|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« Pergjigju #1 : Dhjetor 09, 2009, 12:52:06 MD » |
|
Zbulimet Për herë të parë ai i ktheu historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve qytetin, deri atëherë të konsideruar një mish të huaj në trupin shqiptar, por që ai e zbuloi si fotoelementin bazë ku u realizuan sintezat e mëdha politike, ekonomike, shoqërore, kulturore të historisë mesjetare shqiptare. Mbetet sot e gjithë ditën e pakonkurueshme analiza e tij për qytetet e Shqipërisë, “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich ëährend des Mittelalters”. Një analizë që ndjek më së pari ndryshimin morfologjik të qyteteve, si Shkodra, Tivari, Ulqini, Prizreni, Durrësi, Vlora, Drishti, Shasi, etj., nga koha antike deri në pushtimin osman. Por që sigurisht ndalet gjatë në zhvillimet e këtyre qyteteve gjatë mesjetës, duke zbuluar më së pari mekanizmat e brendshëm që i gjallonin ata: Shuflaj jep i pari një listë të zanateve, që ushtroheshin në qytetet tona mesjetare dhe që sollën në një specializim historik të tyre në prodhimin e anijeve (Ulqini, Durrësi e Vlora), të kripës, të verës e lëkurëve (Vlora, Shkodra e Durrësi), të mëndafshit (Shkodra, Prizreni e Berati), të prodhimit të armëve e përpunimit të metaleve të çmuara (Prizreni, Durrësi e Shkodra). Sejcila nga këto qytete kishte krijuar tregjet e veta tradicionale, brenda dhe jashtë vendit, duke e kthyer kështu veten në një faktor ngjizës, me rrezatim kombëtar e ballkaniko-adriatik në proceset historike. Shuflaj e gjen me vend të nënvizojë se mjaft nga këto qytete, por edhe të tjera përndryshe të panjohura, shquheshin si prodhues të fakteve të rëndësishme kulturore: aty kishte shkolla ku studjohej latinishtja e greqishtja bizantine ( në vitet 1270 një françeskan nga Durrësi, Nikolla, ishte njohësi më i mirë i kësaj të fundit, aq sa Papa Inocent IV e mori në kurinë e tij dhe e caktoi negociator në bisedimet me Perandorin e me Patrikun e Kostantinopojës). Në Shkodër, Tivar, Durrës e gjetkë kishte shkolla filozofie, ku studjohej Donati e Katoni. Nga këto shkolla, thotë Shuflaj, shpërndaheshin flukset kulturore evropiane, me eposin e mbretit Artur apo me Këngët e Rolandit. Në këto shkolla formoheshin ata mësues, mjekë, noterë, arqitektë, muratorë, piktorë, gurëgdhendës (taiapietra), muzikantë, filozofë nga Shkodra, Drishti, Tivari, Durrësi, Berati, Prizreni, që Shuflaj i qëmton dhe i gjen të veprojnë në Raguzë e Kotorr, në Venedik apo në Padova. Prej analizave të tij skalitet edhe profili i qyteteve më të vogla, ai i të ashtuquajturave “republika kishtare”, siç ishin Drishti apo Shasi, që veç të tjerash prodhonin pa hesap priftërinj, të cilët mandej shërbenin në qytetet e Dalmacisë apo të Italisë, shpesh herë duke kapur edhe poste të larta në hierarkinë kishtare. Shuflaj është autori që më së pari e më së shumti u muar me organizimin e jetës së qytetit mesjetar në Shqipëri. Kjo fillonte me zgjedhjen periodike të organeve drejtuese të komunës, të priorëve, të gjykatësve, të noterëve, të komandantit të policisë bashkiake, të komandantit të flotës, të drejtuesve të doganave, të mbikqyrësve të tregut, etj. Sipas Shuflajt, e gjithë jeta e qytetit, marrëdhëniet e tij të brendshme e të jashtme, mbështeteshin në zakonet e vjetra, më tej në ligjin pozitiv, të përfaqësuar nga privilegjet e dipllomat e perandorëve bizantinë (për qytete si Berati, Janina, Kanina, Shkupi, Prizreni e Kruja) por edhe në formën më të lartë të ligjit pozitiv, në statutet. Shuflaj, i cili zbuloi e botoi ai vetë Statutet e Drishtit, paralajmëroi për ekzistencën e statuteve të qyteteve të tjera shqiptare, si Durrësi e Shkodra. Zbulimi së fundi i Statuteve të Shkodrës, konfirmon plotësisht tezën e mbrojtur në vazhdimësi nga Shuflaj, sipas të cilit qytetet shqiptare rënditen në mesjetë në radhën e qyteteve më të përparuara evropiane. Duke zbuluar e duke i kthyer dimensionin “qytet” historisë mesjetare të Shqipërisë, Shuflaj zgjidhi “enigmën” më të madhe të historiografisë mbi shqiptarët, që deri atëherë i kishte konsideruar këta si një popull pa referenca të qëndrueshme, si një popull në lëvizje e kërkim të vazhdueshëm të atdheut të tij. Sipas Shuflajt, vetë qyteti ishte shprehje e një hinterlandi dhe e një shoqërie bujqësore, që vazhdimisht e ushqente atë me lëndë njerëzore, me produkte e me elemente kulturorë e jetësorë. Raportet midis qytetit dhe hinterlandit bujqësor, midis fisnikërisë së tokës dhe institucioneve komunale të qytetit, raportet midis malit e fushës, që deri atëherë ishin trajtuar si një raport armiqësor e traumatik deri edhe mes “të huajsh”, Shuflaj i trajtoi si marrëdhënie normale mes komponentëve të ndryshëm të së njëjtës shoqëri shqiptare, në dinamikë e zhvillim të përhershëm. Marrëdhëniet fshat-qytet janë, sipas tij, njëra nga “konstantet kryesore biologjike” të historisë së shqiptarëve. Konstantja tjetër e rëndësishme ishte marrëdhënia, edhe ajo normale, midis malit dhe fushës, që kushtëzohej nga zhvendosjet e tufave të bagëtive e të bashkësive blegtorale nga kullotat verore (mal), në ato dimërore (fushë). Një lëvizje e tillë nga mali në fushë e anasjelltas, karakterizonte edhe kohët e anomalive e të pasigurive të mëdha politike, duke u kthyer në një faktor të përhershëm të mbijetesës së racës shqiptare. Gjithsesi, qoftë e shkaktuar nga nevojat e jetës blegtorale apo nga pasiguria politike, një dinamikë e tillë bëri, sipas Shuflajt, që edhe në malësitë shqiptare të depërtonin institucionet politike, juridike e shoqërore të një jete të zhvilluar, institucionet bizantine, anzhuine apo napoletane. Vetë krerët e dikurshëm të fiseve, u shndërruan me kohë në sebastë apo kontë, pra në ingranazhe të sistemit feudal që drejtohej nga Kostantinopoja apo nga Napoli, dhe jo rrallë herë këta shkriheshin në fisnikërinë e qyteteve apo përfundonin si gjeneralë e nëpunës të lartë perandorakë. Nga ana tjetër, ky raport i ngushtë organik mes malësisë, fushës dhe vetë qytetit, bëri që edhe në jetën e fshatit bujqësor e të qytetit të depërtonin institucione, praktika e stile jetese karakteristike për popullsinë e zonave malore, siç ishte institucioni i besës apo vetë zakoni i gjakmarrjes (urasba), që gjejnë pasqyrim deri edhe në nene të veçantë të Statuteve të Shkodrës. Rëndësia E pra, në kohë të ndryshme, studiues të huaj deshën të besojnë se zhvendosja nga mali në fushë e anasjelltas, e shkaktuar nga tranzumanca, nga luftërat e ndryshme apo nga rritja demografike, përbënte karakteristikës kryesore të jetesës së racës shqiptare. Në kohë me ndjeshmëri të lartë politike, siç ishte ajo e Kongresit të Berlinit në 1878, ajo e Paqes së Versajës në 1919 apo edhe koha e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare në Kosovë e në Maqedoni në këta dhjetëvjeçarë të fundit, teza e gjoja “nomadizmit” shqiptar, u transformua në një aksiomë ideologjike, për të bindur botën e qytetëruar se shqiptarët, popull malësor për definicion, e paskan fituar habitatin e sotëm me anë të një “eksplozioni” dhe ekspansioni të programuar demografik e territorial, duke pushtuar, gjoja, tokat e të tjerëve, nëpërmjet dhunës ose, në një mënyrë më moderne, duke rivendikuar të drejtat e njeriut, që rrjedhin nga kartat e konventat ndërkombëtare. Të drejta, që sipas dikujt, shqiptarët as edhe i meritojnë. E pra, kundrejt qëndrimeve të tilla me sfond politik e deri racist, Shuflaj solli një trajtim të mirëfilltë shkencor, aq shkencor saqë të përdorte deri edhe një fjalor tipik të shkencave të sakta, kur thoshte se dukuri të tilla, siç ishin lëvizjet fshat-qytet, apo mal-fushë, përfaqësonin një “konstante biologjike” të realitetit shqiptar. Ndërhyrja shpëtimtare, plot autoritet e kompetencë, por edhe e guximshme e Shuflajt në debatin mbi vendin dhe rolin e shqiptarëve, bëri që t’u hiqej guri i themelit tezave të mësipërme, me prapavijë të qartë politike e antishqiptare, që deri atëherë kishin kontaminuar studimet albanologjike. Ndaj edhe dikush nuk ja fali një guxim të tillë.
|