|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Nëntor 04, 2010, 01:47:48 MD » |
|
Eno Koço: Tefta “po vjen” me këngët e panjohura
 NGA: FATMIRA NIKOLLI Eno Koço: Tefta “po vjen” me këngët e panjohuraTIRANE-Eno Koço është kthyer në Tiranë me të bijën soprano, Teutën dhe me të birin violinist, Gentin. Tefta Tashko Koço, e ëma, ka sivjet 100-vjetorin e lindjes. Koncerti na ofron këngë të panjohura, fotografi të tilla, materiale filmike dhe rikthen pas kaq kohësh në skenë Gaqo Çakon. Surprizat nuk kanë të sosur, ndërsa duket se çdo gjë është organizuar më së miri, pse jo edhe falë skenarit të Alda Bidos. Eno rrëfen detajet e koncertit, pjesët që do të interpretohen, ndërsa dy fëmijët flasin për emocionet e tyre. Teuta shprehet e kënaqur për këtë koncert. "Më vjen mirë, që ka edhe artistë të tjerë të ftuar në këtë koncert, sepse ka edhe lidhje brezash në të. Unë do të këndoj dy këngë të panjohura dhe një pak të njohur, kam edhe një duet më Gaqo Çakon, që e kam edhe momentin më të preferuar, një trio me këngëtarët e Operës, një duet me Irma Libohovën etj". Në fund thotë ajo do të këndohet "Përendesha e bukurisë" nga të gjithë këngëtarët e koncerti bashkë. Ndërkaq, Genti Koço thotë se është hera e dytë që interpreton për gjyshen në violinë. "Kam interpretuar para 10 vitesh një pjesë për Teftën, dhe vijë me diçka tjetër. Unë interpretoj pjesën 'Meditim', e ndërkohë që tingujt e violinës e rrëfejnë këtë meditim, ka fotografi të gjyshes që shfaqen në një ekran. Tingulli është i fortë dhe ka intensitet. Meqë atmosfera e koncertit është evokim i asaj, që ka lënë Tefta në muzikë, është përzgjedhur një pjesë nga Matne, pjesë e një opere. Është një pjesë reflektuese dhe krijon një ndjesi meditimi". Më tej ai ka edhe tri pjesë shqiptare. Në 100-vjetorin e Tefta Tashko Koços, ju vini me një koncert "in memoriam". Çfarë do i ofrojë ai publikut? Ka një vit që e kam menduar këtë koncert dhe më tej kam shprehur dëshirën që për ta realizuar të bashkëpunoj me Radiotelevizionin shqiptar, sepse unë kam punuar një jetë të tërë aty. Mund të them se bashkëpunimi me radion, ka qenë i ngrohtë dhe i përzemërt. Është Elvira Diamanti që merr pjesë me Pandi Bellon në një rrëfim të veçantë për Teftën. Në koncert përveç fëmijëve të mia Teuta dhe Genti marrin pjesë edhe Gaqo Çakon që na nderon me pjesëmarrjen sepse ai këto vitet e fundit nuk është aktivizuar dhe në këtë koncert rikthehet me një zë të freskët, të ngrohtë e të bukur. Veç këtyre, vjen edhe Irma Libohova, mjaft e dashur për publikun shqiptar. Prania e saj në këtë koncert është shumë domethënëse sepse këndon këngët e Teftës në mënyrën e saj. më tej janë edhe dy solistë të Teatrit të Operës që janë baritoni Armando Likaj dhe mexosopranoja Lindita Kola. A mund të na rrëfeni surprizat e koncertit? Ju thatë që është një koncert "in memoriam". Në fakt, keni të drejtë, sepse ne evokojmë figurën e Teftës nëpërmjet këngëve, fotografive dhe xhirimeve. Ka shumë fotografi që njihen por ka edhe se nuk njihen. Mënyra se si ato prezantohen është shumë e veçantë, sepse ato shfaqen në një ekran të madh. Ka kuadro filmike që shfaqin jetën e Teftës. Elvira pyet Pandi Bellën që është autori më në zë e më kompetent për figurën e për jetën e Teftës dhe ai i përgjigjet. Ka interpretim të Gaqo Çakos, ka interpretim të Irma Libohovës, interpretim të tim biri dhe të vajzës dhe diçka tjetër që po e lë surprizë. Si është organizuar koncerti dhe cilat këngë këndohen? Ai është ndarë në katër episode dhe për këtë ne kemi pyetur edhe miqtë tanë. Ai fillon me një bllok popullor ku Teuta ekspozon dy këngë, që si të thuash janë ato më të njohurat, "Kroi i fshatit tonë" dhe "Kur më vjen burri nga stani"; më tej ka një kompleks këngësh; janë motivet me violinë solo, që në një farë mënyre tregoj edhe rrëshqitjet e zërit të Teftës që kanë qenë karakteristike për kohën; mbaron episodi i parë me Irma Libohovën që këndon këngë elbasanase. Më tej janë tri këngë, nga të cilat dy janë krejt të panjohura e njëra është fare pak e njohur. Ato janë regjistruar 80 vjet më parë dhe ekspozohen për herë të parë. Bëhet fjalë për këngët me titull "Tirana" ku flitet se sa moderne ishte ajo në atë kohë, me zonja të bukura, me makina etj, dhe tjera është me titull "Saranda" ku rrëfehen në një farë mënyre bukuritë e këtij qyteti. Më tej është kënga "Korçarja" që njihet pak e që në koncert do të këndohet siç është kënduar 80 vjet më parë, me tempin që ka pasur. Më tej në koncert vjen blloku i këngëve klasike, sepse Tefta ishte soprano, edhe pse njihet prej regjistrimeve për këngën popullore. Gaqo Çako do të këndojë këngë popullore me zërin e tij të ngrohtë dhe plot dritë, por edhe do të vallëzojë. Elvira Diamanti dhe Pandi Bello do të sjellin një material të xhiruar. Çfarë shfaq ai? Elvira na shfaqet duke zbritur nga kalldrëmet e Korçës. Teksa shëtit në vende të ndryshme të Korçës, ajo pyet Pandi Bellon (njohës i mirë i figurës së këngëtares), për jetën e Teftës në këtë qytet. Koncerti zgjat 1 orë e pak si material muzikor, veç kësaj janë edhe materialet e tjera.
|