|
Preng Gjikola
|
 |
« : Tetor 28, 2009, 02:11:11 MD » |
|
Nga Preng S. GJIKOLA
ROJTARI I FERRIT Aty diku rreth mesditës, qyteti ishte mbështjellë nga një vello e përhimtë, nga ku rigonte një shi i ftohtë akull dhe i imët, por i dendur. Në qiell edhe pse ishte shi, kokrrama e pa zakontë e korbave po ua gërricte veshët njerëzve, sidomos supersticiozëve të cilët sipas imagjinatës së vet parandjenin ndonjë gjëmë, dikush të madhe e dikush të vogël. Nuk zgjati shumë dhe u vu re një rrëmujë e pa zhurmë, por e pa parë ndonjë herë në atë qytet. Njerëzit e pushtetit venin e vinin, jo si zaknisht por ishin të pa përqëndruar dhe nuk i kthenin përgjigje njeriu, veç komunikonin me ndonjë korier, që edhe këta venin e vinin nga drejtime të ndryshme. Nëpër sheshet dhe vendet publike të qytetit vendoseshin megafonë, zyrat e shtetit, shkollat dhe ndërtesat e tjera publike i kishin hapur dyert, diku shihej ndonjë njeri që në dorë mbante ndonë aparat radioje, ose grupe prej dy-tre vetash që mbanin ndonjë aparat televizioni dhe të gjith këta drejtoheshin për tek ndërtesat publike. Kjo e pa zakontë që po mbretëronte në atë qytet të mbështiellë me vello të përhimët dhe të qullosur nga shiu i ftohtë që s’kishte të sosur, nga ku e vetma gjallesë që lëvrinte në atë përhimtësi ishin korbat të cilët me kokrramat e tyre kishin bashkëjetuar me këtë qytet për dekada dhe që ia prishnin monotoninë. Ky pështjellim i organizuar, njerëzit i dyshimoi pa masë, por nuk guxonin që të interesoheshin se ç’po ndodhte, veç shtrydhnin imagjinatën secili sipas mendjes së vet. Pak më vonë aty, egzaktësisht në mesditë, pasi u tubuan më shumë spontanisht se sa me lajmin e korierëve, nëpër vendet publike u morë vesh se kishte ndërruar jetë sovrani i atij qyteti të përhimët dhe të qullur. Ngjyra e përhimët që kishte shoqëruar të mbështjellë atë qytet fatëkeq dhe të izoluar nga pjesa tjetër e botës prej një kohe të gjatë, në imagjinatën e njerëzve të pushtetit u ngjyros me bojë të zezë si korbat që mbretëronin në qiellin e atij qyteti, që me kokrramat e tyre e kishin argëtuar për një kohë relativisht të gjatë. Oratorët flisnin me një zë melankolik, po ashtu edhe spikerat e radios e të televizionit të vetëm të ati qyteti po me të njejtat nota melankolike si shiu që po binte në atë segment kohorë ftal për fatet e ati qyteti, tashmë më të pa fat në botë, që po ndahej përgjithmonë me sovranin e tij të dashur.
* * * Kur shpirti i sovranit po fluturonte për në destinacion, pa pritmas u ndesh me një tabelë që e drejtonte për në vendin e caktuar ku do të bashkohej me turmën që e priste. Por, çuditërisht në vend që ta prisnin me ovacione të papërmbajtëshme, u ndesh me një djalë të ri diku rreth të njëzetegjashtave, mjaft të pashëm por me një pamje të pazakontë, por kjo nuk i bëri shum përshtypje, sepse po shkonte atje ku nuk ishte kthyer njeri. Djali ishte si të gjith njerëzit që tashmë i kishte lënë prapa, por ballin dhe gjoksin ja qëndisnin nja pesëmbëdhjetë apo njëzet shenja vrimash, por çuditërisht dukej tepër i pashëm. Daloshi pasi bëri verifikimet e çastit pa ngritur sytë fare nga katalogu që mbante në dorë për verifikimin e banorit të radhës që kishte mbërritur në atë botë. Kur djaloshi ngriti sytë për ta drejtuar drejt vendit që i takonte banorit të radhës, sytë e djaloshit u ndezën nga ajo figurë, që ju vizatua vetëtimthi para syve të tij, tamam si ajo figura që në jetën normale zgërdhihej nëpër portrete të vendosura kudo, madje deri në hyrje të banjove publike, gazeta, televizion e kinema e deri në statuja të mermerta, gipsi dhe bronxi. Brenda figurës që ju shfaq djaloshit, marshonin gjyqtarët, prokurorët, operativët e sigurimit, dëshmitarët e rremë dhe në fund parakalonte skuadra e ekzekutimit me në krye komandantin sypatrmbur që e kishte përcjellë në këtë botë duke ia qëndisur ballin dhe gjoksin me këto vrima që çuditërisht nuk ia prishnin bukurinë me të cilën kishte ardhur në botën e përjetëshme. Mjegulla që ia kishte mbështjellë kujtesën djaloshit filloi të davaritej dal nga dalë duke u kthjelluar plotësisht dhe dal nga dalë filloi të zhytej në kujtesën e një bote reale, që e kishte përcjellë para kohe, sikur kishte ardhr në atë atë botë reale me pahir dhe për të ikur i dëbuar po me pahir.
* * * Sapo kishte mbaruar dasma dhe njerëzit e fundit po largoheshin për në shtëpitë e tyre duke bërë përshëndetjet dhe urimet e zakonëshme, oborri fillo të boshatisej, por kjo boshatisje për daloshin u shëndërrua në një makth të tmerrshëm, sikur po i boshatisej shpirti dhe zemra ju duk se po i dilte nga kraharori për tu arratisur diku gjetkë, në vend që të ishte i lumtur që dashurinë e tij e kishte kurorzuar me sukses. Me këtë parandjenjenë që ndillte keq djaloshi filloi që të merrej me punët për sistemimin e oborrit nga rrëmuja që kishte lënë pas dasma, herë pas here përcillëte ata të fundit që linin shtëpinë e dasmës, këta ishin të afërmit e ngushtë të shtëpisë. Në mbrëmje pasi ishin sistemuar të gjitha gjërat, djaloshi u mblodh me gjith njerëzit e shtëpisë për të pushuar pas një lodhje të logjikëshme pas festave familjare. Aty rreth orës dhjetë të darkës u dëgjuan të trokitura në portën e avllisë, e ëma e daloshit që në atë çast ishte në dhomën e nuses bashkë me dy gra të tjera, sapo dëgjoi të trokiturat doli menjëherë në oborr për të marrë vesh se kush po vinte në atë orë në shtëpinë e tyre. Çuditërisht prapa portës qëndronin disa njerëz, që nënës ju shfaqën si disa qenie në formë bishash mishngrënëse, që nga çasti në çast kërkonin që ti shqyenin kraharorin dhe ti rrëmbenin zemërn dhe ta ndanin ndërmiet tyre duke u kacafytur për vdekje me shoqi-shoqin. Pasi nga errësira nuk mundi që të shquanëte mirë tiparet e fëtyrës, nga zëri njërin e njohu, ai ishte kryetari i këshillit të fshatit i cili pasi e përshëndeti ftohtë zonjën e shtëpisë pa ja zgjatur dorën, u fut menjëherë drejt e në temë. Zonja e shtëpisë e dinte se nuk do t’ia uronte dasmën e djalit pasi edhe pse ishte nga fshati i sajë , ose më sakët edhe nga fisi i afërt, nuk i kishte qenë në dasëm për shkaqe politike dhe nuk e priste një urim tradicional për dasmën që sapo kishte përfunduar, por dëgjoi me vëmëndje falët që i tha kryetari i nderuar, për shkaqet për të cilat shokët e nderuar që po i shoqëronte ishin munduar deri këtu pikërisht në një orë të tillë. Më pas fjalën e mori një burrë rreth të dyzetepestave, që ishte sa babaxhan po aq edhe i sertë në pamje, ky ishte operativi i sigurimit të zonës i cili shoqërohej edhe nga dy polic ku njëri ishte fëtyrë e pa parë ndonëherë në ato anë, këti të fundit i shquhej në krah një armë automatike. Burri babaxhan dhe i sertë, as që ngurroi që ta përshëndeste, por pasi kruajti zërin nja dy a tri herë, mori një pame të ashpër dhe zhbiruese dhe u fut menëherë drejt e në temë për të cilën kishte marrë mundimin deri këtu. -Ku e keni djalin? - E pyeti operativi nënën. -Në shtëpi. – U përgjigj nëna pa ia hedhur sytë fare. -Mirë pra! Pa na e thirr pak se kemi ca punë me të, por ti mos u mërzit, ne për këtë punë na paguan shteti. Nënës nga këto fjalë zemra filloi që ti rrihte me forcë dhe t’ia godiste kraharorin me aq forcë sa që ju duk se ja çau më dyshë drrasën e kraharorit dhe ju arratis në errësirën e asaj nate të pahënë , por e mbajti veten dhe shkoi që të thërriste djalin e saj të vetëm, që e kishte rritur me njëmi halle dhe që atë ditë i kishte bërë dasmën. Ajo e dinte se ndoshta djali i sajë i vetëm nuk do ta shihte më këtë prag që e kishte ringritur me njëmi halle, e vetme dhe pa ndihmën e askut, kur ishte kthyer nga internimi tetëvjeçar në kampet famëkëqinjë të përqëndrimit ku ngujoheshin familjet e atyre, që pushkatoheshin, vareshin në litarë, burgoseshin ose zhdukeshin për arsye politike, ku ishte ngujuar së bashku me djalin e sajë të vetëm që aso kohe ishte vetëm pesë-gjasht veç. Pas kthimit të sajë nga internimi u përball me një jetë ferri të vërtetë, as kush nuk i afrohej e jo më ta ndihmonte sado pak, por u përball veç me luftën që i bëhej për shkak të prejardhjes së saj politike. Edhe dy vëllezër që kishte, të dy ishin dënuar për motive politike, për shkak të prejardhëjes së tyre klasore, kështu nuk kishte njeri në këtë botë që ta ndihmonte sado pak. Kur djali u duk në prag, njeriu babaxhan dhe i sertë që ishte operativi i sigurimit, me të parë djalin që po afrohej e thirri me një zë që në veshët e nënës dhe të dalit të ri u përplas si një buçimë që po dilte nga një hon i thellë dhe i zi korb. -Pa eja more bukurosh se kemi ca punë të vogëla me ty dhe do të kthejmë përsëri tek ajo bukuroshja që ke brenda. Djaloshi duke i njohur “mysafirët” për këtë vizitë surprizë në një ditë dhe orarë të tillë e mori me mend se çe priste, prandaj pasi i përshëndeti, u kërkoi leje që të bëhej gati dhe pastaj të shkonin në destinacion. Pasi djali së bashku me “mysafirët” kaluan pragun e avllisë, nëna u shkreh në vajë, ajo e dinte mirë për vuatëjet që do të kalonte djali i vetëm i sajë. Vetëtimthi nënës ju kujtua bashkëshorti i sajë ku njëzet vjet më parë e kishin thirrur po kështu, po në të njëjtin orarë, djali i sajë në atë kohë ishte veç pesë-gjashtë vjeç. I shoqi kur ishte kthyer nga lufta e korrikut 1943 kundër forcave ushtarake italiane, e cila kishte përfunduar me sukses, duke bërë të mundur çlirimin e qytetit nga këta të fundit, kishte gjetur djalin e lindur dhe kishte bërë një festë të dyfishtë. Me mbarimin e luftës së dytë botërore dhe me rrëmbimin e pushtetit nga komunistët i shoqi kishte ndërruar në sjelljet dhe qëndrimet ndaj familjes së tij, kjo në fillim u duk si një çoroditje e tij, por në të vërtetë ishte një parandjenjë, që nga ana teorike e kishte të qartë përfundimin e tij. Me dalen e ligjit të konfiskimit të pasurisë, i shoqi e dinte se ç`e priste. Pa kaluar shum kohë nga dekreti, në fshat u dukën përmbaruesit të shoqëruar nga forcat e sigurimit të shtetit, objekti i vizitës së radhës së përmbaruesëve ishte dyqani i fshatit. Këtë dyqan i shoqi e kishte trashëguar nga i ati dhe me mundim të madh kishte mundur që ta mbante hapur dhe ta shtonte më tepër aktivitetin e tij, kështu duke punuar për vete u kishte ardhur në ndihmë edhe bashkëfshatarëve të tij dhe ndoshta më gjërë, sepse fshati i tij ishte relativisht larg nga qyteti dhe kështu kishte bërë të mundur që tu sillte nga qyteti mallrat e nevojave të përditëshme dhe duke e shkëmbyer përveç me para dhe me sende që i kishin prodhuar për treg. Kur përmbaruesit shkuan tek dyqani i fshatit, ata së bashku me nja dy a tre ushtarakë i kërkuan pronarit të dyqanit, që të mbyllte derën e dyqanit se kishin ca punë dhe pastaj do të largoheshin. Ata i kërkuan dëftesat e mallit dhe dëftesat e pagesës së taksave që ishin në fuqi, pasi i morën këto dëftësa nëpër duar i kërkuan edhe blloqet e veresive, ku kishin marrë fshatarët mallrat e nevojëshme për jetesë, me këto letra në duar përmbaruesit dolën në oborrin e dyqanit. Pasi shkëmbyen disa fjalë njëri me tjetërin i thanë të zotit të dyqanit se ishte i lirë që të shkonte në shtëpi dhe vetë u drejtuan për në shtëpinë e kryetarit të këshillit. Aty rreth mesnatës u dëgjuan të trokitura të forta tek porta, i zoti i shtëpisë e mori me mend se çfar po ndodhte, kështu duke u veshur shpejt e shpejt i tha së shoqes që të shkonte dhe të hapte derën. Në prag u dukën po ato fëtyra që i kishte parë në dyqanin e tij gjatë ditës, ku mungonte vëç njëri nga përmbaruesit civil. Pa dalë mirë në rrugë të zotit të dyqanit i vunë hekurat në duar dhe këmbë dhe kështu e dërguan në postëkomandën e vendit duke e torturuar deri sa zbardhi. Para dyqanit të fshatit ishte tubuarar pothuajëse i gjith fshati, me burra, gra, fëmi e pleq dhe po prisnin që të informoheshin se çfar kishte ndodhur. Në këto mendime e sipër ata panë një grup njerëzish të armatosur, që kishin vënë në mes të zotin e dyqanit i cili ishte i lidhur duar e këmbë me hekura të rënda, nga kjo pamje ata mbetën të shtangur në vend dhe nuk po kuptonin se çfar do të ndodhte më tej. Kur grupi i armatosur u gjend para turmës së çoroditur, ata përshëndetën me parullën e luftës, “V.F”, turma me një kor të përzier me zëra të zbehur u përgjigjën, “L.P” dhe pa humbur kohë grupi i armatosur u improvizua në një presidium para turmëst që prisnin të shtangur. Komandanti i grupit të armatosur pasi urdhëroi që të mbahej qetësi, filloi të fliste për situatën politike dhe ekonomike, pas kësaj rezymeje “optimiste” oratori hyri menjëherë në temë, duke ju thënë të pranishmëve se më në fund “armikun” dhe gjakëpirësin e fshatit e kishin kapur dhe do t’ ja tregonin vendin e merituar, kështu, tashmë ju mund të merrni frymë lirisht. Pasi mbaroi fjalimin e tij trdicional komandanti i grupit të armatosur, ju drejtua disa pjestarëve të grupit duke i urdhëruar që të digjnin publikisht blloqet e veresive, kështu duke shpallur “sihariqin” e madh se nuk do të merreshin parasyshë më borxhet e vjetëra. Njerëzit e armatosur u futën në dyqan, ngarkuan të gjitha plaçkat në disa mushka dhe kuaj që i kishin marrë në fshat dhe godinën e dyqanit e shpallën pasuri të shtetit ku do të shërbente si strehë për ndonjë familje të pa strehë të fshatit. Më pas u mor vesh se pronarin e dyqanit të fshatit e kishin pushkatuar, më pas erdhën po këto forca të armatosura dhe pasi i morën gruan dhe djalin e dyqanxhiut, i vunë flakën edhe shtëpisë. Kështu filloi kalvari i gjatë i mundimeve për familjen e dyqanxhiut. * * * Jeta prapa hekurave ç`do gjë mund të ishte veç jetë nuk mund ti thoje. Aty nga mëngjezi deri në darkë dhe nga darka në mëngjez, për pos “vizitave” të hetuesëve, shoqëri mund të bëje veç me çimenton, apo me ndonjë mi, që kishte mundur të mbijetojë dhe një batanije të bërë tashmë leckë, për ushqim mendohej veç për një copë bukë thatë të gatuar para dy ditësh. Me yllin e mëngesit fillonte vizita tradicionale e hetuesit të shoqëruar me nja dy a tre polic, që për nga shtati ishin për tu patur zili. Pas disa ditësh filloi edhe kalvari i vërtetë i ferrit të kriuar nga njerëzimi. Sapo zardhte dita vinin dy policë dhe pasi e lidhnin për shpatullash e ngrinin dhe e varnin në një çengel si ai që djaloshi kishte parë në një kasapëhanë në qytet kur shkonte me të atin për punë tregëtie. Pasi policët e pregadisnin të burgosurin për tu marrë në pyetje nga ana e hetuesëve, dilnin jashtë për tu shkëmbyer me hetuesit të cilët do të vazhdonin rutinën e përditëshme, duke filluar që nga rrahja me kamxhik, nga ata që përdornin mbikqyrësit për skllevërit këtu e dymijëvjet të shkuara, më pas merreshin kunja pishe të vegjël dhe i nguleshin në mes të mishit dhe thonjëve të duarëve dhe këmbëve dhe më pas u vinin flakën një nga një. Pas këtij trukimi “estetik”, fillonin pyetjet, disa pyetje që për djaloshin dukeshin tepër të çuditëshme, sepse nuk kishin të bënin fare me aktivitetin e përditshëm që përmbante axhenda e zymët dhe tepër e rëndë e djaloshit. -“Ju i pandehur keni komplotuar me disa persona për përmbysjen e pushtetit popullorë”?! Djaloshi u përgjigj me një zë të mekur që kishte ardhur nga mungesa e ushqimit dhe torturat fizike që ishin aplikuar në trupin e tij tashmë të lodhur dhe raskapitur. -“As që më ka shkuar ndërmend, e jo më të komplotoja”. U përgjigj djaloshi. -“Kemi dëshmitarë për këtë komplot dhe i dimë deri në imtësi planet operacionale që do të ndërmerrnit ju dhe bashkëpunëtorë tuaj, por harruat se shteti ynë që është një ndër vendet më të përparuara të globit dhe për këto arritje madhështore që i detikohen partisë tonë të lavdishme, armiqtë e komunizmit na kan halë në sy, prandaj ju kan zgjedhur ju si një eksponent i një klase kriminale tashmë të përmbusur nga revolucioni proletarë, që ëndërroni që të ktheheni dhe ti pini gjakun fukarasë, që tashmë është konsoliduar në pushtet”. Kështu e përfundoi fjalën hetuesi duke shkumëzuar me një zë të ngjirur thuase po dilte nga një hon i thellë me shum hyrje dhe dalje. Djaloshi duke shtrënguar dhëmbët nga dhembjet e tmerrëshme, me një zë të mekur mundi që të përgjigjej: -“Ata dëshmitarë që pretendojnë se jan pjesë e komplotit sipas jush, as që i kam besuar ndonjëherë, thjeshtë për ndonjë shoqëri të çastit, për vetë arsyen e thjeshtë se nuk më pëlqenin në radhë të parë thjesht si njerëz dhe nuk më puçej as karakteri me të tilla qenie, që në sjelljet e tyre s’kishin as gjë të përbashkët me shoqërinë normale njerëzore, e jo më që të komplotoja kundër shtetit me të tillë eksponent”. Djaloshi pas kësaj përgjigje, që po të thuash e ndihmoi zoti që ta çonte deri në fund mbrojtjen legjitime të së drejtës që e karakterizonte, nga raskapitja e madhe menjëherë pas mbarimit të fjalës ju morën ment dhe u rrëzua si një lis që pritet me një të rënë të sopatës. Kështu u bë e mundur që të shpëtonte të paktën kësaj here nga rrjepja e lëkurës që tashmë gati i ishte hequr e tëra. Kur djaloshi erdhi në vehte, mund të kishin kaluar ndoshta disa orë, këtë djaloshi e kuptoi vetëm kur dëgjoi kërkëllitjen e llozit me të cilin ishte mbyllur frengjia e vogël e derës së hekurit të rëndë të qelisë, nga ku gardiani i solli një copë buke thatë dhe ia hodhi në qeli si një qeni të tërbuar, që nuk mund ti afrohesh. Pasi kohën e komas djaloshit ja quajtën një gjumë të “ëmbël”, rifilloi rutina e “trukimit” të trupit të djaloshit, që nga futja e vezeve të porsa dala nga vala nën sqetull dhe kriposja e plagëve që pothuajëse ja mbulonin gjith trupin, që tashmë ky trup ishte kthyer gati në një grumbull mishi të gjallë. Pas gjith këti “trukimi” hetuesit nuk kërkonin asgjë tjetër, përveçëse djaloshi të nënshkruanëte me dorën e ti një material disa faqesh të parapregaditura nga vetë hetuesit, ku ishin treguar deri në detaje planet dhe njerëzit që ishin implikuar në këtë komplot për përmbysjen e pushtetit popullorë. Pas shum lodhjesh dhe stërmundimesh mbi njëvjeçare nëpër hetusirat nga më specialet, erdhi dita e gjykimit. Aty pas mesnate kërkëlliti dera e rëndë me rreze të ndryshkura e qelisë ku djaloshi kishte banuar më shum se një vit, por fatëmirësisht pa paguar qera në të holla. Rrëmbimthi djaloshit ju duk se do të dilte në liri dhe me të vërtetë kështu ndodhi, ku pas më shum se një vit, u mundësua që fëtyrën e tij tashmë të tretur ta rrihte era dhe sytë e tij të shikonin pakëz qiell të qëndisur nga yjet e natës. Pas këti shijimi pakëz lirie, u dëgjua uturima e një motori makine dhe zëra të egër njerëzish, si ulërima e ujqërve të uritur në një dimër të tejzgjatur, që e ndiejnë erën e gjakut të presë së radhëshme. Më në fund u hap një derë kafazi me hekura të rëndë dhe të ndryshkur, ndoshta e trashëguar që nga gestapoja naziste e kohës së luftës, më pas dy policë e kapën djaloshin dhe e lidhen duar e këmbë me një palë hekura të rënda , pothuajëse më të rënda se vetë trupi i djaloshit edhe këto të ndryshkura. Gjyqi nuk zgjati shum, gjykimi u bë në ambjent të hapur në fshatin e tij, nuk u desh shum kohë për të shtjelluar komplotin “terrorist” për përmbysjen e pushtetit popullorë, sepse ç’do gjë ishte e paragjykuar deri në detaje, veç u deshën deglaratat publike të dëshmitarëve që të bënin publikisht të besueshëm edhe emrat e “bashkëpunëtorëve” të të pandehurit, ku edhe këta tashmë kishin pësuar të njëjtin fat. Vendimi i gjykatës ishte po ai i pretencës së prokurorit: -“Bazuar në nenin 55 të kodit penal të Republikës Popullore të Shqipërisë, për agjitacion dhe propogandë dhe komplot terrorist, për përmbysjen e pushtetit popullorë. I pandehuri dënohet me vdekje, me pushkatim. Vendimi është i formës së prerë dhe duhet të ekzekutohet brenda njëzet e katër orësh”. Njëri nga dëshmitarët, me një skenarë edhe këtë të parapregaditur, tha: - “Faj që ka kryer i pandehuri kërkon dënim edhe më të rreptë, si varje në litarë dhe më pas zvarritje pas makinës nëpër rrugët e fshatit, por pushteti ynë popullorë është i mëshirshëm dhe shum zemërgjërë, nga ku fal edhe armiqtë më të “egër” të ti”. Më pas dëshmitari në fjalë, u kthye nga turma dhe thirri sa i mbante gjoksi: -“Rroftë drejtësia popullore, që po jua trgon vendin armiqëve të partisë dhe popullit”! Më pas edhe turma e tubuar më shum me lajmëtarë se sa spontanisht, shpërtheu në kor: -“Rroftë drejtësia popullore”! Pas ekzekutimit të djaloshit, nënën e tij e rikthyen në “pronën” e vjetër, ku filloi kalvari i një ferri të pa imagjinueshëm as edhe nga Dante Aligieri. Nusen që nuk fjeti të paktën edhe një natë të vetme me burrin e sajë, pasi nuk mundën që ta rekrutonin, as seksualisht dhe as politikisht edhe pse ishte kthyer në gjini, e internuan së bashku me familjen e sajë.
* * * Pas gjith asaj rezymeje kujtese, djaloshi u rikthye në botën që tashmë po bashkjëjton përjetësisht. Banori i radhës që kishte ardhur, kishte një pamje të mjerë, në sytë e tij që shigjetat e tyre kishin marrë sa e sa jetë njerëzish, lexohej profetësia e tij, se edhe ata pak veqila që kishin mundur që të mbijetonin, së shpejti do ta mohonin. Djaloshi duke drejtuar dorën e majtë, i tregoi drejtimin nga do të shkonte banori i porsa ardhur. Sytë e sovranit, që tashmë kishte përfunduar në botën e përjetëshme, i zunë një mbishkrim në gjuhë të pa kuptueshme nga intelekti i ti, që ishte gdhendur mbi harkun e portës, që brenda sajë po digjej një zjarr i përjetshëm, aty ku sovrani do të kishte vendin e tij të përjetshëm, “Laschiate ogni speranca voi chentrate”. Sovrani duke mos mundur që të deshifronte mbishkrimin, kërkoi ndihmën e djaloshit. Djaloshi duke u drejtuar nga porta me mbishkrim, përktheu menjëherë: “Lëreni shpresën ju që hyni këtu”*).
Tetor 1993 ---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
*) Mbishkrimi në “portat e ferrit”, të Dantes
|