000 deri në to 2,694 metra, ku xhepat e borës nuk shkrijnë gjatë gjithë vitit. “Asnjë vend tjetër ku jetojnë njerëzit nuk më ka dhënë ndjesinë e izolimit magjik ashtu si Thethi”, shkruante në vitin 1909, Durham, një prej të huajave të para që e ka vizituar zonën. Vizitorët që kërkojnë natyrën e virgjër kalojnë pranë portretit të Durhamit, gdhendur në një reliev guri, ku janë shkruar fjalët “Mbretëresha e Malësisë” në rrugën nga Thethi drejt një kurore majash të larta. Së fundmi, turisti çek Andrej Rapant, babai i të cilit organizon udhëtime në Theth, ishte një prej atyre dhjetëra vetëve që kishin vendosur një tendë nën një pemë kumbulle pranë lumit. Ai erdhi në Shqipëri për të eksploruar malet, por edhe për të evituar turistët që mbushin alpet në Europën Perëndimore çdo verë. “Ne po kërkojmë natyrë të pastër, të virgjër dhe e gjejmë këtu në male. Gjithçka është origjinale”, - thotë ai. Pas disa gjeneratash harresë, banorët lokalë ishin skeptikë për potencialin turistik të zonës së tyre. Tre vjet më parë, ata i thanë një eksperti të GTZ-së që inkurajonte zhvillimin ndërkombëtar, se bisedat e tij për turizmin aty nuk ishin fjalë si për ndonjë planet tjetër. Në fakt, shumë banorë e kanë braktisur zonën së cilës i mungon energjia, shkollat, mjekët dhe ka një rrugë që bllokohet shpesh nga bora e shumë halle të tjera. Zyrtari i GTZ-së, Ismail Beka bëri një thirrje në televizion për të diskutuar për turizmin dhe ekspertët këshilluan banorët të përgatisnin shtëpitë e gurta për të pritur miqtë dhe për t’i ushqyer ata me mish, prodhime bulmeti, mjaltë dhe çaj. Oferta e turizmit Shtatë familje e pranuan ofertën prej 2,000 eurosh të GTZ-së për të vendosur krevate, dushe e për të rregulluar tualetet. Pas tri vitesh, të gjithë do të donin ta kishin pranuar atë. “Paratë ishin gjëja më e vogël që investuam këtu”, - thotë Beka. “Ne shpenzuam kohë dhe energji për të fituar zemrat e njerëzve, shumë u arrit me pakëz mundim. Rreth 5 mijë vetë e vizituan zonën vitin e kaluar”. Beka llogarit se 14 mijë eurot e investuara në fillim sollën rreth 100,000 euro shpenzime turistike në Theth, një shumë kjo që as nuk ishte imagjinuar nga banorët. “Rreth 90 për qind e turistëve janë të huaj. Shtëpitë e miqve në Theth kanë më shumë vizitorë se ato në resortet turistike pranë bregdetit. Duke na treguar shtëpinë e tij me tualete të rindërtuara sipas modelit gjerman, investim i GTZ-së dhe i tiji, një prej banorëve, Prek Harusha thotë se banorët nuk ndiheshin gati për turizmin, por se “fakti që këtu është klima më e mirë në botë” i ka ndihmuar shumë ata. Fëmijët e tij kanë mësuar anglisht dhe tani janë përkthyes të vizitorëve të huaj. 50 delet dhe dy lopët e tij sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për turistët e huaj që paguajnë 20 euro në dorë për një zgjedhje shumë të mirë të produkteve të freskëta. “Komunizmi e vonoi zhvillimin tonë për 100 vjet. Ka qenë tradita jonë të mirëprisnim miqtë, por kohët kanë ndryshuar e tani po e bëjmë këtë për para”, - tha Harusha. Arratisje e vërtetë Turistët mund të ngjisin majat e maleve, mund të vizitojnë një ujëvarë të vogël, kishën, mullinjtë dhe një kullë që shërbente dikur si një burg për ata që prisnin dënimin pasi kishin vrarë rivalët e tyre sipas një kodi nderi shqiptar që daton shumë shekuj më parë. Udhëtimi nga Tirana deri këtu zgjat tri orë e gjysmë dhe pjesa e fundit është ajo e një rruge të vështirë e të pistë. Një nga dy rrugët që të çojnë këtu është një përzierje e gurëve me baltën dhe daton në kohën kur italianët pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Izolimi i kësaj zone ka të mirat e të këqijat e tij. Tre të rinj çekë u zhdukën ndërsa vizitonin zonën tetë vjet më parë. Por, holandezi eksplorator Pieter Ovenduin thotë se largësia e bën atë të bukur. “Këtu arratisesh nga të gjitha. Këtu ngjit vetë malin dhe nuk zbulon në fund një kafene dhe parking në anën tjetër”. “Reuters”
|