|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Tetor 24, 2009, 12:47:39 PD » |
|
Milan Shuflaj, Pasioni i albanologut në 980 letra » Dërguar më: 18/10/2009 -
Dr. Musa Ahmeti Dr. Etleva Lala
Letërkëmbimi i albanologut kroat, Milan von Sufflay është i shpërndarë në shumë arkiva e biblioteka të Evropës. Një pjesë e vogël ruhet në Amerikë e Australi dhe disa letra të tjera të shkruara nga ai në koleksione private të disa personaliteteve të njohura kroate në Zagreb, Osjek e Dubrovnik. Deri me sot, me sa jemi të informuar ne, nuk është bërë një përpjekje për ta mbledhur, sistemuar e botuar këtë letërkëmbim më vlera të veçanta për albanologjinë në përgjithësi dhe në veçanti për historinë mesjetare shqiptare. Letërkëmbimi i Milan Sufflay-t që ne njohim deri me sot, është i shkruar në gjermanisht, hungarisht, latinisht, italisht, frëngjisht, greqisht, anglisht, spanjisht, rumanisht, rusisht dhe kroatisht. Ne nuk kemi asnjë informacion që ndonjë letër të jetë shkruar në gjuhën shqipe. Në këtë letërkëmbim mjaft të vëllimshëm (ne disponojmë më shumë se 980 letra) dominon çështja e studimit të mesjetës shqiptare, por, nuk mungojnë as tema tjera të natyrave të ndryshme, qofshin ato me karakter ekonomik, politik, social dhe deri edhe letra intime. Duke dëshiruar të japim kontributin tonë në fushën e studimeve mesjetare, ne kemi përzgjedhur një pjesë të këtij letërkëmbimi që ka të bëj kryesisht me studimet albanologjike të Milan Sufflay-t, i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Zagrebit, në Bibliotekën Kombëtare Hungareze “Szechenyi” të Budapestit, në Arkivin e Aragonës në Barcelonë, në Arkivin Historik të Dubrovnikut, në Arkivin e Qytetit të Venedikut dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës, ku na janë të njohura të gjitha letrat që ruhen aty, por, që qëllimisht nuk janë përfshirë në ekspozitën e përgatitur nga autorët në vitin 2002, që u hap në Tiranë me dokumente, dorëshkrime e gjëra të tjera të Milan v. Sufflay-t. Së bashku me përkthimet nga origjinali, ne sjellim edhe faksimilet e letrave, ku një pjesë e mirë janë autografe, ndërsa pjesa tjetër janë të daktilografuara, por në fund mbajnë firmën e Milan Sufflay-t si dhe pothuajse rregullisht edhe shënime të shkruara me dorë po nga vetë Sufflay në margina apo në mes rreshtash. Në përgjithësi, letërkëmbimi i Milan von Sufflay-t është ndarë në dy kategori: a) letra që ai u ka dërguar personaliteteve, institucioneve, zyrave të ndryshme shtetërore (kryesisht shqiptare), arkivave e bibliotekave dhe ndonjë krejt private anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, motrave, etj, pra letrat e shkruara nga ai. b) letërkëmbimi i të tjerëve për Sufflay-n, që nuk është i pakët dhe aty ndeshim emra të nderuar të shkencëtarëve të fushave të ndryshme (jo vetëm të historisë), të cilët shkruajnë me respekt dhe nderim të veçantë, duke çmuar punën dhe veprimtarinë e tij shkencore. Letra e parë... Letra që botojmë kësaj radhe është njëra nga ato që shkruan vetë Sufflay dhe ka për destinacion Tiranën, përkatësisht mikun e tij të çmuar, Lumo Skendon. Qëllimisht kemi bërë këtë zgjedhje, pra, do botojmë letërkëmbimin e Milan von Sufflay-t duke ndjekur kriterin tematik, për të saktësuar disa nga momentet kyçe, mjaft të diskutuara dhe ende të pandriçuara që kanë të bëjnë me botimin e kolanës burimologjike, edhe sot e kësaj dite e pazëvendësueshme për albanologjinë dhe historinë tonë kombëtare, Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, e cila u botua në “vetëm dy vëllime” në vitet 1913-1918 (u ribotuan nën përkujdesin tonë më 2002), e cila ishte planifikuar të botohet në 6 vëllime, e jo në 4 siç shkruhet nga studiuesit e historianët shqiptarë. Në këtë letër, Sufflay, me pedanterinë e tij të njohur, shkruar hapur dhe pa asnjë kompleks për të gjithë problematikën me të cilën duhet të përballet për vazhdimin e botimit të kolanës burimologjike Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, dhe njëkohësisht shpreh kënaqësinë që “Qeveria Shqiptare vendosi të vazhdojë botimin Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia duke siguruar mjete financiare” dhe njëherazi ndihet shumë i vlerësuar për besimin që tregon Qeveria Shqiptare, me rastin e emërimit të tij si autor i botimit të kësaj vepre burimologjike, si dhe të “Historisë së Shqipërisë” e cila do të ndeshet në letrat vijuese. Përfundimisht saktësohet, se Sufflay nuk e kishte përgatitur fare vëllimin e tretë të Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, siç pohohet me këmbëngulje edhe sot (është fjala për vitin 1929) e kësaj dite. Nga letra që botojmë, thuhet se “nga viti 1918 e deri më sot nuk kishte punuar asgjë rreth vazhdimit të botimit të veprës AA” dhe se një pjesë të dokumentacionit që ai dispononte nga Arkivi i Aragonës në Barcelonë, ia kishte huazuar akademikut serb Jovan Radoniq, i cili pas vdekjes së Sufflay-t, në vitin 1942, e boton në Beograd.
|