|
Edmondi
|
 |
« : Janar 20, 2010, 09:02:55 PD » |
|
Qeveria nisi mbledhjen e radhes me nje minute heshtje ne nderim te futbollistit shqiptar Panajot Pano. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha shpalli sot ditë zie Kombëtare, ditën e ceremonisë së varrimit të legjendës së futbollit shqiptar Panajot Pano.
"Pano ishte për dekada futbollisti që me talentin e tij, dhuntitë e tij të jashtëzakonshme por dhe shpirtin e tij të pamposhtur në futboll dhe tërësisht popullor në jetë, mbushi me entuziazëm me gëzim dhe krenari zemrat e të gjithë sportdashësve shqiptarë, zemrat e mbarë shqiptarëve", tha Berisha.
"Futbolli shqiptar është në ditë zie, por në zi janë edhe mbarë shqiptarët. Pano ka marrë nga të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mbarë kombit shqiptar, nga institucionet më të larta të vendit, nga organizmat kryesorë të sportit ndërkombëtar, vlerësimet më të mëdha dhe më të merituara. Në nderim të legjendës te pavdekshme që ai la pas, por dhe nderim i mbarë shqiptarëve që e deshën aq shumë futbollistin e papërsëritshëm, qeveria vendosi sot të shpallë ditë zie kombëtare ditën e cermonisë së varimit të tij", u shpreh Berisha. Në të gjitha institucionet flamuri Kombëtar do të ulet në gjysëm shtizë. MTKRS do të organizojë ceremonialin dhe do të përballojë të gjitha shpenzimet e ceremonialit.
Panajot Pano, një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptar ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.
Pano, cilësuar si legjenda e futbollit shqiptar lindi në Durrës në 7 mars të vitit 1939.
Gjate karrierës së tij 18- vjeçare si futbollist, Panajot Pano ka luajtur 24 ndeshje në kombëtaren e Shqipërisë. Ai ka luajtur gjatë me fanellën e Klubit Sportiv "Partizanin", ku ka fituar 4 kampionate dhe 5 kupa.
Në mars të vitit të shkuar ai u nderua si "Nderi i Kombit" nga presidenti i vendot, Bamir Topi.
Pas lajmit për vdekjen e tij, kreu i shtetit, Bamir Topi i ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes.
Në mesazhin e tij, Topi e ka cilësuar Panon si sportistit e rrallë, korife të futbollit shqiptar, që me lojën e mahnitshme, shpirtin e tij luftarak dhe sidomos me golat e paharruar do mbetet ngahera i gdhendur në historinë e futbollit shqiptar dhe në kujtesën e tifozëve dhe sportdashësve, do të vazhdojë ngahera të admirohet jo vetëm nga ata që e njohën personalisht dhe patën fatin të luajnë me të apo kundër tij, por ai do të vazhdojë të kujtohet si një legjendë e gjallë e sportit shqiptar.
|