|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Shkurt 26, 2009, 09:36:55 MD » |
|
Kallmeti, vendi i një misteri të kahershëm Frang Bardhi dhe gjyqi për vrasjen e Pjetër Budit
nga Fatos Baxhaku
Sikur në dimrin e largët të 1858-1859 të mos kishte rënë një tërmet, mbase do të kishim një tjetër Shkodër, një tjetër Zadrimë dhe pse jo edhe një tjetër Lezhë. Derisa toka u trondit rëndë, Drini, lumi më i madhi vendit, e përshkonte krejt fushën mes Lezhës e Shkodrës, Zadrimën, për t‘u derdhur më pas në Adriatik diku në afërsi të Shëngjinit të sotëm. Sot nuk është më kështu. Drini vazhdon rrugën e tij drejt Bunës, ndërsa shtrati i vjetër i tij nuk është gjë tjetër veç një gjysmëlumë e gjysmëpërrua që mbledh në rrugën e tij drejt detit derdhjet që zbresin nga malet në fushë.
Pikërisht në këto anë, afër 400 vjet më parë, është zhvilluar një nga ngjarjet më misterioze të historisë sonë. Jo aq për nga mizoria apo për nga numri i të vdekurve, porse në të janë përzier arqipeshkvë, Vatikani, abatë, kardinalë, njerëz të thjeshtë dhe më në fund dy nga klerikët më të famshëm të krejt historisë sonë, Pjetër Budi dhe Frang Bardhi. Se si ka ndodhur kjo histori e çuditshme që të kujton disi intrigat në manastiret e rrëfyera nga Umberto Eccho, do ta themi ca më poshtë. Gjatë udhëtimit të kësaj jave deshëm vetëm të rikujtonim këtë histori duke i përshkuar vetë disa nga zonat në të cilat jetuan, lindën e vdiqën protagonistët e kësaj historie të çuditshme, paraardhëses së kronikës së zezë të sotme, e cila mbush faqet e gazetave tona sot e gjithë ditën.
Çfarë ka mbetur nga historia?
Heroi kryesor i rrëfimit tonë quhet Frang Bardhi. Ai kishte lindur pikërisht këtu ku ndodhemi, në Kallmetin e Zadrimës, në vitin e largët 1606, në një lagje ku ishte grumbulluar i gjithë fisi i tij, në Bardhaj. Zadrima asokohe duhet të ketë qenë një vend fort i ngatërruar. Ishte vërtet nën sundimin osman, porse kishte fituar një lloj autonomie, duke i paguar një taksë vjetore Sulltanit, i cili kishte vendosur ta linte kështu në hallin e saj. Pikërisht prandaj këtu kisha dhe prelatët e saj morën një rëndësi të dorës së parë në përpjekjet për pengimin e islamizimit. Në shekullin XVII, Vatikani vazhdonte të ishte mes dy zjarreve: mes herezive që i ishin shfaqur që prej Luterit në Evropën e Veriut dhe në marshimin e Islamit në Ballkan. Shumë nga pjesëtarët e fisit Bardhaj ishin me shkollë, i gjejmë të jenë priftërinj e madje të lartë, në veriun e vendit deri në Tivar. Njëri prej tyre ishte Gjergj Bardhi, xhaxhai i Frangut, njeri i zgjuar e praktik, por edhe i dhënë shumë pas përfitimeve që jepte në atë kohë të qenit prelat i lartë. Gjergji asokohe drejtonte Dioqezën e Sapës, sikurse i thoshin atëherë Zadrimës. Qendra e saj ishte Shati, një lagje mbi Nënshatin e sotëm pak kilometra larg nga Kallmeti. Pikërisht ky nguli këmbë që nipi i tij të shkollohej për prift. Frangu i ri në fillim shkollohet në Loreto, në afërsi të Ankonës dhe më pas në seminarin e Propagandës Fide në Romë. Këtu do të qëndrojë deri në 1635, vit në të cilin Frang Bardhi do të botojë një vepër unikale: Fjalorin Latinisht-Shqip. Nga Bardhi ka mbërritur deri në ditët tona edhe një libër tjetër: "Apologjia e Skënderbeut" e botuar një vit më pas, më 1636 (në shqip është botuar në 1957 me përkthim të Stefan Priftit) dhe disa relacione që janë botuar e përdorur shumë herë në shtypin shkencor.
Historinë do ta ndërpresim vetëm për pak kohë pikërisht këtu. Çfarë ka mbetur në Kallmet nga historia e asaj kohe? Ka mbetur sigurisht një lagje që ende nga të moshuarit quhet Bardhaj, një ulli në lagjen e poshtme, që me siguri duhet të ketë të njëjtën moshë me Frang Bardhin, një urë e vjetër poshtë së cilës nuk kalon më asnjë rrjedhë, një mulli i vjetër që duhet të jetë pasardhës i asaj kohe dhe një kishë e vogël e mbështetur mbi faqen e një shkëmbi të ulët, Kisha e Shëlbyemit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në shekullin XIII. Por më shumë se të gjitha këto ka mbetur emri i kallmetorit më të njohur, Frang Bardhit. Me emrin e tij është pagëzuar shkolla e mesme e bashkuar. Drejtori i saj, Zef Toma, është një mik i vjetër i yni dhe një studiues i pasionuar. Atëherë përse të mos e takojmë Zefin në kërkim të historive të vjetra?
Zgjedhjet e fundit dhe historitë e vjetra
Mezi i afrohemi shkollës. Oborri i saj është i stërmbushur nga makina të shumta. Ca më tej shohim disa policë që bëjnë xhiro në afërsi të murit rrethues. Të ketë ndodhur vallë ndonjë gjë në këtë mëngjes marsi në Kallmet? Ende nuk ka ndodhur gjë, ose të paktën asgjë e rëndë. Vetëm se sot, pikërisht në shkollën me emrin e Frang Bardhit do të organizohet e para mbledhje e këshillit të komunës. I shohim tek hyjnë hijerëndë këshilltarët një nga një dhe duke shtrënguar disa dosje, të cilat kushedi se çfarë sekretesh dhe të dhënash të rëndësishme mbajnë në to.
Drejtor Zefi del nga zyra e tij për të na takuar. "Mirse ju ka pru Zoti - na përshëndosh me mirësjelljen e tij që e njohin të gjithë kallmetorët - po kam frigë se ju duhet me më pritë pak. Ju e shifni edhe vetë se ç‘ka bahet …". E lemë për pak kohë drejtorin në hallin që e ka zënë dhe hedhim një sy rreth e rrotull. Shumë nga nxënësit e "Frang Bardhit" i gjejmë të grumbulluar te bilardoja. Si të gjithë nxënësit e botës edhe ata i gëzohen një dite pushimi. "Të mëdhenjtë kanë hallet e tyre le t‘i lemë rehat, se kështu duan ata", duket sikur thonë portretet e kënaqura të adoleshentëve. Ndërsa beteja në fushën e blertë e të kadifenjtë të tavolinës së bilardos merr hov më tej, dëgjojmë zëra që ngrihen nga një klub aty pranë. Ulemi edhe në pritje të drejtorit dhe bëhemi dëshmitarë të një skene që mund të jetë përsëritur e ripërsëritur me qindra herë në të gjitha komunat e Shqipërisë. Një i moshuar po proteston fort se i është vjedhur vota. Kjo do të na dukej normale sikur i moshuari ta kishte me ata të partisë kundërshtare, me fitimtarët e zgjedhjeve, porse nuk është aspak kështu. Plaku zadrimor e ka problemin me të tijtë. Sipas tij, pikërisht ata "ia kanë futur", sepse nuk e kanë caktuar si përfaqësues të tyre në këshillimin e komunës. Plaku duket që është i nxehur keq dhe për ta qetësuar ndërhyn një i ri. "Hem e ke fajin vetë e hem po bake sherr të fortë. Hajt tesh ta lamë këtë punë. U dote menu ma përpara". I riu bën pjesë edhe ky në partinë e protestuesit. Me të miqësohemi shpejt sapo e merr vesh që nuk jemi të pajisur me kamera të fshehta apo me gjëra të ngjashme të teknologjisë bashkëkohore. "Vetëm se m‘keni dalë ju përpara se unë ktu kam ardhë me ia prishë mledhjen e kshillit. Pata me e ba krejt lamsh". E këshillojmë të riun që të qetësohet se këto punë kështu e kanë herë fiton njëri e herë tjetri. I riu duket sikur zbutet ca. "Noshta e keni mirë, hajt se po ju qes nji kafe". Kështu e kanë këto punë më mirë të kthejmë ndonjë kafe a ndonjë raki duke menduar për vrasje të vjetra sesa të jemi dëshmitarë të ndonjë ngjarjeje që nuk e dëshiron askush. Duke pritur këshilltarët që të mbarojnë e kemi të gjithë kohën e duhur për të shfletuar edhe një herë shënimet tona të vjetra. Jashtë, rreth oborrit të shkollës, policët shëtisin të mërzitur: E kur do të mbarojë kjo dreq mbledhjeje?
Një vrasje enigmatike dhe një prift hetues
Pjetër Budi nuk ishte zadrimor. Ai kishte lindur në Gurin e Bardhë të Burrelit në 1566. Është i njohur për botimin e tri veprave me vlerë unikale në historinë e kulturës shqiptare: "Doktrina e kshtenë", "Rituali roman", "Pasqyra e të rrfyemit". Por është fare pak i njohur për fundin e tij tragjik.
Budi qëndroi vetëm më pak se dy vjet në Zadrimë nga 1621 deri më 1622, ai ishte emëruar ipeshkëv i Zapës me seli në Nënshat. Duhet të ketë qenë dimër i fortë në pragun e Krishtlindjeve të 1622-it. Ne tani, vetëm mund t‘i imagjinojmë ata priftërinj që merrnin udhën për të kryer sakramentet e shenjta. Mund ta përfytyrojmë fare mirë edhe lundërtarin që do të kalonte pesë priftërinjtë në bregun matanë Drinit, furia e të cilit në atë kohë duhet të ketë qenë e madhe. E ndërsa priftërinjtë mezi zinin vend në lundrën e ngushtë, njëri prej tyre, njëri më i hedhuri, Abati i Shën Palit të Kabashit të Pukës, hidhet mbi të fare pa të keq duke e rrëzuar Pjetër Budin në ujë. Trupi i ipeshkvit përpihet nga valët e tërbuara. Ajo kufomë nuk do të gjendej më kurrë. Katër priftërinjtë e tjerë shpëtuan paq. Njeriu që e kreu këtë punë mizore, Abati i Shën Palit, quhej Nikollë Leka, ishte njeri i afërt i vetë Gjergj Bardhit, xhaxhait të Frang Bardhit. Abati Nikollë Leka kishte kohë që e kishte braktisur abacinë e tij të futur mes malesh dhe të rrethuar nga malësorë të varfër. Fusha dhe pushteti dukej që e tërhiqnin më tepër. Prej kohësh rrinte më shumë në Romë sesa në vendin ku duhej të kryente detyrën e tij. Historia nis të pasurohet me emra dhe rrethana.
Vatikani e mori vesh lajmin e vdekjes enigmatike të Pjetër Budit në shkurt të 1623-it, kohë e mjaftueshme që letrat të kalonin Adriatikun. Ipeshkvi i Lezhës, Orsini, shpejtoi ta përgojojë viktimën. Sipas tij, Budi kishte bërë shumë gabime. Më i rëndi nga të cilët atij i dukej deklarata e firmosur edhe nga shumë priftërinj të tjerë shqiptarë, sipas së cilës, këta i kërkonin Papës së Shenjtë që në krye të dioqezave shqiptare të mos emëroheshin më klerikë të lartë të huaj përpos atyre shqiptarë. "E ka ba nga padija", shton me cinizëm Orsini. Zëvendësi i Budit, nuk ishte as më shumë e as më pak se sa vetë Gjergj Bardhi, njeriu që synonte t‘i zinte vendin, pikërisht ai që për të zgjidhur punët e veta përdorte abatin aventurier, Nikollë Leka. Gjergj Bardhi arriti të zërë vendin e Budit në krye të kishës së Zadrimës, falë letrave të përkrahësve të tij. Dhe në atë kohë kjo donte të thoshte pasuri dhe shumë pushtet mbi besimtarët katolikë të Zadrimës. Që në prill të 1623-it një kardinal, i caktuar të zgjidhë këtë punë, shkruante për Gjergj Bardhin: "…Dyshohet se mos asht bashkëfajtor në vdekjet e dy ipeshkvijve, të mëprashëm, sepse më ka qenë referua prej kapiteni Ranier, se Abati Pal (Nikollë Leka), që ka ardhë së bashku me të thanunin Bardhi, ka thanë në prani të disave: në mos e bafshin ipeshkv Bardhin, por një tjetër, do ta nisim si kanë shkue dy të parët". Por hijet e dyshimit kalojnë shpejt në një botë të trazuar si ajo e Shqipërisë së shekullit VII.
Kjo vrasje do të flerë për shumë kohë, për afër 12 vjet, në kujtimet e njerëzve dhe në regjistrat e trashë të kishës, derisa disa ndryshime e sjellin Frang Bardhin në Shqipëri. Në 1635 ipeshkvi i Zadrimës Gjergj Bardhi u emërua, arqipeshkëv i Tivarit. Gjergj Bardhi e pranon detyrën e re dhe më të lartë, por nuk e heq kurrë mendjen nga Zadrima ku kishte investuar shumë ku e dëgjonin si padron të vërtetë dhe ku kishte shumë mall e katandi. Në mendjen e tij planifikonte të kthehej sa më parë, me ç‘do kusht.
E atëherë i duhej një njeri i besuar që të mbronte interesat e tij në dheun e vet. Nipi i tij, Frang Bardhi, dukej se ishte njeriu më i përshtatshëm. Porse peshkopi i vjetër e i djallëzuar në këtë rast kishte gabuar. Frang Bardhi nuk ishte më ai djali naiv e i bindur që kishte lënë Kallmetin shumë vjet më parë. Ishte një prift i shkolluar dhe me ide përparimtare, njëri nga ata që nuk i duronte padrejtësitë. Kështu ndodhi që Frang Bardhi, ipeshkvi i ri i Zadrimës, t‘i kundërvihej fare haptas xhaxhait të tij dhe abatit Nikollë Leka.
Historia ka vazhduar shumë gjatë me akuza dhe kundërakuza që shkonin deri në Romë, me dëshmi të mbledhura lartë e poshtë. Madje edhe me kërcënime të hapura për jetën. Nikollë Leka, abati i shumëpërfolur del sërish në skenë. Frang Bardhi në fillim mundohet të ruajë ekuilibrat, shkruan relacione ku lavdëron ungjin e tij për punën e bërë, nuk ankohet shumë shpesh për të ligat që po e rrethojnë. Madje, edhe kur shkon në Romë në 1641 nuk ndihet për ato çka po vuan në dioqezën e tij. Veçse një vit më vonë më 17 shkurt të 1642, atij duket se i ka sosur durimi. Pikërisht në këtë datë, në fshatin e tij në Kallmet nis gjyqi ndaj Nikollë Lekës, me akuzën se kishte vrarë me dashje Pjetër Budin. Gjyqi, që nisi me betimin mbi Bibël, u drejtua nga Orsini, arqipeshkëvi i Lezhës, pikërisht ai që ishte tallur vjet më parë me viktimën e ndjerë, Budi. Gjyqi e shpalli abatin Nikollë Leka të pafajshëm. Në anën e pasme të procesverbaleve të tij Frang Bardhi shënoi me dorën e tij se nuk mund ta pranonte këtë vendim pa u bërë më parë hetimet e nevojshme.
Kështu mbyllet kjo histori intrigash në gjirin e kishës. Frang Bardhi, me dinjitet të nëpërkëmbur dhe duke jetuar në një Shqipëri me të cilën nuk ishte dakord i mbylli shumë shpejt sytë. Në verën e 1643-it, ai i mbyll sytë pas një lëngate disamujore. Ishte vetëm 37 vjeç. I ungji, Gjergj Bardhi ia zuri menjëherë vendin. Ëndrra e tij për të mbajtur me çdo kusht pushtetin u bë realitet. Këtu duket se i ka mbyllur sytë edhe ai vetë me peshën e madhe të vrasjeve dhe intrigave të marra me vete. Abati vrasës, Nikollë Leka i zhveshi petkat e priftit dhe përfundoi mercenar diku në Itali në shërbim të Venedikut. Me sa duket, andej duhet të ketë lënë edhe kockat.
Në historinë e vrasjes së qëllimtë të Budit, Frang Bardhi nuk ka qenë i vetmi "hetues". Andej nga fillimi i viteve ‘50 të shekullit të kaluar, një historian brilant, i pajisur me një kulturë të gjerë, Injac Zamputi, u intrigua nga kjo e vërtetë e mbetur pa u zbuluar për shekuj me radhë. Për Zamputin kuk mund të kishte dyshim: Pjetër Budi ishte vrarë në luftën për pushtet mbi Zadrimë që kishte përfshirë krerë të lartë të kishës vendore. Gjergj Bardhi ishte urdhëruesi i vrasjes, ndërsa Nikollë Leka, abati, zbatuesi i tij. Ipeshkvi "hetues" Frang Bardhi as që nuk do ta kishte shkuar ndërmend se padrejtësitë që ai kishte denoncuar para disa shekujsh do të dilnin ndonjëherë në dritë.
Rikthim në Kallmetin e sotëm
"Ju asht dashtë pak me më pritë", zëri i drejtorit Zef Toma na kthen sërish nga historitë e vjetra në të sotmen. Kur i themi se kemi ardhur që të kujtojmë bashkë atë punën e gjyqit të Frang Bardhit, atëherë na përgjigjet: "Histori të shkume kto more djem. Kto kanë metë veç nër libra". "Po jo shumëkush i lexon librat dhe e vërteta është mir me u njoftë", i thotë ndonjëri prej nesh. "Po besa ashtu asht, gjithnji duhet m‘u njoftë", përgjigjet sakaq mësuesi i mirë flokëbardhë dhe merr rrugën bashkë me ne përmes rrugicave të Kallmetit. Këmbët na ndalojnë te kisha e madhe e rindërtuar e Kallmetit. Është një godinë hijerëndë prej guri, e rindërtuar vetëm në këto kohët e fundit. Tashmë është bërë kohë dreke dhe kisha është e mbyllur. Vetëm një grua e moshuar në një rrugicë pranë kishës vazhdon të ngarkojë një karrocë të rëndë. Një tufë me derra po shkojnë drejt bregut të një përroi. Në këto anë, "thiu" është një nga burimet kryesore të jetesës. Kohë më parë kishim njohur Dom Martin Jakun, famullitarin e kishës që e quajnë edhe "konkatedrale", me sa duket në kujtim të të gjitha atyre kishave të rëndësishme që kanë gjalluar këtyre trojeve në gjithë këta shekuj. Madje me bacë Gjergj Ndrec Jakun dhe nanën Frangë, prindërit e Dom Martinit, kishim kaluar do orë të mira duke kënduar në çifteli këngë të vjetra zadrimore. Në shtëpinë e bacës e kthejmë një copë herë. I gjejmë të dy prindërit e priftit të rrethuar nga një tufë çamarokësh të gëzuar që hidhen sa në një cep në tjetrin. Ne dhe mësues Zefi vendosim: Sigurisht që nuk është më koha të merremi me histori të vjetra.
Pas disa çastesh e takojmë edhe Dom Martinin. Edhe ky na flet për të sotmen dhe për planet që ka fshati për të përmirësuar jetesën e shkollimin e më të rinjve. Katërqind e sa vjet më parë kështu mendonte edhe një bashkëpatriot i tij, porse intrigat nuk e lanë Frang Bardhin t‘i ndihte deri në fund vendit të tij. "Tash kohët kanë ndryshue krejt", flet mësuesi i vjetër me zë të ulët, njësoj sikur t‘i flasë vetes.
_______ Për këtë parahistori të kronikës sonë të zezë e gjyqësore ekziston një mal i madh me libra. Një pjesë e mirë e tyre janë përdorur nga autori në hartimin e këtij shkrimi. Për ata që janë intriguar nga kjo histori, porse nuk kanë edhe aq shumë kohë në dispozicion për të mësuar më tepër, ne do t‘ju rekomandonim menjëherë një libër fort të mirë, që ka dalë vetëm një vit më parë: Tonin Çobani, Frang Bardhi dhe relacionet e tij, Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, Zagreb 2006. Kush ka nge, interes dhe nerva që t‘i shkojë deri në fund së vërtetës së këtij misteri atëherë ai patjetër duhet të shfletojë: "Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII" (1610-1634), Vëllimi I, përgatitur nga Injac Zamputi, Tiranë 1963. "Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme në shekullin XVII" (1634-1650), Vëllimi II, përgatitur nga Injac Zamputi, Tiranë 1965. Sidoqoftë, sipas mendimit tonë, shkrimi më i mirë i botuar për sqarimin e kësaj vrasjeje është: Injac Zamputi: Shënime mbi rrethanat e vdekjes së Pjetër Budit, Buletini i Universitetit të Tiranës, Seria shkencat shoqërore, 1958, numri 2. __________________ Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria ? këto të tria ? porse më e madhja ndër to është dashuria. (1 Kor 13, 13) Alberti i/e shkëputur Përgjigju duke Cituar
|