|
Albkallmeti
|
 |
« : Tetor 26, 2009, 02:49:42 MD » |
|
Rusia e goditjes së parë bërthamore
 Nga: PETRIT HALITI Erërat e luftës së ftohtë, jo vetëm duket se po rikthehen, por po sjellin edhe skenarët e kërcënimeve bërthamore dryshe njoftimi, që i dha botës Rusia se në doktrinën e re ushtarake parashikon dhe parimin e përdorimit të goditjes së parë bërthamore. Kasneci bërthamor i Rusisë është sekretari i Këshillit Presidencial të Sigurisë, Nikolla Patrushev, i cili ka qenë më parë kryetar i KGB-së, shërbimit rus të sigurimit. Në një takim me shtypin më 22 tetor, ai deklaroi se në doktrinën e re ushtarake të Rusisë, "në situata kritike për sigurinë kombëtare, një goditje bërthamore, duke përfshirë edhe atë preventive, kundër një agresori, nuk përjashtohet". Në fakt shpalljen e parimit të ri të doktrinës ushtarake ruse për goditjen e parë bërthamore, ai e kishte bërë më 14 tetor, por meqë në disa qarqe perëndimore ajo deklaratë u konsiderua si një veprim politik me rastin e vizitës në Moskë të sekretares amerikane të shtetit, udhëheqja ruse e quajti me vend që ta përsëriste edhe njëherë, me qëllim që të mos kishte pikë dyshimi nëpër botë se doktrina e re ushtarake e Rusisë do të jetë më ofensive se të mëparshmet. Doktrina e re ushtarake do t'i paraqitet presidentit Medvedev për miratim në fund të këtij vitit. Por dalja e zyrtareve më të lartë për t'i paraqitur botës paraprakisht thelbin e kësaj doktrine të re ushtarake e bërthamore, është një zhvillim që kërkon të analizohet. Me përfshirjen e parimit të goditjes së parë bërthamore në doktrinën e re ushtarake, kemi një shkallëzim të karakterit ofensiv të strategjisë dhe të politikës globale të Rusisë. Cilët janë elementet e rij, që sjell deri tani Këshilli Presidencial i Sigurisë në këtë doktrinë bërthamore. Së pari, është shpallja zyrtare e të drejtës së goditjes së parë bërthamore. Është një agresivitet i veçantë, sepse duhet theksuar se ky parim nuk ekziston në doktrinën ushtarake të SHBA, dhe as të shteteve të tjera të klubit bërthamor, gjë që e portretizon Rusisë si një shtet me rrezikshmëri të veçantë. Gazeta ruse "Njezavisimaja gazeta", citonte më 9 tetor pohimin e një gjenerali rus se "kjo doktrinë do t'i japë shteteve të tjera një arsye më shumë për ta akuzuar Rusinë si agresive" Së dyti, goditja e parë bërthamore ruse tani legalizohet edhe kundër shteteve jo bërthamore. Nga pikëpamja ushtarake dhe logjike, është e pamendueshme që një shtet jo bërthamor do të guxonte të ndërmerrte aventurën e agresionit ushtarak ndaj një fuqie të madhe ushtarake dhe bërthamore si Rusia. Strategjistët ushtarakë rusë natyrisht e dinë këtë rrethanë, por përfshirja e këtij parimi do të thotë që Rusia synon të përdorë goditjen e parë bërthamore edhe ndaj shteteve që nuk kanë armë bërthamore. Së treti, elementi i ri interesant është se Rusia parashikon të drejtën e përdorimit të goditjes së parë bërthamore në konfliktet rajonale dhe lokale. Kjo do të thotë që ajo i jep vetes të drejtën të përdorë goditjen e parë bërthamore edhe në konflikte rajonale apo lokale mes palëve të treta apo në rastet, kur në konflikt konvencional është përfshirë një aleat i saj. Së katërti, shtabi i përgjithshëm ushtarak i Rusisë planifikon goditjen bërthamore, jo vetëm kundër një shteti që sulmon Rusinë, por parashikon edhe goditje preventive. Kjo do të thotë se edhe pa pasur një konflikt në zhvillim e sipër, Rusia mund të përdorë armët bërthamore e para ndaj një shteti, për të cilin ajo mendon se ia kërcënon interesat kombëtare. Gazeta ruse "Pravda", e datës 19 tetor, e shpjegon kështu këtë "përdorim preventiv: "Kjo do të thotë se Rusia do të ketë mundësi të pengojë fqinjët e saj me një bombë të vogël bërthamore. Kjo do të shërbejë të parandalojë ata, që të mendojnë se mund të kenë impakt në interesat ruse". Në parashtrimin që sekretari i Këshillit Presidencial të Sigurisë u bëri elementeve të rij të doktrinës bërthamore të Rusisë, nuk ka përcaktim apo klasifikim të shteteve apo forcave, nga mund të vijnë rreziqet për interesat kombëtare. Në këtë mes tërheq vëmendjen fakti se Rusia i jep vetes të drejtën ta përcaktojë shtetin apo forcën që i kërcënon interesat e saj, dhe që i duhet dhënë goditja e parë bërthamore, jo mbi faktin se kanë ndërmarrë agresion kundër saj, por edhe mbi bazën e analizës dhe opinioneve, që Rusia krijon mbi zhvillimet në njërin apo tjetrin shtet kundërshtar. Parimin e të drejtës së përdorimit të goditjes së parë bërthamore e kanë pasur edhe doktrinat e mëparshme ruse, të vitit 1993 dhe të vitit 2000, por ato kanë qenë të përcaktuara vetëm në rastet e një sulmi bërthamor. Kurse tani, zgjerimi i gamës së kushteve dhe rrethanave, kur mund të japë Rusia goditjen e parë bërthamore, është zgjeruar aq shumë, saqë paralajmëron për një amplitude pothuaj të pakufizuar të kërcënimeve, që mund t'i vinë interesave të paqes dhe sovranitetit të shumë shteteve e kombeve në rajone të ndryshme të botës, nga doktrina ushtarake ruse. Duke analizuar rrethanat e këtij agresiviteti të ri, të transformuar në parim, të doktrinës së re ushtarake të Rusisë, mund të konkludosh se dy janë motivet që e shtynë Rusinë në këtë shkallëzim të karakterit militarist në doktrinën e saj. Rrethana e parë është globale dhe ka të bëjë me strategjinë dhe me ambiciet botërore për t'u shndërruar në një superfuqi. Presidenti Dimitri Medvedev dhe kryeministri Vladimir Putin, janë ithtarë të mëdhenj të formulës së vjetër diplomatike "frikë dhe respekt", që do të thotë se ata po përpiqen të krijojnë një situatë, ku Rusisë t'ia kenë frikën sa më shumë shtete dhe rajone, me qëllim që ajo të respektohet më shumë në botë, që në gjuhën gjeopolitike do të thotë "influencë". Ideali i tyre është Bashkimi i mëparshëm Sovjetik, si superfuqi me ndikim botëror. Një nga instrumentet bazë që po përdor udhëheqja e Kremlinit është energjia, nafta dhe gazi, për të rritur varësinë e shteteve të ndryshme nga Moska. Por nevoja për gaz nuk shkakton nivelin e frikës që mund të shkaktojnë armët bërthamore dhe shkatërrimi bërthamor. Ndaj në Kremlin po projektojnë si rrugë të dytë armën klasike të kërcënimit ushtarak, dhe sidomos kërcënimin e goditjes bërthamore. Rrethana e dytë është rajonale, dhe ka të bëjë me zhvillimet në rajonin e Kaukazit dhe situatën e krijuar pas pushtimit ushtarak që Rusia u bëri gushtin e vitit të kaluar dy rajoneve të Gjeorgjisë, të cilat i shpalli shtete kukulla të pavarura. Kaukazi, që ka qenë dikur rajon i influencës ruse në kohën e Bashkimit Sovjetik, tani përbëhet nga shtete të pavarura dhe është një nga pellgjet, burimet dhe një nga kryqëzimet më strategjike të gazit dhe të energjisë në botë. Rusia kërkon me çdo kusht të ruajë influencën mbi shtetet e rajonit dhe nuk heziton të përdorë edhe forcën ushtarake, si në rastin e Gjeorgjisë. Por duke parë se në një farë kuptimi në planin politik dhe psikologjik ndërhyrja ushtarake ruse në Gjeorgji nuk rezultoi me një valë të madhe nënshtrimi, të cilën Moska e priste nga Gjeorgjia dhe nga shtete të tjera në rajon, strategët ushtarakë rusë i drejtohen kërcënimit bërthamor. Përcaktimi i konflikteve lokale dhe rajonale si zona të planifikuara të përdorimit të goditjes së parë bërthamore nga Rusia, është një shantazh i drejtpërdrejtë bërthamor ndaj vendeve të rajonit. Duhet thënë se shpallja e të drejtës së goditjes së parë bërthamore në rrethana dhe motive kaq të përgjithshme, është një kërcënim jo vetëm për Kaukazin, Azinë Qendrore apo zona të tjera sensitive për interesat strategjike ruse. Në rrezen e këtij kërcënimi hyjnë të gjitha rajonet, duke përfshirë edhe Ballkanin. Natyrisht, Rusia nuk do të bënte marrëzinë që të kërcënonte një shtet anëtar të NATO-s, i cili mbrohet nga potenciali bërthamor i NATO-s, si detyrim i artikullit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Por çështja shtrohet se shantazhi bërthamor, global dhe rajonal i Rusisë mund të inkurajojë politika dhe qëndrime më agresive dhe më nacionaliste në shtete që janë aleatë të Rusisë në Ballkan. Efektet kolaterale të shantazhit bërthamor rus mund të jenë negative në planin politik dhe psikologjik. Por kjo nuk do të thotë se ato duhet të shoqërohen me heshtje, me pretekstin se meqë Rusia është shtet i madh, nuk duhet të ngrihet zëri ndaj kërcënimeve, që në fund të fundit cënojnë interesa të paqes dhe të stabilitetit në të gjitha rajonet e botës. "Është shqetësuese, deklaronte më 18 tetor ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, që armët bërthamore vazhdojnë të luajnë një rol të madh në doktrinën e përgjithshme ruse".
|