|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« : Shkurt 23, 2010, 07:42:15 PD » |
|
Harta e sulmit në zyrën e Enver Hoxhës Shekulli | 23/02/2010 |
Operacioni "Shpërthimi". Dëshmia e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, njëri nga tre bashkëhartuesit e planit Top-Sekret për çlirimin e trojeve shqiptare në Ish-Jugosllavi, përmes ndërhyrjes ushtarake të ushtrisë shqiptare në vitin 1980.
Miratimi i planit nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për riparimin e padrejtësisë historike të vitit 1913.
Në pjesën e dytë të rrëfimit për operacionin "Shpërthimi", marrë nga monografia e "Gjeneral Llakaj, shefi i Shtatmadhorisë midis dy "puçeve" ushtarake", i autorit, Kujtim Boriçi, përshkruhen konsultimet e Llakajt, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zëvendësi i parë i ministrit të Mbrojtjes, me ish-udhëheqësin komunist Enver Hoxha rreth planit sekret për ndërhyrjen ushtarake dhe çlirimin e Kosovës.
Llakaj tregon takimin me udhëheqësin kominist, miratimin prej tij të planit të ndërhyrjes dhe kërkesën e këtij të fundit për të parë hartën-maket të Shqipërisë etnike, e cila u vendos në sallën e Byrosë Politike.
Ajo natë, për mua, ishte një natë ankthi. Vrisja mendjen se si do të veprohej më tej, çfarë detyrash do të merrja, si do ta filloja punën, çfarë vështirësish do të hasja, e shumë e shumë gjëra të tjera.
Gjithçka kishte ardhur papritur, e tashmë suksesi i planit dhe operacioni i pritshëm varej nga ne. Të nesërmen e asaj dite Mehmet Shehu vjen në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, më thirri mua dhe shokun Maliq Sadushi, ku na precizoi detyrat përkatëse, na dha orientime shumë precize ashtu siç t'i jepte ai.
Afërsisht na përcaktoi zonat e veprimeve luftarake të çdo korpusi që do merrte pjesë në këtë operacion, brigadat e këmbësorisë, të tankeve, të artilerisë dhe llojeve të armëve e shërbimeve për çdo specialitet, afërsisht vendkomandën e grupit operativ të Shtabit të Përgjithshëm që do të drejtonte operacionin, disa vendkomanda rezervë në drejtimin e Maqedonisë e të Malit të Zi, vendkomandat e korpuseve e të brigadave, drejtimet e goditjeve kryesore për çdo drejtim, rezervat materiale në ushqim, veshmbathje e medikamente mjekësore etj.
Na përcaktoi afërsisht edhe të gjitha njësitë ushtarake që do të merrnin pjesë në operacion, duke caktuar edhe njësitë sulmuese apo repartet e zbulimit që do të vepronin në terrenet më të vështira e që do të jepnin goditje rrufe e në befasi.
Pasi na dha detyrat e mësipërme, Mehmeti shtoi: "Unë kaq munda t'ju jap për sot, ju i shikoni dhe veproni me kompetencë vetë, ashtu si ta gjykoni dhe mos i qëndroni strikt këtyre që ju them unë".
Ai u interesua shumë edhe për hartat topografike me të cilat do të përpilohej plani, duke më porositur mua që të shikoj me shumë kujdes hartat që të jenë sa më të reja e të kenë sa më shumë objekte, në të kundërt dërgoni me urgjencë në Austri ose Zvicër. Për këtë Mehmeti shtoi: "Të merrni hartat më të fundit (të reja e me shumë objekte), mos llogarisni çmimin se sa janë!".
Më pas shtoi: "Kjo punë kërkon operativitet, iniciativë dhe marrje përgjegjësie mbi vete, e mos u mbytni me një pikë uji!" Pra, si duket, ai (M.SH) kishte menduar e punuar tërë natën dhe të nesërmen na i komunikoi ne këto detyra.
Për problemin e hartave, u konsultova me shefin e Degës së Topografisë në Ministrinë e Mbrojtjes shokun Limoz Alimucaj dhe drejtorin e Institutit të Topografisë shokun Përparim Likaj. Më pas u kërkoj hartat për një studim të hollësishëm të terrenit, në trojet etnike shqiptare ( Mali i Zi-Kosovë-Maqedoni), pa u treguar qëllimin e vërtetë pse i doja.
Ata më rekomanduan, sipas të dhënave që kishin, se harta të tilla me objekte të sakta e të imtësishme kishte kryesisht në Austri. Atëherë bisedova me Përparim Likën dhe ai u dërgua në Zvicër për blerjen e këtyre hartave, i shoqëruar nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pjesëtar i zbulimit të jashtëm.
Këto harta u blenë me ato çmime që afruan austriakët. U sollën në Shqipëri, u përgatitën nga grupi përkatës i Institutit të Topografisë dhe iu dhanë Shtabit të Përgjithshëm në përdorim. Pra, plani i ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, i quajtur "Shpërthimi", u përgatit mbi bazën e këtyre hartave që kishin të dhëna të hollësishme të terrenit dhe objekteve përkatëse."
Detajet e hartimit të një plani "Top-Sekret!" Një punë voluminoze nga ana tekstuale dhe grafike, shoqëruar me sigurimin e bazës materiale dhe ndërtimin e maketit të terrenit luftarak, nga dy ushtarakët më të lartë të vendit, përkatësisht Veli Llakaj e Maliq Sadushi, brenda një afati kohor prej 45 ditësh të dhënë nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, çoi në përgatitjen e planit të koduar "Shpërthimi", për ndërhyrje ushtarake në çlirimin e Kosovës.
Mehmet Shehu, në atë kohë kryeministër i vendit e njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, që ishte ndërkohë dhe drejtues i planit, siç konfirmon në shënimet e tij Veli Llakaj, ka dhënë një kontribut tepër të çmuar në të gjitha fazat e punës, që nga ideja, llogaritja e raportit të forcave e mjeteve, detajet e ndeshjes në fushën e luftimit etj.
E gjithçka është kryer me përgjegjësi e me sekret tepër të madh. Njëkohësisht, hartuesit, (që duhet të ishin dhe zbatuesit e "Shpërthimit" në terren), janë përgatitur dhe për mbrojtjen e këtij plani para Enver Hoxhës.
Në shënimet e tij, autori Veli Llakaj jep gjithashtu detaje tepër interesante, të panjohura deri tani, që nga interesimi i Enverit për mbarëvajtjen e punës, deri tek transferimi i maketit plastik (terreni në miniaturë) nga zyra sekrete e Shtabit të Përgjithshëm, në një nga sallat e Byrosë Politike të Komitetit Qendror, ku duhet të shihej e miratohej nga Enver Hoxha.
Gjithçka bëhet në konspiracion të plotë, brenda afateve të caktuara, miratohet nga Komandanti i Përgjithshëm dhe nis puna teorike e praktike e Shtabit të Përgjithshëm për përgatitjen e shtabeve të reparteve, njësive dhe trupave që ishin planizuar të merrnin pjesë, në këtë operacion luftarak.
Pas mbarimit të punimit të këtij plani, ku dora e fundit iu dha nga Mehmet Shehu, i cili bëri dhe ndryshimet përkatëse për çdo njësi dhe për çdo drejtim, tashti ai ishte gati për miratim.
Të gjitha ndërhyrjet, ndryshimet apo më saktë sugjerimet e Mehmetit, që u ripërfshinë në planin "Shpërthimi", u bënë në konsultë me Veli Llakajn dhe Maliq Sadushin. Sipas dokumentave të kohës, pas kësaj pune me shumë përgjegjësi, derisa materiali u quajt i përfunduar, vinte prova finale, paraqitja tek Enver Hoxha.
Paraqitja e planit "Shpërthimi" tek Enver Hoxha
"Disa ditë më vonë, mbasi Mehmeti i kishte raportuar Enverit se plani është gati, ky i kishte kërkuar që, kur ta shikoni të arsyeshme mund ta shikonte. Haxhi Kroi, ish-sekretar personal i Enverit, më merr në telefon dhe më thotë se nesër në ora 10.00, të kërkon Komandanti në zyrë bashkë me atë materialin. Në vazhdim të bisedës, Haxhiu shtoi se nuk i kishte thënë se për çfarë materiali bëhej fjalë.
Falenderova Haxhi Kroin dhe i thashë se e dija se çfarë materiali kërkonte shoku Enver. Në orën e caktuar shkova dhe iu paraqita ushtarakisht. Më ftoi të ulem si zakonisht, më pruri një kafe. Filloi bisedën tepër shoqërore, për të më hequr sado pak emocionet që mund të kisha.
Ishim vetëm për vetëm. (Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj dhe Komandanti i Përgjithshëm i F.A., Enver Hoxha). ... Ishte normë që shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, takohej çdo muaj me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, për raportim rreth problemeve të ndryshme në ushtri apo në fushën e mbrojtjes së vendit, por ky takim i radhës me Enver Hoxhën, ishte ndryshe, krejt i veçantë e për një problem tepër të rëndësishëm.
Pas pak, unë isha gati që t'i raportoja për çka ai më kishte thirrur. Nxora materialin teorik, dhe i tregova se gjithçka që kanë hartat, janë të pasqyruara e mbi bazën e materialit teorik. Ndofta nuk i erdhi mirë që ia thashë këtë detaj, se e pashë që nuk reagoi si duhet, pra, pashë ndryshimin nga gjendja e mëparshme në fizionominë e tij.
E shfletoi komplet materialin teorik, por pa e lexuar me kujdes, pra kalimthi, diku lexonte me kujdes, diku e kthente fletën shpejt. Në fund, kërkoi hartat. I vendosa mbi tavolinë atje ku ishte ulur, por ai u ngrit menjëherë në këmbë dhe kërkoi të hapen plotësisht mbi tavolinë.
Këto i pa me shumë kujdes dhe diku bënte ndonjë pyetje. Në fund, më thotë se materialin do e këndojë me shumë kujdes, por hartat nuk mund t'i shikojë dot. Më pyeti: "A ka ndonjë formë tjetër për të m`i treguar më konkretisht si në terren?".
I përgjigjem: "Shoku Komandant ne kemi një topolastik në Shtabin e Përgjithshëm, apo maket relievi që ka gjithë të dhënat e Shqipërisë etnike, atje mund ta shikoni shumë mirë, sikur të jeni në terrenin konkret ku do të zhvillohen veprimet luftarake!"
Duke ma aprovuar këtë ide, ndërhyri duke kërkuar një mundësi për të ardhur në Ministrinë e Mbrojtjes, një "qëllim", pasi ardhja thjesht për të parë "Planin Luftarak" në terrenin plastik, mund të krijonte mundësi për hamendje të ndryshme, që gjithsesi, nuk do të ishin në funksion të ruajtjes së sekretit.
Për këtë i propozova që ai mund të merrte një takim me kuadrot e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe atje pas takimit në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm, mund ta shikojmë mjaft mirë e tepër natyrshëm. Ai këtë mendim, nuk di pse, nuk e përkrahu, por kërkoi që unë të shikoja sallën e Byrosë Politike dhe mundësinë e vendosjes atje. Kështu u bë, e pamë sallën dhe ajo ishte e bollshme.
Atëherë urdhëroi Haxhi Kroin ta boshatisë zyrën e të më dorëzojë mua çelësat për të punuar. Sigurisht, nuk kishte sesi të mësohej nga të tjerët, qoftë dhe njerëzit më pranë Enver Hoxhës, se përse më duheshin konkretisht mua çelësat e sallës së Byrosë Politike, pasi unë isha shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe kisha probleme pune me Komandantin e Përgjithshëm.
Për ta vendosur maketin dhe të hidhja gjithë situatën në maket nga harta, I kërkova 10 ditë kohë, për të cilën ai ishte dakord. Nuk i thashë asgjë për vështirësitë që kërkoheshin në montimin e këtij maketi, sepse ai kërkonte specialistë topografë dhe kështu, mundësia e dekonspirimit ishte evidente.
Para se të largohesha, Enveri më thotë: "Veli, m`i sistemo të gjitha materialet dhe ma mbyll këtë kasafortë!" Kështu bëra. Më pas, ai thirri Haxhi Kroin dhe i tha që kasafortën e vogël ku ishin dokumentat ta fuste në kasafortën e tij (Enverit), që e kishte në fund të zyrës në të hyrë të derës. Haxhiu futi materialet dhe i dorëzoi çelësat e kasafortës Enverit.
Ai më tha të marrë çelësat e kasafortës që mbylla unë. Kështu bëra. I mori çelësat e kasafortës së tij, e ashtu si ato nikoqiret e mira, i vari në rripin e pantallonave. Enveri, para se unë të largohesha prej tij, më kërkoi dokumentin që tregonte se a i mora në dorëzim materialet luftarake për t'i firmosur.
U ndodha ngushtë dhe i thashë: "Nuk kam marrë asnjë lloj dokumenti, që t'ua jap juve ta firmosni!". Me takt, por prerë, Enveri këtu ndërhyri, më tërhoqi vëmendjen se rregulli është rregull dhe sekreti është sekret, kjo nuk ka asnjë përjashtim. "Prandaj mos e bëni më këtë gabim!!",- shtoi në fund të bisedës.
Tani nisnin vështirësitë e tjera për mua, së pari ato teknike për zhvendosjen e montimin e maketit plastik në sallën e Komitetit Qendror, e së dyti, personat që do të ingranoheshin në këtë punë, pasi për një gjë të tillë duheshin specialistë.
Njoftova Mehmet Shehun për këtë vështirësi, dhe ai ra dakord që të thërrisnim drejtorin e Institutit të Topografisë, Përparim Likaj dhe Shefin e Degës së Topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm, Limoz Alimuçaj, duke iu thënë se: "Komandanti kërkon dhe një herë të shikojë Planin Operativo- Strategjik të Mbrojtjes së vendit, në një nga mjediset e Komitetit Qendror".
Po kush mund ta besonte? Sidomos Përparimi që kishte blerë dhe hartat jashtë shtetit. Gjithsesi, ata ushtarakë të talentuar, ndonëse jam i sigurtë se diçka, në mos më shumë, kishin kuptuar, asnjëherë nuk hapën gojë, as edhe shumë më vonë. Pas vendosjes së maketit dhe hedhjes së situatës, njoftova
Komandantin se jemi gati për ta demonstruar gjithë materialin në maket.
Pas dy ditësh më thirri, dhe e pamë gjithë materialin e operacionit një e për një, gati më shumë se 2 orë. Ishte tepër kurioz të dinte dhe saktësira e hollësira, përveç atyre që kishte lexuar në materialin teorik.
Pasi mbaruam, më porositi që kam biseduar dhe me Mehmetin, e këtë materal duhet ta lexojnë Adil Çarçani, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm, kundrejt firmës.
Lajmërimin, më tha më tej Enveri, do ta bëjë Mehmeti. Kështu u bë dhe këta persona e kanë lexuar materialin teorik dhe pas materialit, kanë hedhur firmat përkatëse Fillimi i punës konkrete në terren Pas gjithë asaj pune të lodhshme e voluminoze, me përgjegjësi e tepër delikate, tani kërkohej një përgatitje më vete që duhej bërë më të gjithë kuadrot e ushtrisë e veçanërisht me ata kuadro që ishin caktuar se do të merrnin pjesë në këtë operacion të vështirë, por tepër atdhetar.
Për të ruajtur sekretin e planit të operacionit, njohja e terrenit apo rikonicioni, në termat ushtarakë, nuk u bë vetëm me ato njësi që do të vepronin, por edhe shumë kuadro e trupa të tjera që nuk do të ishin pjesë përbërëse e tij, duke e motivuar këtë me një porosi të Enver Hoxhës që kuadrot duhet të njohin në perfeksion, si në pasqyrë, të gjithë terrenin e Republikës.
Kjo njohje terreni vazhdoi me imtësi vetëm me ato njësi që do të vepronin, ku në shumë raste kjo u bë jo vetëm me kuadrot, por edhe me njësitë përkatëse operuese (trupa), ku pati raste që një pjesë e tyre qëndroi në këto rajone për më shumë se një muaj, siç ishin repartet e ura-hedhësve, disa brigada artilerie, reparte xheniere, ndërlidhje, të Mbrojtjes kundër-kimike etj.
Siç kam shkruar edhe më lart, plani për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë ishte përgatitur me përgjegjësi e detaje tepër të hollësishme; nga repartet e njësitë që do të merrnin pjesë, detyrat që do të zgjidhnin që nga momenti i kushtrimit, kompletimi, zgjidhjen e detyrës luftarake e deri në realizimin e detyrës që ishte çlirimi i trojeve shqiptare.
Por theksoj këtu se gjithçka bëhej me një sekret tepër të madh, në mënyrë që jo vetëm plani të mos dekonspirohej (gjë që ishte e sigurt), por dhe shtabet që merrnin pjesë në këto stërvitje të mos kuptonin qëllimin e përgatitjes intensive të radhës.
Në kuadër të përgatitjes për zbatimin e „Shpërthimit", ne ishim detyruar që në stërvitje të bënim edhe manovra taktike, duke operuar edhe nga zona të jugut, me shtabe e me forca, por dihej që vëmendja ishte në tjetër drejtim.
Duke mos e quajtur me vend në këto shënime të përmend të gjitha njësitë e repartet që do të merrninpjesë në këtë operacion, them që numri i përgjithshëm i forcave ishte 200-220.000. forca, së bashku me armatimin, teknikën luftarake dhe logjistike të reparteve e njësive që do të merrnin pjesë.
Në stërvitjet që nisëm të zhvillojmë merrnin pjesë komandantët e korpuseve, veçanërisht njësitë rezervë të Komandës së Përgjithshme, siç ishin grupimi i Tiranës dhe ai Elbasani, pa përjashtuar Korpusin e Korçës, të Tiranës dhe të Fierit). Bile edhe disa njësi taktiko-operative të Korpusit të Gjirokastrës, kryesisht ato sulmuese.
Të gjithë kuadrot punuan në këto rikonicione (stërvitje me zgjidhje detyrash teoriko-praktike në terrenin konkret) e stërvitje me shumë preokupacion, por nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e mirë t'i kishin rënë hiles që kjo stërvitje intensive nuk ishte thjesht një njohje terreni, por me siguri një detyrë e mirëfilltë luftarake.
Për ta saktësuar më mirë këtë ide, mund të kujtoj një mendim të shokëve Simon Ballabani dhe Fadil Toçi, që gjithmonë në biseda intime shpreheshin se në këto detyra nuk qenkemi vetëm ne rezervat e Komandës së Përgjithshme, por edhe fqinjët tanë në krahë dhe shpinë...". (Vijon)
Vlerësimi i ish-ministrit të Mbrojtjes për operacionin "Shpërthimi"
Sabit Brokaj: Kosova, Hoxha i kërkoi ndihmë edhe Stalinit
"Veli Llakaj provoi kulmet e vlerave njerëzore, sakrificave, dhe solidaritetit, përkushtimit dhe idealit, por dhe anën e errët të karakterit njerëzor, shpifjet, spiunimet, deformimin e karakterit nën presionin e frikës nga politika, nga njerëz që nuk i priste dhe që i detyroheshin atij"-shkruan ndër të tjera në parathënien e librit politikani Sabit Brokaj.
Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputet në shumë legjislatura, Brokaj u ndal edhe në kapitullin për operacionin "Shpërthimi" rreth tre dekada më parë.
"I detyruar nga trajtimi antikombëtar dhe perçarës që i bën ai politikës të shtetit shqiptar dhe Enver Hoxhës, disa pinjolle që duan të shtrembërojnë historinë, lidhur me çeshjen shqiptare të Kosovës, ai publikon operacionin "Shperthimi" (për çlirimin me luftë të Kosovës), i përgatitur me kërkesen e Enver Hoxhës, nga Mehmet Shehu, Veli Llakaj dhe Maliq Sadushi.
Ky qëndrim dhe veprim i udhëheqjes së atëhershme është i vërtetë. Ai përputhet plotësisht me kërkesën që i bëri Enver Hoxha Stalinit kur i kërkonte mbështetje që Shqipëria me luftë të çlironte Kosovën, gjë e cila është e provuar nga dokumente.
Por veçanërisht në kujtimet e tij ndihet vleresimi për Mehmet Shehun. Ai(Veliu), e konsideron nder dhe fat qe ka punuar me të. Ai jep një detaj kuptim plote për karakterin e Mehmetit dhe qëndrimin e tij ndaj Kosovës. I mërzitur që Enver Hoxha dha urdhër që të digjej dokumentacioni i operacionit "Shperthimi".
Mehmet Shehu tha:"Ejani dhe më pështyni në varr nëse nuk do të vijë dita që do t'ju duhen këto dokumente!" Veli Llakaj nuk e fsheh gjithashtu admirimin për gjeneralin Petrit Dume"-shprehet Brokaj.
|