|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Nëntor 15, 2009, 12:04:47 PD » |
|
Prec Zogaj: Njeriu që e pa, njeriu që e bëri, njeriu që e shkroi tranzicionin
 • Datë: Oct 11, 2009 Nga HENRI ÇILI
Dikur, këtu e afro 20 vjet më parë, personalisht kam qenë një lexues i zellshëm i publicistikës së Preç Zogajt dhe vazhdoj të jem. Sot kam rastin që, në kuadrin e kolanës "Scripta imanent" (E shkruara mbetet) së shtëpisë botuese universitare UET - PRESS kam kanaqësinë të jem dhe botuesi i pjesës më krenare të publicistikës së Preç Zogajt, përmbledhjes së librave të tij me publicistikë politike. Bashkimi sot, në një, i lexuesit dhe i botuesit është një privilegj personal, kur bëhet fjalë për një mik të të gjitha kohëve, kur bëhet fjalë për një vepër të plotë. Por jo vetëm kaq: librat me publicistikë politike të Preç Zogajt, të përmbledhura në dy vëllime me titullin e përbashkët "INTUICIONET E TRANZICIONIT" kanë një rëndësi të dyfishtë. Së pari, këta libra janë një dëshmi unike dhe koherente e tranzicionit shqiptar në të gjithë kompleksitetin e tij. Ky botim, vëllimi i parë i të cilit pason këtë parathënie, që nisin me "Rënia e zgjedhjeve", nisur nga momenti fatal për demokracinë shqiptare, ai i manipulimit të zgjedhjeve të vitit 1996 dhe vijojnë më radhë me "Vera e përjetshme", "Lufta jo civile", "Paradhoma e një presidenti", janë një fotografim dhe refleksion, njëkohësisht. Kur ngjarja ndodh, Zogaj është aty ose thuajse aty; kur ajo ka ndodhur në të kaluarën, ai ka qenë aty dhe mund të dëshmojë gjenezën e tranzicionit shqiptar, të paktën, që nga fillimi i Lëvizjes së Dhjetorit 90. Ndaj plotësia është tipari i parë i kësaj dëshmie unike për tranzicionin shqiptar. Koha lëviz rulin e saj të pamëshirshëm për të fshirë detajet, kontesktet, interpretimet, nuancat dhe pikërisht kësaj i kundërvihet publicistika e imët e Preç Zogajt, kësaj i reziston, duke fiksuar me një gjuhë të mrekullueshme mënyrën se si ai e pa tranzicionin shqiptar në brendësi të tij, në brendësi të ngjarjeve, në gatimin e të cilave ai shpesh është protagonist me idetë, lëvizjet, stilemat publike dhe politike që ai krijoi në vite në media apo në artikulimin publik. Së dyti: Publicistika politike e Preç Zogajt ka një vlerë unike, që qëndron jo thjesht te vërtetësia e ngjarjeve, jo thjesht te fakti që ai është aty si një dëshmitar i privilegjuar i tyre, por dhe te diçka tjetër: Intuita për të kapur të vërtetat e kësaj kohe që kaluam, jo nga statistikat, jo nga raportet e rëndomta, jo nga kronika zyrtare e politikës apo e medias, por si një shpërthim intuicionesh, të cilat vijnë te shkrimtari si krijim, të cilat kalojnë në filtrin e dëshmitarit të ngjarjeve, të cilat racionaliziohen në aksionin e aktorit politik të dorës së parë, sikurse ka qenë Preç Zogaj gjatë gjithë kësaj periudhe, që kurse iu bashkëngjit Lëvizjes së Dhjetorit, qëkurse ai u bë drejtori i parë i gazetës së parë opozitare pas 50 vjetësh, "Rilindjes Demokratike", më 5 janar 1991. Po hyjmë në vitin 2010 dhe në vigjilje të vitit të 20-të të tranzicionit shqiptar shumëçka ka ndryshuar, një brez i tërë ka ecur në moshën e secilit, 20-vjeçarët e Lëvizjes së Dhjetorit janë sot 40 e ca vjeçarë, kurse bebet e tranzicionit janë sot rinia që mbush auditoret dhe kafenë e bllokut. Një ndryshim tronditës që e pashmangshmja kohë sjell. Po si do t'i fiksojmë ne ngjarjet, personazhet, fenomenet? Nuk kemi rrugë tjetër veç kujtesës kolektive. Librat e Preç Zogajt na propozojnë pikërisht këtë: një formë të kujtesës kolektive, më e sigurta dhe më e vërteta e të cilave është pikërisht kjo: fjala e shkruar. Në këto dy vëllime, ata që e jetuan tranzicionin do të gjejnë kohën e tyre, do të gjejnë ngjarjet e tyre, do të gjejnë personazhet e tyre që ua nxinë jetën apo që ua zbardhën atë, do të gjejnë dramën e një shoqërie që kërkoi, solli, e vuajti apo e gëzoi ndryshimin në këtë cep të harruar të Europës. Në këto dy vëllime ata që nuk e kanë jetuar tranzicionin do të gjejnë një përshkrim dhe shpjegim domethënës lidhur me sa ka ndodhur, me rrënjët e krizave apo të shpërthimeve shqiptare, me ngecjen dhe me vështirësitë e ecjes sonë përpara, me ngërçin e këtij tranzicioni. Më shumë akoma, ata që do të vijnë më tej dhe do t'i referohen publicistikës politike të Preç Zogajt, kësaj vepre unike në llojin e saj, do të kenë një rrugë të shkurtër, shumë të shkurtër për të parë një fotografi që lëviz, që vibron, të një kohe dhe momenti të kësaj shoqërie. Interesi i veçantë që paraqet ky libër, gjë që e ka bërë atë të strehohet në kuadrin e një kolane botimesh universitare, është vlera e tij për studiuesit e ardhshëm të periudhës së tranzicionit shqiptar. Libri ka vlerën e një "burimi parësor" të dhënash, citimesh, deklaratash, kronike të ngjarjeve, profilesh të personazheve të shkruara me gjuhën e një shkrimtari, i cili merr i merr hua letërsisë fjalën e bukur dhe ia jep politikës, dhe nga kjo fundit merr hua racionalitetin dhe pragmatizmin për të kapërcyër dëshpërimin e të vërtetave të shoqërisë shqiptare dhe për të ecur përpara. Pedagogët, studiuesit, studentët mund t'u referohen lirshëm librave të Preç Zogajt për të bërë të mundur dekriptimin e një kohe, të një epoke, dëshmitë e së cilës, sa më shumë kalon koha zhduken, zbehen apo humbasin vlerën. Ashtu sikurse për shkencat politike dy prej romaneve të Xhorxh Oruellit, "Ferma e kafshëve" dhe "1984", edhe pse romane, janë bërë sot literaturë bazë për të kuptuar komunizmin dhe totalitarizmin, ashtu sikurse "Nderi i humbur i Katerina Blumit", romani i Hajnrih Bël është bërë një vepër bazë për etikën e medias, ashtu sikurse deputeti i dikurshëm britanik Edmund Burke shkroi veprën më të madhe kritike ndaj revolucionit francez, edhe librat e Preç Zogajt, edhe pse publicistikë mund të kualifikohen lirshëm te "studimet për tranzicionin shqiptar". Të shkruar bukur, të shkruar me elegancë, të vërtetë dhe të këndshëm. Ato janë pjesë e paevitueshme e bibliotekës së këtij tranzicioni. Ky libër shënon hapjen e një serie botimesh që UET Press do të botojë në kuadrin ë një projekti për kujtesën e tranzicionit, me kujtime, refleksione, përmbledhje intervishtash apo shkrimesh që kanë shënuar këtë periudhë 20-vjeçare të Shqipërisë.
|