|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« Pergjigju #5 : Janar 02, 2010, 12:26:00 PD » |
|
Letra 1
Këtu Poeti na përcjell dëshirën e tij për me u marrë me studimin e Dramatikes, ku ndër të tjera thotë se ka lexue Shakespeare dhe komeditë e Molierit. Po ashtu flet edhe për aksiomën e tij që ka përdorë në satirë, si dhe për punimin e parë të tij në prozë: Kombësia e kleri Katolik.
Shkodër, 5-II-1908 E kam marrë gjysëletren tande… Drama asht duertrokit mjaft. Duertrokitjet e qytetarve tonë, asht e vertetë, nuk janë të tilla sa me i rritin mendjen nji autori, sepse këtu, me perjashtim të disa të jashtëm e të ndonji shqiptari, si Zurani, nuk e kanë idenë e artit komik: do të duertrokitshin çdo lojë ma shumë se nji komedi të Molierit apo të Goldonit… Në komedinë teme jam kujdes të sjell të vlefshmen me të kënaqshmen, simbas aksiomës: Ridendo castigat mores, e më duket se kam arrit me sukses. Due me ju kushtue me kujdes të madh studimit të dramatikës, për me pa se a mund të arrij në ndnji përfundim. Kam lexue shumë prej veprave të Shakespeare e të gjitha komeditë e Moliére. Kam nda dhe due të botoj disa shkrime serioze, d.m.th. odi dhe poema dramatike. Tash po shkruej Vrasjen e Shën Gjonit në formë dramatike e me ndjenja krejt demokratike e republikane. Po të dergoj kopjen e parë të punimit tem në prozë: Komsija e kleri Katolik. Për pjesën e III të Lahutës ende nuk kam mujt të projektoj përvijimin. Nuk due me u përshpejtue sepse dëshiroj të baj nji punë sikurse duhet të bahet. Për me krye Iliaden, janë dasht shumë shekuj: për me shkrue Lahutën të kalojnë të pakten do vjet… E ti kur vjen në Shkodër për me më takue, i yti Gjergji
Letra 2 Në ketë letër Poeti flet për fillimet e sëmundjes së tij të zemrës, që mesa duket do ta shoqnoj deri në dekë.
2 korrik 1909 “Shetitja në Nenshat për mue ka kenë e dhimbshme, sepse prej asaj dite e në vijim kanë fillue të duken në mue shejat e para të smundjes së zemres. Për disa ditë nuk kam mujt me ndej në kambë, prej shpërqëndrimit të madh, e që dje, mbas nji përmisimi dy ditor, jam ndie prap keq, në menyrë që sa të kem shkrue ketë letër, do të ulem në shtrat, sepse po me vjen si nji dobësim në zemër. Çka do të bante Pali im, atëherë kur nuk do te ishte në jetë Gjergji, që herë pas here i shkruen fjalë miqësie?”
Letra 3 Në ketë letër Át Gjergj Fishta i difton mikut të tij rreth shkrimit të dramës Shën Françesku i Asizit, ku i thotë se e ka mbarue së shkruemi për 12 dit, nuk harron me ba edhe nji krahasim me poetin italian Metastasio.
Shkoder 10 nanduer 1909 “Si kundërpërgjigje artit oratorik, miku em, po të them diçka mbi poetiken. Por para se të filloj me folë, larg prej meje ves i mallkuem i krenarisë!!! – Drama mbi Shën Françeskun ka vu dy gisht pluhën mbisyprinë, sepse u mbarue me kohë nga i nënshkruemi i përvujtë, që ka nderit të merret në konsideratë prej teje. I dashtun – hapi mirë veshët! – në 12-XII dit, po, po në 12-XII dit kam shkrue 1200 po them njimij e dyqind rreshta njimbëdhetërrokshe e shtatërrokshe con me disa arje, e të gjithë rreshtat janë të bashkëngjitun mes tyne. Drama asht shkrue mbi foggia si ajo e Metastasio. Kështu pra, i dashtun, si mesatare njiqind rreshta në ditë. Ditën e fundit në tre orë e gjysë paradite kam shkrue 154 rreshta; isha i lodhun aq shumë sa që për dy dit kam pasë nji dhimbje të fort koke. Metastasio ka kompozue në 18 dit nji melodram me rreth 1500 rreshta. Unë kam pasë në kujdesë gjuhën shqipe, koret, meditimet, Meshët konventuale, Shkollën, shqetësimet e të afërmve, etj. etj., dhe mund të them se kam vendos nji “rekord” në poezinë tonë. Larg prej këtu ves i mallkuem krenarie!!!”
Letra 4
Shkodër, 5-XII-1909 “Neser më duhet tu predikoj Jezuitve: kështu pra do ta kuptosh pse po ti shkruej këto dy rreshta sikur koprracit do ti duhej të nxjerrte prej xhepit të tij paren e vet… Në “Odisen” unë kam paraqit nji fakt historik, dhe asgja tjeter. Që edhe sot gjinden disa Mtues në botë asht e pa evitueshme, dhe asht natyrore që ata, që për keq ndaj Poetit, nuk marrin as ma të voglin hap për me u largue prej shtëpijave të zanuna, për faktin e thjeshtë, që unë nuk jam Uliks. Me gjithketë, tue i dëgjue ata rreshta, Mtuesit modern duhet të përgjojnë të dera prej frikës se Uliksit. Edhe rreshtat e kanë forcën e tyne. Bonifaci VIII kje Papë: megjithatë i duhet të qendroj në ferr, të paktën deri në ditën e gjykimit të mbramë, sepse aty e ka dënue nji hy i vogël Dante Alighieri. Për inatë tem Mtuesit e Shqipnisë do të vazhdojnë të jenë të fortë dhe të urdhnojnë në shtëpinë e tjetrit; por megjithketë nuk mund të mohosh, që ndoshta për shkak të rrehshtave të mi, do të dëbohen nga zemra e Telemakëve shqiptar, dhe kjo per mue mjafton, sepse jam i sigurtë, që mazza e Uliseut do të bie mbi krye të tyne, edhe nese janë të mbrojtun prej ndonji yzbergu i çfarë do lloj identitetit. Por, “Odisea” nuk ndalet vetem në faktet e Shqipnisë; ajo shtrihet në të gjithë njerëzimin. Në Odisenë kam dashtë të paraqes triumfin e lirisë, sikurse në Shën Françeskun vëllazninë dhe në Shën Gjon kryepremin barazinë në kuptimin e krishtenë. Kështu pra per nji fakt të thjeshtë që dashnorët e Penelopes shqiptare të ndihen të therun prej rreshtave të mi. Ma mirë se kaq; prej nji fundrrie të tillë as nuk mundem as nuk due të di gja. Nuk kam as çka të shpresoj: shëndetin dhe hirin mund të mi jap vetëm Perëndia, emnin e mire duhet ta baj vet, e jo Mtuesit me marritë e tyne… asgja tjetër nuk më duhet në botë veçse miqët e mi.
Letra 5 Në ketë letër Poeti përsëri trajton çështjen e Lahutës, dhe thotë se Shkrimtari asht ai që nuk përshkruen vetëm objektet që përjeton në ngjarje të ndryshme, por përjetimin dhe mbresat që lanë objektet në shpirtin e tij.
Shkodër, 6 prill 1910 “E kam marrë të shumpritunen (letrën) tande të 5/4 dhe gëzohem me gjithë zemër që gjendesh me shëndet të mirë, por posaqëeisht gëzoj nga dashnia që me sjell, e cila në fakt thanë hapun, më jepet si përgjigje ndaj drejtësisë, sepse flaka e dashnisë, që unë të jap, asht ma e madhe së bishti i kometës së ktij viti, e cila asht e gjatë 24 milion kilometra… Përsa i përket kërkesës së dytë, d.m.th. pjesëve rakitike të fantazisë ime, nuk kam çka me të thanë. – Zhurma, plogështia dhe moskujdesi em, punët e Shqipnisë që nuk mbrrijn asnjiherë në lima të mirë, etj.etj. bajnë që fantasia eme nuk arrin me pasë frytet e mësimit. Duresë. Asht e vertet, kam vu dorë në pjesën e tretë të Lahutës dhe shpresoj ta përfundoj gjatë vitit, sepse duket se edhe dhimbja e kokes po më kalon – nji preteks më pak i demelisë teme. Këshilla që më jep në lidhje me formën dhe stilin që të përdori në ketë pjesë të tretë asht i drejtë; sepse perndryshe në vepër mungon lidhja e nevojshme. Megjithketë tue marrë të njetën formë e tue bashkue stilin popullor me klasiken, do të munohem të vëjë ma shumë se mendime në zhvillimin e veprimit, edhe disa episode tue paraqit të pakten pasionet më të rendesihsme të jetës; sepse simbas mendimit tem, kjo ban që të edukohet dhe të mësohet ma mirë kombi. Përshtypjet prodhohen në shpirt prej objekteve. Tash me riprodhue në shkrim objektet që kanë lanë përshtypje në ne, dhe jo përjetimet, përshtypjet që kemi marrë në shpirt, simbas meje, nuk do të ishte art: por do të ishte treguesi i nji mendje të zakonëshme dhe fëminore. Shkrimtari i vertetë, mendimtari dhe filozofi riprodhon vetveten në shkrim; kështu riprodhon pershtypjet/perjetimet e jo objeketet e jashtme. E bukura në objektet e jashtme nuk mund të jetë objekti artit të vertetë, sepse, artisti tue riprodhue nuk krijon por thjeshtë kopjon gja që nuk asht art. Nëse Leopardi në kangën e famshme të Gjineshtres, do të na kishte pershkrue si botanik Gjineshtren e jo përshtypjet të marruna prej saj, kush sot do të lexonte kangen e tij? Pra, shkrimtari duhet të paraqes shpirtin e tij në shkrim, gja që nuk bahet, nëse nuk riprodhojmë nepermjet mendimeve objektet; jo si ndodhen në botën e jashtme, por si paraqiten në shpirtin tonë, ku vetëm aty ka ndejen e bukura artistike (nuk flas për të bukurën filozofike)….. I dashtun, nëse vazhdoj me ketë hap, nuk e di kur do ta mbyll letrën, e kush e di se sa blasfemi nxjerr përjashta. Kështu…… të kalojmë në histori..
Letra 6
Në ketë letër Poeti i shkruen Át Palit per dëshirën e tij me punue me dramatiken, ku në veçanti flet për kryevepren e tij Makabejt, Poeti mori ketë temë biblike për me pershkrue dhe himnizue dëshirën e vendosun të shqiptarve për liri. Tragjedinë Makabejt Fishta nuk e përfundoj simbas dëshirit të tij në vitin 1911, por e përfundoj në Troshan e Rubig ku kje shterngue me ndej prej nderkombëtarve në vitin 1914.
Shkoder, 20-I-11 Nuk e di sa ka të vertetë në parashikimet e tua biologjike, ne lidhje me pozicionin e trunit në diafragmë të kungullit tonë, i thirrun ironikisht krye dhe në veçanti të atyne të poetve; por ketë e di sigurisht, që truni em nuk ishte në vend atë ditë kur u dhashë fjalën disa zotnive të shkruej dhe të paraqes për karnevalet e ardhshme nji dramë origjinale në pesë akte, që me ka ba me humb “busullën e alfabetin”. Të thom të vertetën asnjiherë nuk e kam ndi nji kënaqsi të ngjashme. Kam nji dëshirë të madhe që ta përfundoj, por nga ana tjeter më vjen keq se më duhet të shkruej sa ma shpejtë të jetë e mundun, dhe druej së ka me lanë mangësi në teknikë, prejse asht puna ime e parë e këtij lloji. Tema asht: I maccabei pro aris set focis, argoment shumë i përshtatshem për ngjarjet tona kombtare: nuk më duhet gja tjeter veçse të kopjoj jetën dhe ndjenat tona, per me ba nji kryevepër. Sot e përfundoj aktin e parë, megjithëse nuk asht plotë gjallni, sikurse shpresoj që do të jenë ata që vijnë më pas, në përgjithësi mund të pelqehet. Por, gjindem ngusht me kohën, per me përfundue nji punë të tillë në pak javë. Natën nuk mund të shkruej, sepse mban ftohtë; ditën mes Kishës, shkollës dhe shqetësimeve të njipasnjishme mund të punohet shumë pak. Ti e di se që tre vjet jam vu të studioj Shakespeare: nëse pra nuk dështoj në ketë sprovë të parë, mund të jesh i sigurt, se mbas pak … viteve, do te shkruej nji tjeter. Po të shkruej këto gjana, për me të ba të ditun, se ti me quen demel dhe e regjistron si plogështi heshtjen teme. Ke kuptue?
Letra 7 Edhe në ketë letër të bukur Poeti i difton bashkëvëllaut të tij për vumjen në skenë të melodramit “Shqyptari i Gjytetnuem”, ku asht prit me sukseë e me entuziazem prej publikut shkodran. Poeti nuk ngurron të baj edhe nji krahasim mes Dramës se tij dhe nji punim të Schiller.
Shkodër, 12 Kallnduer 1912 “Përsa i përket punës teme të vogel poetike, që ti thue se e admiron, pa e njoftë pse-në, të them, që nuk meriton të studiohet. Puna asht origjinale, edhe se Schiller e ka shkrue nji të tillë, që titullohet: “Mirënjohje Arteve të Bukura”. Idea eme ishte me u tregue rrugën e qytenimit shqiptarve; ndersa Schiller shkruen që njeriu të dashunohet në shkenca dhe arte. Pjesa e dytë e Dramatikës ka ngjashmëni në shumë shprehje me veprën e Schiler; por megjithketë asht si ide. Ketë mund të thom, që puna eme asht ma e naltë se ajo e Schiller si ide dhe si veprim. Sigurisht që të shfaqunt e Fesë në shqip, që deshiron qytetni, dhe ndjeshja e frazave në motot dhe në recituesit të pjesës së parë, e ngrisin shpirti e shikuesit shqiptar në idelae të pastra e janë të tilla që e çojnë në mallëngjim fortiter et suaviter; aq asht e vertetë sa që atë natë kanë kja prej entuziazmit deri edhe mysliman, të cilët kishin pak interesë me pa në skenë Fenë me kryq në dorë. – Megjithketë të tham, që nuk vlen me kerkue poetikën e bukur në punën teme; sepse duhet ma parë me gjetë se me zbulue. Mue më mjafton që puna eme të ketë arrit qellimin që të erudicionoj tue entuziazmue publikun për qytetni e për Atdhe. – Nji herë tjeter do të shkruej për ketë. Ndersa të përqafoj e githmonë i yti
Letra 8 Këtu Poeti lajmron për fillimin e botimit të së Përkohshmes Hylli i Dritës. Bashkë me ketë lajm të gëzueshëm vënë në dukje edhe gjendjen shoqnore e politike të Shkodrës.
Shkodër, 15 shtatuer 1913 Sot kemi fillue botimin e të Përkohshmes, (Hylli Dritës) në të cilën do të publiokohen këto shkrime: (të shihet numri i parë i revistës Hylli i Dritës). Këtu në Shkodër gjendja asht në statu quo, pluhun e baltë, Admirala, kual, lecka e “Rrnoftë Shqypnija”; por punë per me i dhanë jetë Shqipnisë, pak ose aspak. Njerzit rrin nën hije, tue pritë me gojë hapun, si fëmij korbash që nana, sorra Europë tu sjell me hangar. Asht e kot që unë të humb kohë tue shkruej gjanat e Shkodrës, të këtij problemi të ri që ka infektue tanë botën.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« Pergjigju #4 : Janar 02, 2010, 12:25:14 PD » |
|
At Gjergj Fishta Tetë letra nga Korrespodenca
At Viktor Demaj
Jemi mesue me shijue veprat e shkrimtarve simbas shkrimeve të tyne, tue lexue krijimtarinë hyjm në kantakt të drejtëperdrejtë me botën dhe me shpirtin e tyne krijues. Nji mënyrë për me studiue nji personalitet asht edhe letërkëmbimi i tij me njerëz të shquem të brezit të tij. Në letërkëmbim, ose siç thirret korrispondencë del në pah, vëhet në dukje, jo aq shumë krijimtaria e shkrimtarit por shumë herë bota e brendshme, ndiestitë e zemrës, fisnikëria e naltë e shpirtit. Në letërkëmbimi në të shumtën e rasave nuk ka vend çensura, flet shpirti i lirë jo i ndrydhun prej publikut admirues apo kritikues. Prandej korrispondenca asht nji element përbas, themelor për kritikën letrare dhe historinë e letersisë per me njoftë botën komplekse të shkrimtarit dhe krijimtarinë e tij. Në korrispondencë zbulohen të fshehta rreth ideve dhe shkrimit të vepravet, çështjevet shoqnore e politike e historike të vendit, kuptojmë gjendjen shpirtnore dhe morale të shkrimtarit, atë çka zemra e tij mendon e shmendon në atë periudhë të caktueme të jetës së tij. Kështu edhe Poeti ynë françeskan e kombëtar Át Gjergj Fishta zhvilloi nji korrispondencë të dendun me bashkëkohës të tij, me bashkëvëllazen të tij freten, prifta shekullar, albanolog, shkrimtar e poet, balkanolog e njerëz të artit dhe të kulturës shqiptare e asaj europiane. Në ketë përvjetor të vdekjes së tij duem të sjellim para lexuesit disa letra të Át Gjergj Fishtës përkthye në shqip. Letrat Át Fishta ia ka dergue Át Pal Dodaj, nji tjeter françeskan që poeti kishte shumë konsideratë për të. Át Pal Dodaj asht pak i njoftun për publikun shqiptar, por në të vertetë shumë asht marrë me studime gjuhësore, historike, etj. Disa nga këto shkrime janë botue në revistën Hylli i Dritës. Át Pal Dodaj si diplomat e njeri i zoti sa u zgjodh Provincial i dha nji formë krejt tjeter Provincës Françeskane Shqiptare, sa që simbas Át Benedikt Demes që shkruen rreth vitit 1942 ende sot ecim simbas projekteve dhe ideve të Át Pal Dodaj. Át Gjergj Fishta ndiente nji respekt të veçantë për të, dhe ishte njeriu ku Poeti i besohej, i shprehte lirshëm idetë dhe medimet, gjithçka që ndodhte në jetën e tij të brendshme dhe përrreth tij. Duket sikur ishte nji At shpirtnor për Poetin. Át Pal Dodajt Poeti i pat shkrue ma se 200 letra. Në ketë letërkëmbim të tyne ne shohim dhe mund të gjejmë të dhana për subjektet e veprave të Fishtës, mbi formimin e tij si shkrimtar, prozator, mbi zhgënjimin e tij rreth pavarësisë së Shqipnisë, zhvillimevet politike, etj. Në ketë korrispondencë spikat shpirti i Át Gjergj Fishtës në të gjitha ndiesitë, përjetimet, gjendja shpirtnore, vetmia, humori dhe sidomos dashnia e madhe për Shqipninë. Shumë herë na shfaqet euforik, emotiv, kritikues, dishmitar i Shqipnisë që ishte në prag të pamvarësisë së saj. Në letërkëmbimin del në pah edhe zhgënjmi i tij, mosmarrveshjet në lidhje me alfabetin, mbylljen e Hyllit të Dritës, pakënaqësitë e tij per disa pseudoshqiptar që ndrrojshin fytyrë e identitet për interesa personale. Nji pjesë e këtyne letrave janë përkthye me nji mjeshtërir të veçantë nga Dr. Persilda Asllani me redaktues Dr. Aurel Plasarin në veprën: Fishta Estetikë dhe Kritikë, Hylli I Dritës, Tiranë 1999.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« Pergjigju #3 : Dhjetor 19, 2009, 08:22:13 PD » |
|
(Vazhdim)
Aty rreh vitit 1980, kam shkue ndër vorre të Rëmajt me u interesue për një vorr të një familjarit tem. Kam takue të Ndjerin Gjon Gjergji, ish roje e vorreve. Mbasi kemi bisedue për problemin personal, Gjoni me një dashamirësi dhe me njëfarë afrimiteti, më mori për krahu dhe u nisëm në drejtim të Kapelës së vorreve. Mbas pak minuta heshtje, më tha: “Do të shkojmë bashkë në një vend sekret, kam besim se nuk ke me folë me njeri, mbasi kjo që po të tregoj asht gjithmonë me rrezik ba me folë...”
Ecëm nga ana e majtë e Kapelës, kaluam vorrët e motrave stigmatine, numroi 1,2,3,4, selvijat dhe tek e katërta, ndaloi. U afruam tek muri dhe aty më shikoi në sy dhe, më tha: “Fritz, Pashë Shpitnat e Atyne të vdekunve që ke në këte vend, dhe që, nga njohja me Ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue,... se je i ri e njëditë... këtu, unë kam futë një thes qimentoje me Eshtnat e At Gjergj Fishtës...”.
U stepa në vend. Pak minuta nuk kemi shkëmbye asnjë fjalë. Për me sigurue kujtesën teme, kam shikue pranë vorrin e një grues së re që kishte një foto në porcelan. Kam numrue edhe njëherë selvijat dhe jemi kthye me Gjonin në drejtim të Kapelës. Aty jemi ndalue prap. Gjoni më kuptoi mirë vetëm me të shikueme se cila mund t’ishte pyetja ime: “Si mundën me kenë në Rëmaj Ato Eshtna shumë të përfoluna dhe të “tretuna” në lumin Drin, pranë Urës së Bahçallekut?”....
Më shpjegoi se: “Ka shkue në një mbasdreke, rreth orës 15.00 në shtëpi të Gjonit, ish Drejtori i Ndermarrjës që merrej me riparimin e Kinema Puntori (ish Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, dhe i ka kërkue me shkue për një problem urgjent në Rëmaj. Gjoni ka marrë çelsat, ka hypë në makinën e Shyqyriut dhe janë gjetë për 3 minuta aty, nga rruga Canej ku banonte Gjoni.
Kanë hy me makinë deri tek Kapela, janë ndalue dhe, kanë shkue tek vendi ku kishte mendue Shyqyriu, me varrosë “thesin e qimentos”. Gjoni me një lopatë ka hapë një gropë të vogël, po Shyqi, i ka marrë lopatën dhe e ka thellue ai vetë ma shumë gropën, tue shkue afro 50 – 60 cm. thellësi. E kanë mbulue dhe porosia ishte që Gjoni nuk duhët të fliste me asnjë përson.
Shyqyriu i kishte tregue Gjonit, se dikush e kishte urdhnue me i nxjerr Eshtnat e Fishtës nga Kisha dhe me i tretë në lumin Drin. Shyqyriu ka urdhnue një punëtor me i futë Eshtnat në thes dhe me ia çue në zyre, prej ku, mbas orarit të punës Shyqyriu do të shkonte dhe ti hidhte në lumin Drin. Mbasi punëtori ka lanë thesin në zyre të Shyqyriut ka ikë, po Shyqyriu e kishte mbajtë thesin tri ditë në zyre dhe kur ka vërejtë se asnjeri nuk interesohet ma për atë çeshtje, ka shkue tek Gjoni, dhe i ka besue për veprimin që kanë krye bashkë me te në vorrezat e Rëmajit”. Për këte çeshtje, mbas vitit 1992, unë kam vue në dijeni tre përsona, Anton Benussin, Ernest Përdodën dhe në 1995, kur po riparohej Kisha Françeskane, At Konrrad Gjolaj, i cili, mund ta ketë bisedue me At Z.Pëllumbin. Unë dhe A.Benussi jemi gjallë... tjerët jo!...
Mendoj, se nuk duhët vazhdue ma mos me folë, edhe pse “demokratët” shqiptarë janë bijtë e baballarëve që kanë çvarrosë At Gjergj Fishtën. Por, tue u nisë se, ndoshta, ka mbetë ndër to një tjetër “Shyqyri Rrjoll”, që asht pak e vështirë me e mendue se ka, pranova me tregue këte sekret, për të cilin po ndodhi një përsëritje e së keqës maparshme me At Fishtën: TURPI DO TI MBETËT VETËM SHKODRËS DHE VETËM ASAJ!
Shenim: •Në muajn Tetor 2007, kam vue në dijeni me këte letër Institucionet Fetare Katolike të Shqipnisë, të cilët, nuk janë denjue me mu përgjigjë.
•Amanetin e të Ndjerit Gjon Gjergji nuk mendoj me e marrë me vedi.
•Mekenëse At Fishta ishte mik i babës sem, të Ndjerit Kol Radovani, për shpenzimet e hapjes së gropës ku asht sot dhe bajtjes deri tek Vorri simbolik në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, ju përgjigjem personalisht, mbasi të përfundoni punimet.
Fritz RADOVANI
Melbourne, 6 Prill 2008.
Nr. 3, Melbourne, 19 Dhetor 2009.
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
Kallmeti & Lek Gjoka
|
 |
« Pergjigju #2 : Dhjetor 19, 2009, 08:21:19 PD » |
|
Letër e hapun Nr. 3:
TË GJITHË ATDHETARËVE SHQIPTARË
MBRENDA E JASHTA ATDHEUT!
“UNË DO TË VAZHDOJ ME JU SHKRUE DERISA.., PENA E EME, T’ JU THERIN ESHTNAT TUEJA...!”, thonte, një Dijetarë..!
JEMI NË PRAGUN E VITIT 2010... TË 7o –tit VIT TË PËRJETËSIMIT TË POETIT KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA OFM... Për dijeni: Argjipeshkvisë Shkoder dhe Tiranë, Kuvendit Françeskan Shkoder, Lezhë, Troshan, Këshillit Ndërfetar të Shqipnisë, Tiranë, Z.Jozefina Topalli, Kryetar i Kuvendit Popullor, Tiranë, Z.Prof.Dr. Sali Berisha, Kryeminister i Republikës së Shqipnisë, Z.Prefektit të Shkodres, Z.Kryetarit të Bashkisë së Shkodres, Z.Prokurorit të Shkodres, Z.Drejtorit të Organeve të Ruajtjes së Rendit në Shkoder, Të gjitha organeve të Shtypit dhe mjetëve të Informacionit Shqiptar!
Shtoj: Argjipeshkvinë e Tivarit, Argjipeshkvinë e Prizrenit, Famullinë e Tuzit dhe të Grudës, Këshillit të Pleqve, të Fshatit Fishtë, Lezhë. Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipnisë Tiranë, Z. Ardian Marashi, Kryetar i Inst. Stud. Albanologjike. Tiranë. Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkoder dhe të gjithë Rinisë Universitare, Diasporen Shqiptare të Malësisë së Hotit dhe të Grudës, Diasporën Shqiptare nga Tivari deri në Kep të Paganës...
ESHTNAT E AT GJERGJ FISHTËS O.F.M. JANË NË RËMAJ !...
Një prift i ri, kur pat takue At Meshkallën dhe i tregoi se Imz. Ernesto Çoba, i kishte mësue këtij kushtet që duhet me heshtë, Mëshkalla i tha: “Shko e thuaj Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë boll!... Edhe unë, tue rikujtue porosinë e At Meshkallës, po flas, se boll kam heshtë!...
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|
|
|
Albkallmeti
|
 |
« : Shkurt 28, 2009, 01:01:49 PD » |
|
Vargjeve lirike të Gjergj Fishtës
 -- nga Tonin Çobani
Sipas shënimeve kritike të Mark Ndojës, në librin "Kritika klasike dhe leksione greko-romake"
Tonin Çobani Shkrimtari Gjergj Fishta ka qenë vlerësuar nga bashkëkohësit kryesisht për Lahutën e Malcis si “poet me fuqi epike të lindur” dhe për Anzat e Parnasit dhe Gomarin e Babatasit - “talenti satirik” që i afrohet “fuqisë së tij si poet epik”(Eqerem Çabej, 1936). Ndërsa për lirikat e tij, të botuara e të ribotuara disa herë në përmbledhjet Mrizi i Zanave dhe Vallja e Parrisit, është heshtur ose janë kaluar me analiza të karakterit filologjik, duke vlerësuar gjuhën e pasur, shumëllojshmërinë e organizimit metrik të vargjeve dhe rëndësinë e argumentit, që, si thuhej aso kohe, përcaktonte “lyrikën e naltë, lyrikën e ulët”(Justin Rrota, 1934). Më të parat vlerësime për poezitë lirike të Gjergj Fishtës na vijnë nga Mark Ndoja në dy shënimet kritike të tij me titujt “Idealet karakterizuese në Lirikën e Fishtës” dhe “Shënime kritike mbi Fishtën: Burrnia-motivet lirike të saj”(1941), të dyja të ribotuara kohët e fundit në librin: Mark Ndoja, Kritika klasike dhe leksione greko-romake.
1. Fishta modern Nisur nga parimet e estetikës intuitiviste të Kroçes, që aso kohe zinte vend të dukshëm në mendimin kritik evropian, Mark Ndoja nuk e sodit së jashtëmi lirikën fishtjane, por e shqyrton atë si një krijimtari, subjektiviteti i së cilës kushtëzohet nga rrethana historike krejtësisht të veçanta të botës shqiptare. Ajo çfarë është thelbësore, sipas Ndojës, në lirikën e Fishtës qëndron në ambiguitetin shpirtëror të shqiptarëve, te të cilët “Zoti dhe njeriu jetojnë në një shpirt të vetëm, mënijnë e dashunojnë më një zemer të vetme”. Por rrethanat e veçanta e kanë bërë shqiptarin skeptik dhe dyshues ndaj çdo gjëje që i servir “modernizmi”, posaçërisht lufta iodeologjike ndërmjet materializmit dhe idealizmit e kanë “trazue thellë” dhe e kanë shtyrë të ndjehet i tradhtuar “prej lëvertie”, aqsa është në prak të braktisjes deri të atyre vlerave morale të trashëguara brez pas brezi, mbi të cilat janë ngritur të gjitha qytetërimet e sotme, si Atdhedashuria, Besa, Burrëria, Nderi etj. Pikërisht këtyre vlerave universale, aso kohe të rrezikuara seriozisht ndër shqiptarë, u këndohet në lirikën fishtjane. Dhe, sipas Mark Ndojës, autori i Mrizit të Zanave dhe i Valles së Parrisit “këndon si Homeri dhe mënin si Akili, e në këtë pikëpamje, ndoshta vetëm në këtë, shohim një pjesë të njeriut modern në Fishtën tonë”.
2. Shpërthimi i vërtetë lirik Poeti lirik, shkruan Mark Ndoja, lind te njeriu, vetëm atëherë kur tek ai njeri të ketë lindur ideali. Prandaj analizën e lirikave të Fishtës ai e bën duke u ndalur në përmbajtjen konceptuale të tyre. Në përmbajtjen konceptuale Atdheu Mark Ndoja ndalet te poezitë: Himni i flamurit kombëtar, Shqipnisë, Shqipnia e lirë, Gjuha shqipe, Ditën e të shuemve, Një gjamë dëshpërimi!, Surgite mortui!(Çohuni, të vdekun!) dhe Shqipnia (Shqypnija) ku, “lëvizja poetike” e krahasuar me një himn të njohur të Horacit, është “ma e shkathët, e ma e thjeshtë”, ndërsa, më përtej, në vargjet fishtjane “shpërthen momenti i vërtetë lirik”: Mbi ato male e bjeshkë kreshnike\ Lejnë, mandej, ata djem si zana\ ...\ Atje lejnë, po, Toskë e Gegë\ Si dy rreze n’flakë t’një dielli:\ Si dy rrufe që shkojnë tue djegë\ Kur shkrep reja nalt prej qielli.
3. Vetëdija e qenies Në përmbajtjet konceptuale: Gjithësi dhe Subjektivizëm analizohen poezitë Dita e gjyqit, Gurrave të Jordanit, Një lule vjeshte(pjesërisht) dhe Burrnia. Poezisë Burrnia Mark Ndoja i kushton edhe një shkrim të veçantë, pasi e konsideron si lirikën “ma të madhnueshme që ka mujtë me krijue shpirti poetik deri më sot”. Nuk mund ta themi me plot gojë, por nisur nga fjalori që është përdorur gjatë analizës së motiveve të kësaj poezie, Ndoja na sugjeron një këndvështrim sa hegelian (“jeta e njeriut në dinamizmin e pandërpremë, të amshueshëm ndër ato dy pjesët esenciale të konstitucionit të saj, mohuese e pohuese, dërrmuese dhe ndërtuese, të vdekshme e të pavdekshme”) aq ekzistencialist (“Vdekja, ligja bazë e të gjitha krijesave”). Ndërsa Fishta, po sipas Ndojës, realizohet në këto këndvështrime filozofike me intuitën e tij prej artisti (“ka pa me intuicjon”) dhe me të vërtetë, nëse përtej idealit të burrërisë shohim atë që Jaspers e quan vetëdije të qenies, atëherë poezia Burrnia e Fishtës mund të konsiderohet si më e para vepër ekzistencialiste në letërsinë shqiptare. Edhe struktura e saj e justifikon këtë këndvështrim, sepse të 16 strofat safike të lirikës Burrnia ndahen: pesë strofat e para krijojnë fytyrën e Vdekjes; pesë strofat e dyta - triumfin e saj mbi Jetën; pesë strofat e fundit - Burrërinë për të përballuar jetë-vdekjen, dhe në mbyllje një strofë e gjashtëmbedhjetë, “strofë lajtmotivesh” (Jetë, Vdekje, Burrëri), ku thuhet: “Rekton mbarë jeta përnën fyell të kërrçikëve\ Të Vdekjes s’shëmtueme, s’përmnershme, mizore:\ Vetëm Burrnia - një Burrni çelike\ Asaj i rrëshqet dore”.
4. Ritëm dhe harmoni Vlerësimet e Mark Ndojës anojnë, gjithashtu, nga një estetikë klasike, pasi ai e përkufizon kritikën letrare si një gjykim që “kërkon me gjetë arsyet e të qenunit të poezisë dhe jo shkaqet, as qëllimet, për të cilat u krijue”. Më tej ai do ta përvijojë këtë përkufizim duke shtuar se për të pasur poezi, nuk mjafton të kemi atë që ai e quan “landë poezie”, që mund të ishte “qoftë toka me male e fusha e dete, me lule e barë e gjethe; qoftë qiella me hanë, yje e diej, me hapësina të pamatuna në kohë të pamatun e landë me frymë; qofshin frymorë të egjër, të butë, të shëmtuet, të bukur e landë me shpirtë; qofshin vetë mjerimet tona që na trondisin mu në zemër të jetës sonë, ose gëzimet tona, që nganjëherë rrallë e për mall na e lumnojnë më kot shpirtin”. Poezi do të kemi atëherë kur gjithçka, që mund të shërbente si lëndë poetike, të jetë shndërruar “në ritëm e kangë”, të jetë bërë “harmoni e melodi”. Sipas këtij gjykimi, Mark Ndoja e cilëson Gjergj Fishtën një poet të madh lirik të letërsisë shqiptare e më gjërë.
5. Poeti, gruaja, frati Mark Ndoja, sadoqë në suazën e shënimeve kritike për Fishtën si poet lirik, nuk i shmanget çështjeve që lidhen me tërësinë e krijimtarisë poetike të “Atit të Parë të poezisë shqiptare”, siç e cilëson ai Gjergj Fishtën. Çështja e parë, ka lidhje me atë që e bën të diskutueshëm Fishtën si poet lirik për shkak të zhgunit të fratit, të cilin ai e mbante veshur. Kjo, sepse poezia lirike, ose më saktë, “idealet subjektive të poetëve” janë të lidhura me dashurinë, shkak i të cilës “ka qenë dhe ka me qenë gjithmonë bukuria e gruas”, shkruan Ndoja. Prandaj Fishta-frat, duke e pasur të ndaluar këtë dimension të jetës individuale (për një klerik katolik bukuria e gruas ende sot nuk mund të pranohet si sensualitet apo seksndjellje), shkepon si poet lirik ose lirikës së tij i mungon ai tharm frymëzimi që te lirikët klasikë identifikohej me një Beatriçe (Dante), një Laura (Petrarka) etj. Mënyra se si e ka formuluar Mark Ndoja një zgjidhje të pranueshme për të mbrojtur te Fishta, edhe poetin me ndjeshmëri të thella lirike, edhe fratin e devotshëm të urdhërit fetar, të cilit i përkiste, është një oratori e zgjuar. Madje, duhet thënë se zgjidhja e tij ka funksionuar jo vetëm në kohën kur u formulua (jemi në vitin 1941, vetëm një vit pasi Fishta ishte ndarë nga jeta), por vazhdon të funksionojë mrekullisht edhe sot e kësaj dite. Mark Ndoja thotë se, edhe sikur “të mos e kishte pengue, zhguni i fratit, Fishta shumë-shumë do të kishte ndërrue objekt... por kurrë jo qendrimin e vet subjektiv”. Mirëpo studiuesit e sotëm të veprës së Fishtës e kanë cituar këtë konkluzion, qoftë kur kanë dashur ta mbrojnë Fishtën nga të përfolurit e tij si një frat që ia kishte lejuar vetes marrëdhëniet me seksin tjetër (gjë të cilën deri në një farë mase e bën edhe edhe Mark Ndoja), qoftë kur kanë dashur të arsyetojnë se refuzimi i përvojave erotike nga një poet-frat si Fishta, nuk i ka lënë asgjë mangut “hovit të dashunisë” të lirikave të tij. Por kjo e fundit nuk mund të lexohet deri në fund në konkluzionin e Mark Ndojës. As dashuria platonike, si konsumim i aktit të dashurisë nga ana e Fishtës, që përmend Mark Ndoja, nuk duhet lexuar si arsyetim i tij, se lirikës së Fishtës i ka mjaftuar përjetimi fiktiv i bukurisë së gruas. Përkundrazi, Mark Ndoja lë të kuptohet hapur, se Fishta nuk mund të ishte deri në fund një idealist “a la greca”, një i dashuruar pas imazhit dantesk të një gruaje apo i privuar tërësisht nga jeta si një i varfër i Asizit. “Shkurt, shkruan Ndoja, Fishta qe dhe mbetet shqiptar me natyrë thjesht malësore, e tue thanë kaq, është thanë gjithçka”. Pa i dhënë vetes të drejtën e interpretimit të këtij gjykimi, lexuesi le t’i drejtohet lirikës erotike të folklorit të trevave të Malësisë së Madhe dhe do të kuptojë se çfarë ka dashur të thotë Mark Ndoja me atë që Fishta ishte e mbetet një shqiptar “me natyrë thjesht malësore” dhe se, e thënë kështu, është thënë gjithçka për të si poet lirik.
6. Shpirti titanik i Fishtës Çështja e dytë me rëndësi të veçantë teorike lidhet me drejtimin letrar, të cilit i përket Fishta lirik dhe në përgjithësi krijimtaria e tij poetike, pasi në shëmbujt që analizohen ka edhe fragmente nga Lahuta e Malcis, Juda Makabe, Jerina. Mark Ndoja shprehet prerë se poezia fishtjane nuk ka të bëjë aspak me romantizmin, që, sipas tij, kishte marrë dheun dhe ishte bërë modë në letërsinë e atëhershme të qyteteve tona. Siç ironizon Ndoja, “kanga e qytetarit” zhvillohej pa ndonjë fytyrë të vetën karakteristike, “herë në mes avujsh orientalo-romantikë, herë në mes lotësh e rrektimesh ndrydhëse”. Poezia e Fishtës ishte diçka krejtësisht tjetër. Por ajo nuk definohet prej Mark Ndojës si një poezi realiste, çfarë do të na vinte në mendje natyrshëm. Është thjeshtë poezi, ku “sublimitetit i bashkohet edhe bukuria”; është një poezi “universale”, ku shpalosen idealet më të larta të njerëzimit të derisotëm, si “madhnia e Atdheut, hovi i dashunisë, tmerri i vdekjes, dëshira e amëshimit, harmonia e rruzullimit e pëlqimi i nderës”; është poezia, art i fjalës së një gjuhe si shqipja, e cila është “e aftë me u ndejë sy për sy gjuhëve ma të lavruemë të botës”. Të gjitha këto së bashku justifikojnë atë që Mark Ndoja ka cilësuar te Fishta “shpirt titanik” i poetit.
7. Konkluzion Mark Ndoja është më i pari kritik shqiptar që nxjerr në pah vlerat e Gjergj Fishtës si poet lirik, duke analizuar përmbajtjen konceptuale (Atdhe, Gjithësi dhe Subjektivitet) të vëllimeve Mrizi i Zanave dhe Vallja e Parrizit, si dhe duke analizuar në mënyrë të veçantë një prej lirikave më përfaqësuese për nga vlerat e spikatura ideoartistike, siç është poezia Burrnia. Pajisur me një kulturë letrare të plotë klasike dhe bashkëkohore, Mark Ndoja vlerëson artin e poezisë lirike, duke e veçuar atë nga lënda e poezisë; zbulon motivet poetike, duke bërë krahasime me modelet e lirikës klasike botërore; gjykon qëndrimin individual të poetit në marrëdhënie me rrethanat historike dhe trashigiminë etnogjuhësore, duke mos anashkaluar as çështjet më të diskutueshme edhe sot e kasaj dite; përcakton drejtimin letrar dhe vëndin që zë ajo krijimtari në letërsinë shqiptare etj. Për të gjitha këto dhe të tjera vlera, shumë nga konkluzionet e Mark Ndojës mbeten të patejkaluara në literaturën e shkruar deri sot për Fishtën dhe veprën e tij.
“Atje lejnë, po, Toskë e Gegë Si dy rreze n’flakë t’një dielli: Si dy rrufe që shkojnë tue djegë Kur shkrep reja nalt prej qielli” ]
|
|
|
|
|
Identifikuar
|
|
|
|
|